Sllovakia hodhi hapin e parë për përzierjen hidrogjenit në infrastrukturën e gazit natyror

GazPërderisa Evropa përpiqet të lehtësojë varësinë e saj nga karburantet fosile, e cila u shndërrua në urgjencë nga nevoja për të ulur varësinë nga energjia ruse, pyetjet mbi zbatimin praktik të potencialit të gjelbër të hidrogjenit ende mbizotërojnë, shkruan Euroactive, transmeton Portalb.mk.

Në fshatin sllovak Blatná nad Ostrovom, një projekt pilot i përzierjes së hidrogjenit në infrastrukturën e gazit natyror dha rezultate pozitive. Ky është një hap i parë për të demonstruar sesi hidrogjeni mund të shpërndahet në mënyrë të sigurt dhe efektive në tubacionet ekzistuese vetëm me rregullime të vogla, sipas shpërndarësit të gazit SPP-D.

“Deri më tani, rezultatet konfirmojnë se ne do të jemi në gjendje të shpërndajmë në mënyrë efikase. Kjo do të thotë se nuk do të jetë e nevojshme të ndërtohen rrjete të reja, por do të mjaftojë që të bëhen disa ndryshime të vogla në rrjet”, tha drejtori i SPP-D, Martin Hollý.

SPP-D filloi projektin në mes të qershorit dhe provat do të zgjasin deri në shtator. Nëse ato vazhdojnë të japin rezultate pozitive, distributori planifikon të përziejë 5% hidrogjen me gaz natyror deri në vitin 2025. Deri në vitin 2030, përqindja do të rritet në 10%, dhe dekada e ardhshme duhet të ketë një rritje në më shumë se 20%.

Në mesin e gushtit, SPP-D tha në rrjetet sociale se nuk ka pasur ankesa nga konsumatorët që nga fillimi i projektit në fshat.

Kompania thotë se edhe kaldajat dhe sobat më të vjetra dhe për rrjedhojë më të rrezikshmet, nuk kanë pasur probleme me hidrogjenin e gjelbër të prodhuar nga energjia e rinovueshme e përdorur për projektin pilot.

Përfundimi me sukses i projektit pilot mund të ketë implikime dramatike për përdorimin e hidrogjenit në vend dhe ambiciet e tij për t’u bërë një udhëheqës rajonal i hidrogjenit. Ministri i Ekonomisë Richard Sulík planifikon të investojë 1 miliardë euro për të rritur prodhimin dhe përdorimin e hidrogjenit në sektorë të ndryshëm.

Projekti pilot bie gjithashtu në përputhje me planet e Komisionit të BE-së për të përdorur hidrogjenin e gjelbër si një mjet për të ulur varësinë nga energjia ruse.

REPowerEU, i cili caktoi mënjanë 200 milionë euro fonde shtesë për kërkimin e hidrogjenit, synon gjithashtu që infrastruktura evropiane e gazit të përshtatet për transportin e hidrogjenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button