Politika qorre, sigurisht se në humnerë të shpie

(Reflektim pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Këshillin e Komunës së Tetovës)

Abdulla Mehmeti
Abdulla Mehmeti

Si të mos ndihesh keq kur e sheh gjendjen e rëndë të popullit tënd dhe vazhdon të dëgjosh përditë marrëzi nga më të çuditshmet në medie dhe rrjetet sociale, shkrime dhe deklarata me përmbajtje naive, banale, jopolitike, jocivilizuese dhe të pamoralshme, për aq më pak kur këto përmbajtje asgjë nuk kanë të përbashkët me logjikën, me vlerat demokratike, me interesin e përgjithshëm kombëtar dhe me parimet morale.

Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve, deklaratave, opinioneve, mendime dhe vlerësime nuk e pasqyrojnë realitetin e zymtë, gjendjen e mjerueshme, katandisjen e banorëve vendës, qytetarëve shqiptarë të kësaj komune, qytetit të Tetovës dhe rrethinës së tij, si edhe të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

Çfarë rëndësie ka pas këtyre zgjedhjeve, nëse nuk trajtohen, analizohen dhe vlerësohen shkaqet reale pse erdhi deri te shpërbërja e Këshillit komunal të Tetovës, paralizimi i punës dhe funksionimit të tij, me këtë edhe detyrimi ligjor për organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme për Këshillin komunal të Tetovës?

Pse u desh që, ditën e pranim-dorëzimit të mandatit të kryetarit të Komunës së Tetovës, të dalë nga zgjedhjet komunale të vitit 2021, pushteti qendror në Shkup ta largojë nga Qeveria partinë Besa, e cila i kishte fituar zgjedhjet lokale, mandatin e kryetarit të Komunës, për ta udhëhequr Tetovësn në periudhën e ardhshme katërvjeçare?
Kjo nuk nënkupton largimin e një partie (Lëvizjes Besa) nga pushteti qendror (Qeveria), as largimin e liderit të saj me mandat të fituar të kryetarit të Komunës së Tetovës, por me këtë veprim merr kuptim të plotë tendenca e pushtetit qendror në Shkup që ta hedh në margjina, në periferi, një komunë të tërë, Komunën e Tetovës, e cila përmbën bërthamën politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, për t’ua mundësuar klaneve partiake dhe nëntokës kriminale që ta thellojë kaosin e krijuar me vite e dekada nga pushtetet e mëparshme vendore dhe qendrore, me arsyetimin se forcat politike që qeverisin me Komunën e Tetovës nuk janë pjesë e Qeverisë, me këtë edhe përgjegjësia për dështimet e mundshme nuk duhet t’i mbetet asaj!

Këtë situatë më së miri e sqaron rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Këshillin komunal të Tetovës, të mbajtura më 20 gusht, sipas numrit të mandateve të fituara për këshilltarë komunal, ku raporti i forcat politike të pushtetit aktual në Maqedoninë Veriore (BDI -11mandate, LSDM-2, PDSH-1, AA-1) nuk janë dominuese përmballë forcave politike aktuale të opozitës (LB-12, VMRO-4).

Sipas kësaj logjike, Këshillin e ri komunal të Tetovës duhet ta formojnë forcat politike të opozitës (LB-12 mandate dhe OBRM-PDUKM /VMRO-4). Çështja është se deri kur këto forca politike do të mbeten në opozitë të pushtetit qendror në Shkup dhe cili mund të jetë interesi i shqiptarëve nëse me zgjedhjet e reja parlamentare do të vinë në pushtet këto forca politike? Në fakt, këtë e paralajmëruan udhëheqësit e këtyre dy partive politike (LB dhe VMRO), si kërkesë dhe qëllim kryesor i vetëm, menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga zgjedhjet e fundit për Këshillin komunal të Tetovës (20 gusht), si synim kryesor të tyre, pa përmendur asnjë qëllim dhe interes tjetër me prioritet për këtë komunë dhe banorët e saj.

Pa pretenduar të jemi të njëanshëm në vlerësime, qytetarët shqiptarë në Maqedoninë Veriore, jo vetëm në Komunën e Tetovës, qeverisjen e partisë nacionaliste OBRM-PDUKM në nivel qendror dhe komunal e kanë përjetuar edhe më herët, gjatë qeverisjes së saj edhe me partitë politike të shqiptarëve, dy mandate me PDSH-në dhe tre mandate me BDI-në.

Se çfarë dobie u ka sjellë shqiptarëve ky bashkëpunim dhe qeverisja e mëhershme e këtyre partive politike të shqiptarëve me OBRM-PDUKM-në (VMRO-në), vlerësimin duhet ta bëjnë vetë qytetarët shqiptarë, nëse u ka mbetur pak kujtesë historike dhe janë të interesuar që e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre të mos jetë e zymtë dhe e errët si në të kaluarën, gati gjithmonë e mbushur me rrena e mashtrime, e shumëzuar gjithmonë me hiç, ndërkohë që gjendja e banorëve të Tetovës, si edhe të gjithë shqiptarëve të tjerë në Maqedoninë Veriore vazhdon të jetë e rëndë dhe pa shpresë, në aspektin e ekonomik e zhvillimor, arsimor e kulturor, si dhe në aspektin politik dhe të sigurisë.

Mediet e vendit në gjuhën shqipe (edhe ato në Tiranë e në Prishtinë) ua kanë borxh shqiptarëve t’ua sqarojnë këto çështje me kohë, duke organizuar debate të hapura mes liderëve të partive politike të shqiptarëve dhe ekspertëve të kësaj fushe, njohësve të këtyre rrethanave dhe të zhvillimeve politike aktuale në vend, rajon dhe më gjerë. Sigurisht se shqiptarët nuk kanë nevojë për debate shterpë dhe të bezdisshme, me analistë të paguar, sikurse këta që i shohin përditë në ekranet e televizorëve, të cilët sot të shajnë e nesër të lavdërojnë, varësisht nga urdhrat edhe pagesa e tyre nga shërbimet e huaja sekrete.

Qytetarët shqiptarë nuk duhet të lodhen e të humbin kohë me debate, analiza dhe deklarata të cilat i ngjajnë njëra-tjetrës si bishtat e cigareve të djegura, por për debate dhe analiza të shëndosha, me të cilat nuk promovohen autoritete të rrejshme në skenën politike aktuale, as thuren lavde se kush sa ka qenë dhe sa është patriot, por kush ka qëllime, vizion dhe strategji të besueshme për nxjerrjen e shqiptarëve nga ky kaos, kjo humnerë ku i kanë batisur deri më sot, patriotizmi i rrejshëm, qeverisja e keqe dhe injoranca.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button