Vasko Kovaçevski: Nga janari shtrenjtim i ri i rrymës, para nesh është një nga dimrat më të vështirë në 70 vitet e fundit

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV), Vasko Kovaçevski, nga janari i vitit të ardhshëm pritet rritje e re e çmimit të energjisë elektrike, transmeton Portalb.mk.

“Tashmë është e sigurt se do të ketë rritje të çmimit, por gjithmonë pres që të ketë rritje të lehtë të çmimit”, tha Kovaçevski në një paraqitje në TV 24.

Lidhur me dimrin e ardhshëm, Kovaçevski edhe një herë përsëriti se kufizimet nuk janë opsion dhe se energji elektrike do të ketë.

“Të gjitha njoftimet dhe treguesit për muajt në vijim tregojnë se na pret një nga dimrat më të vështirë në 70 vitet e fundit. Duhet të jemi sa më të përgatitur”, tha Kovaçevski, duke siguruar se EMV i ka vënë në funksion të gjitha objektet në dispozicion dhe se energjia elektrike nuk do të importohet.

Javën e kaluar, në një konferencë për media, kreu i EMV-së bëri të ditur se i gjithë plani i prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2022 është bërë me rritje prej 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Ndryshe, më 16 gusht Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë miratoi një pako rekomandimesh për të reduktuar konsumin e energjisë elektrike dhe termike në vendin tonë, me qëllim që siç njoftoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, për të pasur një dimër të sigurt për të gjithë. Ndër to ishte edhe fikja e ndriçimit publik.

Nga 1 korriku i këtij viti, u shtrenjtua çmimi i energjisë elektrike dhe pikërisht në atë datë nisi edhe zbatimi i konceptit të ri të bllok tarifave. Rregullatorët siguruan se për 98.8 për qind të familjeve, çmimi mesatar i energjisë elektrike do të rritet me 7.4 për qind.

Bllok-tarifat do të zbatohen vetëm për energjinë elektrike të shtrenjtë, ndërsa për energjinë e lirë nuk ka bllok-tarifa dhe konsumi do të paguhet në bazë të diferencës. Komisioni Rregullator për Energjetikë thotë se nëse nuk do të vendoseshin bllok tarifat, çmimi do të ishte rritur për 17.74 për qind.4

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button