Dimri para nesh

Shiu që po bie disa ditë me rradhë na kujton faktin që vera shkon drejt fundit dhe ne ngadalë por sigurtë drejtohemi drejt muajve të vjeshtës dhe dimrit që do të vijë. Sipas fjalëve të ekspertëve, ky do të jetë dimri më i vështirë në 70 vitet e fundit, si pasojë e krizës energjetike që e ka kapluar tërë botën. Çmimet e reja të energjisë elektrike e lëkundin ekonomine edhe ashtu të brishtë, që krizë pas krize duhet të përballet me eksistencën. Në këto kohëra të vështira duhet të sillemi ashtu siç e kërkon momenti dhe të ruajmë arsyen dhe sjelljen e përgegjshme me resurset tona.

Si individë dhe si kolektivitet duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të kursyer sa më shumë eneregjinë në përgjithësi. Ky është hapi i parë për ta kaluar këtë dimër të vështirë që e kemi para. Kursimi i energjisë në kushte krize nuk është turp por është domosdoshmëri e cila mund dhe duhet të realizohet. Secila amvisëri mund të bëjë më shumë për të kursyer, për ta ruajtur buxhetin dhe për të mos shpenzuar më tepër energji se sa që duhet. Ndonjëherë nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë mund të kursejmë po të jemi pak më të vëmenshëm për veprimet tona. Është koha të bëhemi të tillë, të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për gjithçka që bëjmë. Të mos harrojmë se arsyeja pse jemi në këtë krizë është se në botë zhvillohet një luftë e madhe, më e madhe nga ajo që duket. Ndoshta ne nuk jemi në Ukrainë dhe nuk rrezikohemi çdo ditë nga bombat ruse, por ekonomia jonë dhe ajo e gjithë botës është në rrezik dhe duhet të mbrohet.

Hapi i dytë që duhet të mendohet nga çdo individ dhe në çdo shtëpi është të gjehen alternativa të qëndrueshme të energjisë elektrike. Ne jemi vend që ka shumë diell por nuk e shfrytëzojmë sa duhet këtë burim energjie. Kur dëshirojmë të investojmë, zakonisht investojmë në shtëpi të mëdha që nuk ngrohen lehtë, në dasma me harxhime maramendase dhe në vetura të shtrejta për ti impresionuar të tjerët. Është koha të mendojmë për investime më të mençura dhe më të qëndrueshme. Energjia solare duhet shfrytëzuar në maksimum, dhe duhet të jetë prioriteti kryesor edhe i shtetit edhe i qytetarëve. Shteti duhet të mos humbë kohë dhe të liberalizojë sa më shumë shfrytëzimin e energjisë diellore për krijim të energjisë elektrike. Qytatarët duhet të mendojnë seriozisht për opsionet që i kanë e që do ti kenë për shfrytëzimin e kësaj energjie.

Edhe nga krizat më të mëdha në botë kanë lindur përfitime të mëdha për njerëzimin. Ndoshta përfitimi më i madh nga kjo krizë energjetike që na kërcënon me një dimër të ftohtë do të jetë vendosja e suksesshme e mënyrave alternative të fitimit të enregjisë dhe koncentrimi më i madh i mundësive për të krijuar energji të gjelbër dhe ekologjike që derivon nga dielli që na takon të gjithëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button