REPORTAZH: Bankat e ushqimit në Portugali mund të ushqejnë deri në 4 përqind të popullsisë së përgjithshme (FOTO)

Portugalia ka mbi 10 milionë banorë si dhe 21 banka ushqimore, të cilat mund të ushqejnë deri në 4 përqind të popullsisë së përgjithshme të këtij shteti anëtar të BE-së. Qëllimi i tyre kryesor është të luftojnë kundër hedhjes së llojeve të ndryshme të ushqimeve si mbeturina, kurse tepricat e krijuara nga operatorë të ndryshëm ushqimor t’i drejtojnë kah ata që kanë më së shumti nevojë për të – njerëzit që janë në një situatë të pafavorshme financiare dhe që në anonimitet kanë kërkuar mbështetje nga organizatat bamirëse në Portugali, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

This slideshow requires JavaScript.

Meta.mk e vizitoi bankën e parë ushqimore në Portugali, e cila është themeluar në vitin 1991. Është një qendër mbresëlënëse logjistike dhe shpërndarjeje në Lisbonë, e cila është pika qendrore e funksionimit të bankës ushqimore në kryeqytet. Ushqimi që është i tepërt sillet në këtë lokacion, në të vend të ngjashëm ushqimi klasifikohet sipas nevojave të njerëzve dhe me furgonë e  kamionë të organizatave bamirëse shpërndahet nëpër qytet. Përveç rreth 400 shoqatave bamirëse që mbështeten vetëm në Lisbonë, ata kanë pika të shpërndarjes së ushqimit në të gjithë Portugalinë dhe u ndihmojnë organizatave atje.

Sot, Banka e parë ushqimore në Portugali funksionon me mbështetjen e “Entrajuda”, një institucion privat për solidaritet social i themeluar në vitin 2004. U themelua për të ndihmuar organizatat joqeveritare që merren me solidaritet social në Portugali me burime dhe njohuri për të ndërmarrë veprime sociale. Edhe sot e kësaj dite banka ushqimore funksionon me ndihmën e tyre, por ajo është edhe banka e parë dhe e vetme në Portugali për produkte jo ushqimore (non-food bank).

Lufta kundër hedhjes së ushqimit si mbetje

Me përfaqësuesit e Entrajuda, ne ecëm së bashku nëpër dy lokacionet në Lisbonë, ku ndodhen banka ushqimore dhe banka joushqimore.

“Shkojmë në industri, e mbledhim tepricën, ua japim organizatave bamirëse, kurse këto organizata më pas u ndihmojnë familjeve dhe njerëzve”, na tregon përmes një bisede përfaqësuesja e “Entrajuda” mënyrën se si zhvillohet shpërndarja e ushqimit.

Gjendemi në një lokacion me tre objekte të ndryshme pranë një prej stacioneve të trenit të Lisbonës. Në hangarin ku ndodhemi janë rregulluar me kujdes pemët dhe perimet që kanë mbërritur gjatë shpërndarjes së sotme. Vullnetarë ndihmojnë për të ngarkuar kosin dhe produktet e ngrira në frigoriferë, ndërsa në një pozicion qendror në magazinë, disa njerëz i renditin produktet e ndryshme në pako – nga çokollata, kremra, pemë dhe perime e deri te produktet e qumështit.

Në hangarin e dytë vendosen ushqimet e thata (makarona, cornflakes etj.), produktet e paketuara në kavanoza dhe të gjitha produktet e tjera që nuk janë të ndjeshme ndaj prishjes për shkak të temperaturave të larta, ku vullnetarët kryejnë edhe një klasifikim të veçantë të produkteve që do të dërgohen drejt organizatave bamirëse.

“Ne luftojmë kundër hedhjes së ushqimit si mbeturina. Çdo ditë shpërndajmë rreth 40 tonë mallra nga më të ndryshmet”, thonë nga banka ushqimore.

Ata shtojnë se për ta është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo person apo familje që ka nevojë për ndihmë të trajtohet si rast individual, me qëndrim të dinjitetshëm dhe kontakt të vazhdueshëm për nevojat.

“Për ne është vërtetë shumë e rëndësishme të njohim secilin prej tyre, në mënyrë që të jemi mjaftueshëm të drejtë në shpërndarje dhe të sigurohemi që çdo familje të ndihmohet në mënyrë përkatëse”, sqarojnë nga “Entrajuda”.

Ndryshe, produktet e llojllojshme që banka ushqimore i shpërndan çdo ditë i marrin në mënyra të ndryshme. Një prej tyre është bashkëpunimi i vazhdueshëm me industrinë, e cila i dorëzon tepricat e ushqimit të prodhuar apo që nuk është shitur. Kontaktet me supermarketet, por edhe me shitësit e tregjeve të gjelbra në Lisbonë janë një tjetër burim prej ku e marrin ushqimin.

Nga Banka e ushqimeve sqarojnë se shitësit e pemëve dhe perimeve nëpër pazare kanë çdo ditë produkte të pa shitura, të cilat nëse nuk shpërndahen, pas një periudhe të caktuar kohore mund të përfundojnë në ndonjë deponi si të papërdorshme. Bashkëpunimi me bankat e tjera ushqimore në të gjithë Portugalinë është i përditshëm dhe i vazhdueshëm, tepricat e produkteve të caktuara që ato i sigurojnë shkëmbehen vazhdimisht, në mënyrë që asnjë produkt të mos bëhet i papërdorshëm.

Punën kryesore e mbarojnë vullnetarët

Nga “Entrajuda” thonë se mbështeten te vullnetarët e tyre, te bashkëpunimi i krijuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar me subjekte të tjera të ngjashme, por edhe në transformimin digjital, që është kyç në procesin e tyre të punës. Përfituesit kryesorë të bamirësisë në Lisbonë janë të moshuarit që jetojnë në qendër të qytetit, të cilët kanë të ardhura të ulëta dhe nuk kanë anëtarë të tjerë të familjes që t’u ndihmojnë.

“Duhet të sigurohemi që gjithçka të bëhet me dashuri dhe dinjitet”, shpjegojnë nga banka e ushqimit.

Ata shtojnë se të vetmet produkte që nuk i grumbullojnë dhe shpërndajnë janë pijet alkoolike. Nëse bankat e ushqimit nuk do të ekzistonin në Portugali, rreth 80 përqind e ushqimit që përfundon tek ata to do të shkonte në deponi si mbetje. Nga vizita jonë në qendrën e shpërndarjes, u bindëm se nuk kishte produkte as të skaduar dhe as të cilësisë së dobët, duke konfirmuar kështu misionin e bankës ushqimore për të siguruar ndihmë të dinjitetshme për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje.

“Është e rëndësishme të mobilizohet e gjithë shoqëria, që të gjithë të kenë parasysh se nuk është e drejtë të hidhet ushqimi. Shkojmë kudo që të flasim për mbetjet ushqimore. Në të gjithë botën një e treta e ushqimit ende shkon kot”, thanë nga “Entrajuda”, për Meta.mk, dhe theksojnë se bankat e ushqimit duhet të zhvillohen në të gjithë botën.

Bankat jo-ushqimore (Non-food bank)

Portugalia është një vend unik sepse kanë hapur një bankë për produktet joushqimore, gjë që është një gjë e rrallë në Evropë. Bëhet fjalë për dy lokacione në Lisbonë ku ndodhet kjo bankë e produkteve jo-ushqimore, ndërsa ekipi i Meta.mk pati mundësinë të vizitojë lokacionin ku ruhen të gjitha produktet joushqimore, me përjashtim të mobilieve.

Mes dhjetëra ndërtesave shumëkatëshe në një nga lagjet e Lisbonës, në bodrumin e një prej ndërtesave që dikur ishte përdorë si parking, sot banka e produkteve joushqimore shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 8000 metra katrorë. E gjithë hapësira është e ndarë në sektorë të ndryshëm, dhe produktet fillimisht vijnë për klasifikim.

Në këtë lokacion ka produkte të higjienës, pastaj rroba, pajisje të amvisërisë dhe kompjuterëve deri te veglat e ndryshme e biçikletat që do t’u nevojiteshin njerëzve dhe familjeve që janë në një situatë të palakmueshme financiare. Vetëm vitin e kaluar kjo bankë për produkte joushqimore u ka ndihmuar më shumë se 1500 personave, si dhe institucione e organizata të bamirësisë të ndryshme që shpërndajnë produkte për familjet.

Krahas shpërndarjes të produkteve të shumëllojshme joushqimore, të cilat në çdo rast tjetër do të përfundonin në deponi, banka i kushton vëmendje të veçantë përzgjedhjes dhe riciklimit të pajisjeve që vijnë të dëmtuara dhe të papërdorshme.

“Kemi ndikim në mjedisin jetësor, kemi kursyer 600 tonelata pajisje, pajisje elektronike dhe elektrike,” shpjegon Afonso Pinjeiro nga “Entrajuda”.

Pas klasifikimit, produktet që janë të prishura ose kanë nevojë për riparim shkojnë në një departament të specializuar ku përcaktohet nëse pajisjet e tilla mund të riparohen apo jo.

“Banka ka licencë për të trajtuar të gjitha këto lloje të produkteve, ku ne mund t’i riparojmë apo riciklojmë ato”, thotë ai.

Ajo që është përfundimisht e prishur dhe nuk mund të riparohet nga hardueri kompjuterik përzgjidhet në dhoma të veçanta dhe pjesët e ndryshme ndahen në mënyrë që ato të mund të riciklohen siç duhet në fazën tjetër.

“I ndajmë të gjithë komponentët dhe kështu fitojmë për të paguar pagat, shpenzimet, qiranë dhe aktivitetet e tjera. Ne kemi një departament të veçantë ku mund t’i bëjmë të gjitha riparimet. Pra, nëse kompjuteri ka nevojë për softuer ose një komponent për t’u zëvendësuar, ne e bëjmë këtu”, thekson Alfonso.

Përqindja e lartë e riciklimit të pajisjeve është prioritet për ta si dhe ideja – parimi udhëzues i bankës ushqimore – që ushqimi të mos përfundojë në ndonjë deponi si bërllok.

Transformimi digjital

“Entrajuda” si një institucion privat, qëllimi kryesor i të cilit është të mbështesë sektorin joqeveritar, i kushton vëmendje të veçantë transformimit digjital të organizatave të shoqërisë civile. Në periudhën e kaluar janë krijuar tre faqe interneti që ndihmojnë drejtpërdrejt organizatat në funksionimin e bankave ushqimore dhe joushqimore.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

Gjatë pandemisë së kovid-19 në Portugali, u krijua faqja RededeEmergenciaAlimentar, për personat që kishin nevojë për ndihmë në furnizimin me produkte ushqimore, duke marrë parasysh faktin se gjatë kësaj periudhe një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë nuk funksionoi normalisht dhe një numër i madh qytetarësh në  Portugali u përballën me probleme financiare. Në mënyrë anonime të garantuar, në këtë faqe çdo qytetar mund të aplikojë për ndihmë, por edhe të dhurojë, të regjistrohet si vullnetar në rrjetin e bankave të organizuara ushqimore në Portugali.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

Për të mbështetur vullnetarizmin dhe për krijimin e rrjetit të vullnetarëve dhe shkollave ​​me kompanitë dhe organizatat që kanë nevojë për vullnetarë, u krijua platforma online BolsadoVoluntarido, ku mund të kërkohen lehtësisht mundësitë për punë vullnetare dhe të shprehet interesi nga individë për të kryer aktivitete të caktuara vullnetare. Është një lloj tregu virtual për të dyja palët.

Menjëherë pas fillimit të agresionit ushtarak kundër Ukrainës më 24 shkurt, u krijua platforma në internet WeHelpUkraine, e cila përfaqëson një pikë takimi virtuale për ato subjekte portugeze të interesuara për të ndihmuar me strehim, punë dhe shërbime shëndetësore për banorët e Ukrainës të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe duan të largohen nga vendi.

Dhe në kuadër të transformimit digjital, “Entrajuda” po përpiqet të vendosë një urë midis atyre që duan të japin dhe atyre që duhet të marrin, pra të krijojë një zinxhir solidariteti, ku vullnetarët, partnerët dhe dashamirët të kombinojnë përpjekjet për të përmirësuar funksionimin e institucioneve të solidaritetit social.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button