Aktivitete të planifikuara të sigurisë që përkojnë me tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Po afron data kur do ta dimë epilogun e situatës në Kosovë, e cila u krijua pas vendosjes së barrikadave nga serbët vendas për shkak të synimit të Prishtinës për të filluar lëshimin e dokumenteve për hyrje dhe dalje të qytetarëve serbë dhe ndërrimin e targave të Serbisë. Stërvitjet dhe ushtrimet në Krivollak, sipas autoriteteve, janë pjesë e aktiviteteve të rregullta të planifikuara, shkruan REL.

Stërvitje ushtarake, trajnime të KFOR-it në Krivollak dhe fluturim i aeroplanëve amerikanë mbi vend vetëm një javë para 1 shtatorit, kur autoritetet e Kosovës duhet të fillojnë lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe ndërrimin e targave të Serbisë. Në kushte kur në veri të Kosovës ka prani të shtuar të NATO-s, shtrohet çështja e situatës së sigurisë në rajon.

Nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski thuhet se shefi i shtetit informohet rregullisht për zhvillimet e sigurisë në vend dhe rajon nga institucionet kompetente, si dhe për rreziqet e mundshme të sigurisë në rast të destabilizimit të situatës së sigurisë në rajon.

“Për momentin nuk ka asnjë seancë të planifikuar të Këshillit të Sigurimit që do t’i kushtohej ngjarjeve të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Mirëpo, gjendja e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë është temë e pashmangshme në çdo seancë të Këshillit të Sigurimit”, thonë nga zyra e Pendarovskit.

Dy bombardues amerikan të tipit B52 dje fluturuan mbi Shkup, kurse aeroplanë kanë fluturuar edhe mbi Kroaci, Malin e Zi dhe mbi Shqipëri. Fluturimin e bombarduesve strategjikë mbi Maqedoni e ka bërë të ditur edhe Ambasada Amerikane në Shkup, nga ku kanë informuar se qëllimi është të tregohet përkushtimi i SHBA-së dhe garantimi ndaj aleatëve dhe partnerëve ballkanikë në NATO.

poligonin për stërvitje ushtarake Krivolak nga data 20 deri më 26 gusht, ushtarët amerikanë në misionin e KFOR-it në dy helikopterë UH-60 “Black Hawk” janë duke zhvilluar stërvitje. Kongresi Amerikan, për vitin e ardhshëm, propozon stërvitje shtesë të NATO-s ose të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut gjatë vitit fiskal 2023, që do të fillojë më 1 tetor të këtij viti.

Nga Ministria e Mbrojtjes thonë se Maqedonia e Veriut dhe SHBA kanë bashkëpunim jashtëzakonisht intensiv dhe të ngushtë në fushën e mbrojtjes.

“Intensiteti i aktiviteteve trajnuese lidhet ekskluzivisht me planet e përbashkëta, interesit për zhvillimin e interoperabilitetit në Aleancë dhe sigurisht kushteve dhe përmbajtjeve të shkëlqyera që ofron terreni ynë më i madh i trajnimit, Krivollak, zhvillimi i vazhdueshëm i të cilit është në krye të prioriteteve. të Ministrisë dhe të Armatës”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes duke u përgjigjur nëse aktivitetet e shtuara janë për shkak të zhvillimeve në Kosovë.

Në autostradën Mitrovicë-Rashka, në veri të Kosovës, situata është e qetë. Megjithatë, në këtë pjesë të territorit vërehet prani e shtuar e ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë.

Aktivitetet e deritanishme stërvitore, siç theksojnë nga ministria, janë të planifikuara në përputhje me Planin e bashkëpunimit bilateral për vitin 2022 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, përkatësisht është një aktivitet i planifikuar, kurse këso lloj ushtrimesh janë realizuar edhe më parë.

Kapacitetet e poligonit të ushtrisë për realizimin e këtij lloj stërvitjesh u konfirmuan edhe këtë vit me realizimin e suksesshëm të stërvitjes më të madhe ushtarake në vendin tonë, “Swift Response 22”. Edhe gjatë kësaj stërvitje u vërtetua fakti se “Krivollak” është një kapacitet jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e interoperabilitetit, aftësive dhe shkathtësive të pjesëtarëve të ushtrisë dhe pjesëtarëve të ushtrive aleate”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ngjashëm janë përgjigjur edhe nga zyra e presidentit në pyetjen se a po forcohet gatishmëria luftarake për shkak të ngjarjeve në Kosovë.

“Armata ka aktivitete të rregullta stërvitore së bashku me armatat aleate brenda NATO-s, si dhe me partnerë që janë pjesë e ruajtjes dhe përmirësimit të gatishmërisë luftarake sipas nevojave që kemi si anëtare e NATO-s”, kanë shtuar nga zyra e presidentit.

Ndërkohë, pas raundit të dialogut të javës së kaluar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ambasadori amerikan në Beograd Kristofer Hill diskutuan sot për situatën në rajon.

Vuçiq në takimin me Hill, siç njoftoi kabineti i tij, ka porositur se Serbia po i afrohet seriozisht gjetjes së një zgjidhjeje “për krizën aktuale të shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”. Vuçiq ka vënë në pah tensionet që ekzistojnë në Kosovë dhe theksoi se është e rëndësishme që Prishtina të respektojë marrëveshjen se forcat speciale të Kosovës mund të kalojnë në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, me gjasë do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike në Bruksel. Vizita do të realizohet gjatë kësaj jave dhe qëllimi është që edhe një herë të diskutohet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që vijnë në Kosovë.

Kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës është dashur të takohen këtë javë në kuadër të vazhdimit të angazhimit në Bruksel, por me gjasë do të pritet rezultati i bisedimeve që Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar do të zhvillojnë me bashkëbiseduesit në Prishtinë dhe Beograd.

Në veri të Kosovës, tensionet u rritën më 31 korrik dhe 1 gusht, pasi serbët vendas ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button