Petrovska: Mbështetje për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, dy elementët kyç të pavarësisë

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska i dërgoi një letër urimi homologut të saj ukrainas, Oleksej Reznikov, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, në të cilën konfirmoi edhe një herë mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, të cilat, siç thuhet në letër, janë dy elementë kyç të pavarësisë, transmeton Portalb.mk.

„Për Maqedoninë e Veriut, dhënia e mbështetjes për çdo vend në botë në forcimin e të drejtës për vetëmbrojtje, liri dhe demokraci është me rëndësi më të madhe. Ne ishim një nga vendet e para që morëm një vendim për ndihmën ushtarako-teknike për Ukrainën”, thuhet në letër.

Ministrja Petrovska i tha kolegut të saj Reznikov se vendi i është bashkuar politikave të BE-së dhe të gjithë botës demokratike, gjë që na vendos në anën e duhur të historisë dhe shtoi se Maqedonia e Veriut, si kryesuese e OSBE-së, vazhdon të jetë e përkushtuar për përpjekjet për të ndalur armiqësitë dhe rivendosjen e paqes dhe sigurisë.

Më 24 gusht 1991 Ukraina shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik dhe sot pas 31 vitesh feston Ditën e Pavarësisë në kushte lufte. Pikërisht më 24 shkurt filloi agresioni rus ndaj Ukrainës, ndaj sot qytetarët e këtij vendi shënojnë gjashtë muaj nga mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Ndryshe nga festimi spektakolar i pavarësisë vitin e kaluar, sot në Kiev janë të ndaluara tubimet masive të qytetarëve për të festuar Ditën e Pavarësisë. Autoritetet ukrainase, si dhe vendet perëndimore, kanë paralajmëruar se Rusia po përgatit një tjetër sulm ndaj kryeqytetit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij emocional para bashkatdhetarëve të tij mbrëmë tha se një komb i ri u shfaq në botë më 24 shkurt, në orën 4 të mëngjesit kur Rusia sulmoi Ukrainën, një komb që nuk frikësohet, qan dhe nuk dorëzohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button