Trifun Kostovski dhe ekspertët e huaj akuzuan për zinxhir bankar kriminal në Maqedoninë e Veriut

Banka Eurostandard u vra me qëllim, me urdhër të eminencës gri në vend, tha Trifun Kostovski si aksionar mazhoritar sot në një konferencë për media që u paralajmërua gjatë gjithë javës së kaluar si ngjarje në të cilën do të shpallet e vërteta për kolapsin e bankës, bazuar në analizat e bëra nga ekspertë të huaj nën drejtimin e Drago Kos, ekspert i njohur bankar evropian. Siç tha Kos, në Maqedoni funksionon një zinxhir i krimit bankar me financime të paligjshme të kompanive, me dijeninë e Bankës Popullore, raporton MKD, përcjell Portalb.mk.

Kos theksoi se ka ardhur në dijeni se në Maqedoni nga viti 2004 deri në vitin 2020 është krijuar një sistem për financime të paligjshme nga bankat.

“Për shembull, në një rast banka A i jep një kompanie kredi prej 500.000 euro dhe ajo kredi shkon në bankën B të njëjtën ditë. Prej aty, kredia e njëjtë si hua shkon në një kompani tjetër, më pas në një bankë tjetër dhe një ditë më vonë, kredia i kthehet bankës A. Bankat i kanë përcaktuar kreditë, e jo kompanitë, siç do të ishte në rregull, e nga kjo kanë përfituar bankat. Në atë sistem janë shtatë banka, 45 kompani dhe një person fizik aktiv në skemë”, tha Kos dhe shtoi se për 54 transaksione nuk ka marrëveshje.

“Gjatë të njëjtës periudhë janë vërtetuar të paktën 103 nënshkrime të falsifikuara në urdhëresa transferimi, pesë nënshkrime të falsifikuara në marrëveshje kredie dhe 32 nënshkrime të falsifikuara në marrëveshje kredie, si dhe janë hartuar dhe nënshkruar 40 marrëveshje kredie fiktive dhe 81 marrëveshje kredie fiktive. Gjithashtu, për rreth 54 transaksione ndërmjet kompanive që kanë marrë pjesë në skemë, nuk janë lidhur fare marrëveshje kredie, gjë që tregon faktin se “Komercijalna banka”, për shkak të shkallës së skemës dhe numrit të bankave dhe kompanive që kanë marrë pjesë në të, më në fund e ka humbur çdo lloj kontrolli. Përmes kësaj skeme, e cila ka funksionuar nga viti 2004 deri në vitin 2011, vetëm përmes dy kompanive, Komercijalna banka ka realizuar 5.573.602 euro fitime të paligjshme, ndërsa këto dy kompani kanë pësuar dëm në vlerë prej 21.601.991 euro”, thuhet në raport.

Kos mendon se, institucionet mbyllën sytë, por siç paralajmëroi ai, kur të “shembet” skema, mund të shkaktojë pasoja katastrofike financiare.

“Asnjë nga kompanitë e përfshira në këtë skemë nuk ka qenë plotësisht në dijeni për këtë, pasi në të kanë marrë pjesë shumë banka dhe kompani, përfaqësuesit e të cilave, pavarësisht transaksioneve të mëdha me para të gatshme, shpeshherë as nuk janë njohur mes veti. Asnjë nga këto kompani nuk ka mund të mbajë shënime për të gjitha pagesat, sepse thjesht nuk kanë ditur për to, veçanërisht nëse paratë janë transferuar nëpërmjet kompanive të tjera dhe përmes bankave komerciale të ndryshme nga ato të tyre. Vetëm bankat, të paktën në fazat fillestare, kanë mund të monitoronin ecurinë e këtij procesi të kreditimit dhe huamarrjeje, kurse pasi është zhvilluar skema edhe ato kanë filluar të humbnin kontrollin për atë se kush kujt i ka paguar dhe kush kujt i detyrohej, thuhet në raportin e përgatitur nga ekspertë të huaj të kryesuar nga Kos.

Duke qenë se një financim i tillë i shpejtë nuk ka mund të sigurohej ndryshe, dokumentet përkatëse ligjore janë nënshkruar jashtëzakonisht shpejt ose janë përgatitur më vonë, ndërsa urdhëresat e transfertave janë ekzekutuar jashtë orarit të punës. Për shkak të dinamikës së ngjarjeve, të gjithë personat që është dashur të nënshkruanin nuk kanë qenë gjithmonë në dispozicion, për këtë arsye ka qenë e domosdoshme që nënshkrimet e tyre të falsifikoheshin në urdhëresat e transfertave, marrëveshjet e kredisë, marrëveshjet e huave etj., dhe kjo ka ndodhur në shumicën e rasteve. Shpesh, njerëzit, firmat e të cilëve ishin falsifikuar, nuk kanë qenë në dijeni për këtë.

Sipas Kostovskit, Banka Popullore dhe Banka Komerciale kanë qenë në simbiozë, ndërsa drejtori i Komerciales Hari Kostov ka ndikim të madh edhe në ekipin menaxhues të bankës qendrore.

“Tre milionë euro janë përdorur në mënyrë të paligjshme, një depozitë e dhënë me dedikim të posaçëm nga Eurostandard Bank, depozitë e cila nuk mund të ripërdoret apo të përdoret për nevoja të tjera, pa pëlqimin e këshillave mbikëqyrës të të dy bankave. Në një marrëveshje, të cilën e dinë vetëm bordet drejtuese të dy bankave, këto mjete janë zhdukur”, tha Kostovski.

Në Raport është dhënë pasqyrë e detajuar për gjendjen financiare të Bankës Eurostandard në vitet e kaluara, u konstatua se raporti për mjaftueshmëri të kapitalit në vitin 2019 ishte negativ dhe se kur ka filluar falimentimi, situata ka qenë e përmirësuar.

“Duke pasur parasysh faktin se në gusht 2019 nuk ka pasur asnjë procedurë falimentimi, shtohet në raport, ka dyshime serioze për atë nëse momenti i fillimit të procedurës së falimentimit më 12 gusht 2020 është zgjedhur në mënyrë të duhur”, thuhet në raport.

Kostovski tha se personalisht e ka angazhuar Kosin për të marrë fakte nga komisioni i pavarur i ekspertëve dhe se ka ndarë mjete të veta për punën e tyre, me vështirësi, siç tha ai, për shkak se pasurinë e ka të ngrirë. Më pas ai bëri të ditur se në periudhën e ardhshme do të mbajë konferenca për shtyp për të njohur publikun me momentet e reja të së vërtetës për grabitjen e bankës.

“Nuk do të heq dorë nga lufta ime me të gjitha institucionet në Maqedoni, sepse është e qartë se ishte një përpjekje për të shkatërruar gjithçka që është e mirë në vend. Dhe shteti në vend që të më mbronte, më grabiti”, tha Kostovski.

Raporti i ekspertëve të huaj “peshon” mbi 1100 faqe dhe e ndjek rrugën e parave, kurse raporti i dytë është mbi 100 faqe. Ky është hetimi i parë i pavarur i këtij lloji me ekspertë të huaj, u tha në konferencën për shtyp.

Prandaj, tha Kostovski, më vjen keq që në këtë konferencë për media, përkatësisht në prezantimin e hetimeve, nuk erdhën institucionet e ftuara shtetërore si Prokuroria Publike, Komisioni për Luftë Kundër Korrupsionit, Policia Financiare e të tjera. Fakti që nuk iu përgjigjën ftesës do të thotë edhe se nuk e duan këtë të vërtetë, tha ai.

Kostovski akuzoi se paratë që janë tërhequr nga banka, si kredi të pasigurta, më së shumti kanë shkuar për kompanitë nga Strumica, të afërta me LSDM.

Satarin e ka bërë Banka Popullore pa i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat në dispozicion për rehabilitimin e bankës. Kjo u bë në kohën e qeverisë teknike të Oliver Spasovskit, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, kur praktikisht nuk kemi mundur të punojmë normalisht”, tha Kostovski.

Në konferencën për media ishte Slagjana Taseva nga “Transparency International”. Sipas saj, ky hulumtim është kulmi i zhvillimeve në sektorin bankar dhe siç theksoi ajo, do të ishte mirë që ngjarja e sotme të shkaktonte një reagim nga institucionet shtetërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button