Qeveria e RMV-së do të shpallë gjendje krize për energjinë elektrike dhe të ngrohjes

Sot pritet që qeveria të marrë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës për energjinë elektrike dhe termike, që do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori. Nga fillimi i shtatorit hyjnë në fuqi masat për kursimin e energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Institucionet kompetente sigurojnë se do të ketë rrymë në periudhën e ardhshme dimërore dhe se kufizimet nuk janë opsion nëse shkon sipas planit të EMV-së. Kompania, siç ka thënë disa herë drejtori gjeneral Vasko Kovaçevski, është duke punuar me kapacitet maksimal dhe do të vihen në funksion të gjitha kapacitetet në dispozicion.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, para pak kohësh deklaroi se janë duke biseduar me ministritë e Energjetikës të Serbisë dhe Bullgarisë që të mos ndalen kapacitetet ndërkufitare dhe të mos ketë probleme me furnizimin e konsumatorëve në tregun e lirë.

Në pritje të dimrit që po vjen, i cili vlerësohet të jetë më i vështiri në 70 vitet e fundit, Qeveria më 16 gusht miratoi një paketë masash për kursimin e energjisë elektrike, e cila duhet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Me to, institucionet shtetërore kanë detyra specifike që duhet t’i respektojnë, si fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve kulturore, mospërdorimi i llambave kur ka dritë të mjaftueshme, vendosja e kondicionerëve në temperaturë jo më të ulët se 27 gradë në sezonin ftohjes dhe jo më të lartë se 20 gradë në sezonin e ngrohjes, të zëvendësohen llambat e vjetra me të tilla ekonomike dhe të fiken kompjuterët pas përfundimit të punës.

Paketa e masave të kursimit përfshin edhe rekomandime për qytetarët dhe kompanitë. Me paketën e masave të kursimit pritet që kursimet të jenë deri në 15 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button