Më 5 shtator nis gjyqi për vrasjen e hendbollistit kroat Denis Tot

Gjyqi për vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot, i cili u rrah për vdekje para një diskoteke në parkun e qytetit në Shkup, fillon më 5 shtator, transmeton Portalb.mk.
Rastin, siç e kanë konfirmuar për MIA nga Gjykata Themelore Penale Shkup, do ta udhëheq gjyqtarja Elena Ilievska Josifoviq.
Të akuzuar për vrasjen janë Angello Gjorgievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski.
Prokuroria Themelore Publike Shkup i ndjek për veprën penale “vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se më 7 prill, para një lokali nate në parkun e qytetit në Shkup, së bashku e kanë privuar nga jeta të dëmtuarin Denis Tot.
Ndryshe, ngjarja kriminale ka ndodhur më 7 prill, në orët e hershme të mëngjesit, para një lokali nate në Shkup, kur të dyshuarit pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër verbale kanë sulmuar shtetasin kroat tashmë të ndjerin dhe i kanë goditur disa grushte dhe shkelma. I ndjeri nga goditjet ka rënë dhe ka goditur asfaltin me pjesën e pasme të kokës dhe ka humbur ndjenjat.
Të tre të dyshuarit kanë vazhduar ta godasin në kokë dhe më pas pa e ndihmuar janë larguar nga vendi i ngjarjes. Një person i punësuar në klubin e natës ka lajmëruar ambulancën, pas çka i ndjeri është transferuar në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
Sipas informacioneve të marra nga mjekët që kanë pranuar tashmë të ndjerin, personi ka pasur atak kardiak, ënjtje masive të trurit, prerje e gjuhës dhe temperaturë të lartë trupore. Pas pranimit, i njëjti është vendosur në respirator dhe ka qenë në rrezik për jetën, ndërsa të nesërmen edhe përkundër tentimeve për reanimim ka ndërruar jetë.
- LEXO: Është ngritur aktakuzë kundër tre personave për vrasjen e hendbollistit Denis Tot, të akuzuarit do të mbeten në paraburgim deri në fillim të gjykimit
- LEXO: Fletarrestim ndërkombëtar për vrasësin e dyshuar të hendbollistit kroat, ndërkohë Inspektorati e mbylli lokalin e natës
- LEXO: Spasovski: Policia ka video, nuk i fshehim dëshmitë për vrasjen e hendbollistit Tot
- LEXO: Tre të dyshuar për vrasjen e hendbollistit të KH “Butel”
- LEXO: Vdekja misterioze e hendbollistit kroat në Shkup – policia thotë se nuk ka pasur dhunë, familja ka version tjetër të tregimit
- LEXO: MPB për rastin e hendbollistit Tot: Është gjetur pa ndjenja, por nuk ka shenja dhune