Ka filluar pastrimi i “Treskës”, a po përgatitet betonizimi edhe i kësaj pjese të qytetit?!

Hapësirat e objektit të djegur të ish-fabrikës “Treska” kanë filluar të pastrohen pas miratimit të 13 kërkesave të qytetarëve për pastrimin e saj, transmeton Portalb.mk. Për pastrimin e saj, duke llogaritur që ka edhe materiale të rrezikshme, janë angazhuar edhe shërbime private. Një nga pjesët problematike gjatë pastrimit është edhe kulmi, pasi 40 mijë metra katror janë me material azbesti.

“Gjatë gjithë kohës ata do të jenë të mbikëqyrur nga inspektorët e Komunës Qendër për mjedis jetësor”, deklaroi kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, duke paralajmëruar që hapësira duhet të pastrohet brenda disa javësh. 

Gerasimovski theksoi se deri në fillim të muajit të gjitha procedurat ishin në ngërç, për shkak se pritej leja për fillimin e aktiviteteve nga Prokuroria, e cila ka vepruar pas përcaktimit të shkaqeve të zjarrit që ra para pak kohësh në një magazinë në afërsi të “Treskës”.

I pyetur nëse pastrimi i kësaj pjese është me qëllim që investitorët të ndërtojnë objekte, Gerasimovski sqaroi se komuna është duke bërë përpjekje për miratimin e një PDU të ri, me qëllim të urbanizimit më të mirë.

“Aktualisht ka një PDU të vlefshëm, kishim një moratorium tre vjeçar që synonte ndryshimin e PDU-ve, fatkeqësisht nuk funksionoi, por ne po bëjmë përpjekje përmes rregullores që ta veçojmë këtë pjesë dhe të bëjmë një PDU më të mirë. Për momentin janë paraqitur 15 kërkesa për përfundimin e parcelave dhe rreth katër kërkesa për leje ndërtimi. Derisa të japim të 36 lejet e zhdoganimit të objektit, i gjithë procesi do të ngecë. Nuk varet nga Komuna Qendër, por jam i sigurt se së shpejti do ta bëjmë ndryshimin në PDU”, tha Gerasimovski.

Për faktin se aktualisht ekziston një PDU valid, siç sqaroi ai, nëse nuk miratohet një e re, në ndërkohë duhet të respektojnë Ligjin dhe sipas asaj PDU do të japin miratimet për leje ndërtimi.

Në përgjigje të pyetjes se cili do të jetë fati i banorëve të kasolleve në rrugën “Rusveltova”, Gerasimovski ka treguar se në marrëveshjen me investitorët do të kompensohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button