Familjarët e pacientëve të vdekur nga kovidi në “Zhan Mitrev” japin deklarata në Prokurori

Familjarët e pacientëve të vdekur nga kovidi, në spitalin privat “Zhan Mitrev”, ftohen në Prokurorinë Publike të Shkupit për të dhënë deklaratë për mënyrën e trajtimit të tyre. Dhjetëra familje, që nga e hëna i kanë treguar prokurores përgjegjëse për rastin, Iskra Haxhi Vasileva, për trajtimin e më të dashurve të tyre derisa ata kanë qenë të shtruar në “Zhan Mitrev”.

Prokuroria, një ditë pas transmetimit të filmit dokumentar nga IRL “Gjaku i papastër”, më 18 korrik, ka krijuar lëndë pasi pranimit të informacionit, për të hetuar trajtimin e pacientëve në spitalin klinik gjatë periudhës së pandemisë më koronë nga viti 2020 deri në vitin 2022.

Më 12 gusht prokuroria hapi hetim në të cilin pronari i spitalit, doktor Zhan Mitrev, dyshohet për Mashtrim të pacientëve. Gjykata i ka sekuestruar pasaportën Mitrevit, për shkak të rrezikut nga arratisja.

“I pandehuri, në periudhën nga prilli i vitit 2020 deri në vitin 2022, me qëllim që personi juridik – institucion shëndetësor privat, të përfitojë pasuri materiale në mënyrë të kundërligjshme, me paraqitje të rrejshme të fakteve i ka mashtruar pacientët e trajtuar prej KOVID-19 me metodën e hemofiltrimit“, thonë nga Prokuroria Publike.

Në prokurori sot është ftuar Melita Brezeva nga Velesi, bashkëshorti i së cilës Nikolla Brezev ka ndërruar jetë në klinikën private nga komplikimet post-kovid. Familja Brezevi në hetimin e IRL ndau detaje shqetësuese për trajtimin e Nikolla Brezevit, neglizhencës së stafit mjekësor dhe fshehjes së baktereve spitalore që dyshohet se kanë qenë vendimtare për vdekjen e tij.

“Më thirrën për të dhënë deklaratë në prokurori për hetimin që u hap pas informacionit për mashtrim të pacientëve. I tregova të gjitha detajet e trajtimit të bashkëshortit tim dhe e solla me vete komplet dokumentacionin mjekësor”, tha Brezeva pasi dëshmoi si dëshmitare-e dëmtuar.

Melita Brezeva qysh vitin e kaluar më 27 tetor në të njëjtën prokurori ka paraqitur kallëzim penal, duke dyshuar në etikën mjekësore në klinikën “Zhan Mitrev”, por nuk ka përgjigje nëse kallëzimi është pranuar. Hetimi për kallëzimin penal privat e drejton tjetër prokuror.

Brezeva u thirr vetëm sot, pasi ndau publikisht detajet, e betejës 55-ditore për jetën e të shoqit, në hulumtimin e IRL “Gjaku i papastër”, i cili në spitalin “Zhan Mitrev” ia kishte dalë të mposhtë virusin korona, por jo edhe infeksionet.

Krahas familjes Brezevi, më 12 prill të këtij viti, në prokurori për spitalin klinik “Zhan Mitrev” është drejtuar një tjetër kallëzim penal edhe nga familjarë të pacientëve nga Kosova që duan të hetojnë dyshimet për lëshime në trajtim. As për këtë aplikim prokuroria nuk ka marrë ende vendim.

Trajtimi me hemofiltrim është ende objekt analize nga institucionet shëndetësore, të cilat duhet të konfirmojnë nëse pronari ka zbatuar metodë eksperimentale të trajtimit të pacientëve me kovid. Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ngriti një komision të posaçëm ekspertësh, anëtarët e të cilit po i analizojnë dosjet e të gjithë pacientëve tek të cilët është zbatuar metoda e hemofiltrimit.

“Komisioni i ekspertëve i themeluar nga Ministri Bekim Sali është duke punuar intensivisht në shqyrtimin e dokumentacionit voluminoz të Klinikës “Zhan Mitrev”, si dhe në konstatimet e inspektimeve të bëra nga ISHSSH, MALMED, Oda e Mjekëve dhe Komisioni për Infeksione Intraspitalore. Kontrolli është ende në zhvillim e sipër dhe pasi të përfundojë, Komisioni do të japë sqarimin përfundimtar për konstatimet e ekspertizës dhe masat e marra ligjore”, thanë për IRL nga Ministria e Shëndetësisë.

Bëhet fjalë për 560 pacientë, dosjet shëndetësore e të cilëve po i shqyrton komisioni i posaçëm i Ministrisë së Shëndetësisë.

IRL në filmin dokumentar “Gjaku i papastër” zbuloi dëshmi të familjeve të pacientëve me KOVID, të cilët i janë nënshtruar metodës së hemofiltrimit (filtrimit të gjakut) pa e ditur se ishin objekt i një prove klinike. Mjeku Mitrev e ka reklamuar hemofiltrimin si shpëtimin e vetëm nga korona virusi dhe kushti për trajtimin e pacientëve ka qenë që paraprakisht të paguajnë nga 12 mijë euro për t’u shtruar në klinikë. Studimet klinike që janë realizuar në spital nuk janë raportuar në Agjencinë Shtetërore të Barnave – MALMED.

IRL në storje zbuloi edhe se spitali i doktor Zhan Mitrev, gjatë pandemisë, nuk ka paraqitur asnjë infeksion intraspitalor në Qendrën për Shëndet Publik, ndonëse një gjë e tillë është obligim ligjor. Familjarët e pacientëve të cilët janë trajtuar thonë se në spital ka pasur shumë infeksione intraspitalore, të cilat kanë qenë fatale për jetën e të dashurve të tyre. Edhe në studimet e publikuara nga klinika “Zhan Mitrev”, thuhet se te shumica e pacientëve ka pasur prani të baktereve të rrezikshme.

Pas filmit dokumentar “Gjaku i papastër”, një numër i madh qytetarësh pothuaj përditë sjellin ankesa në Odën e Mjekëve me kërkesë për rishikim të trajtimit për KOVID në spitalin Zhan Mitrev, por edhe për klinika të tjera private dhe shtetërore.

IRL ka dërguar pyetje në Odën e Mjekëve se sa familje të personave të vdekur kanë dorëzuar kërkesa tek ata, por prej atje nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button