RMV, Qeveria shpalli gjendje krize për furnizimin me energji elektrike dhe termike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të 74 mori vendime për shpalljen e gjendjes së krizës në furnizimin me energji termike në qytetin e Shkupit dhe me energji elektrike në tërë territorin e vendit, do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori, transmeton Portalb.mk.

Nga Qeveria njoftuan se vendimi i parë është marrë për shkak të mungesës së energjisë termike, mundësisë së përdorimit të lëndëve djegëse alternative dhe gjendjes së tregut të energjisë termike. Ndërsa i dyti është sjellë për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe gjendjes së tregjeve të energjisë elektrike.

“Të dyja vendimet janë marrë me propozim të Komitetit Drejtues për Koordinim dhe Menaxhimin në Sistemin e Menaxhimit të Krizave dhe do të fillojnë të zbatohen nga 1 shtatori 2022. Shpallja e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike dhe termike do të zgjasë 30 ditë nga dita e fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve”, njoftuan nga Qeveria.

Nga dita e fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve, Komisioni për Monitorimin e Situatave me Furnizimin me Energji Elektrike dhe për Monitorimin e Situatave me Furnizimin me Energji Termike monitoron, analizon dhe vlerëson vazhdimisht gjendjen në tregjet e energjisë elektrike dhe termike dhe propozon masa në përputhje me dekretet me të cilat rregullohen kriteret dhe kushtet për shpalljen e gjendjes së krizës.

nstitucionet kompetente sigurojnë se do të ketë rrymë në periudhën e ardhshme dimërore dhe se kufizimet nuk janë opsion nëse shkon sipas planit të EMV-së. Kompania, siç ka thënë disa herë drejtori gjeneral Vasko Kovaçevski, është duke punuar me kapacitet maksimal dhe do të vihen në funksion të gjitha kapacitetet në dispozicion.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, para pak kohësh deklaroi se janë duke biseduar me ministritë e Energjetikës të Serbisë dhe Bullgarisë që të mos ndalen kapacitetet ndërkufitare dhe të mos ketë probleme me furnizimin e konsumatorëve në tregun e lirë.

Në pritje të dimrit që po vjen, i cili vlerësohet të jetë më i vështiri në 70 vitet e fundit, Qeveria më 16 gusht miratoi një paketë masash për kursimin e energjisë elektrike, e cila duhet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Me to, institucionet shtetërore kanë detyra specifike që duhet t’i respektojnë, si fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve kulturore, mospërdorimi i llambave kur ka dritë të mjaftueshme, vendosja e kondicionerëve në temperaturë jo më të ulët se 27 gradë në sezonin ftohjes dhe jo më të lartë se 20 gradë në sezonin e ngrohjes, të zëvendësohen llambat e vjetra me të tilla ekonomike dhe të fiken kompjuterët pas përfundimit të punës.

Paketa e masave të kursimit përfshin edhe rekomandime për qytetarët dhe kompanitë. Me paketën e masave të kursimit pritet që kursimet të jenë deri në 15 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button