Oda Ekonomike e Maqedonisë: Qeveria të gjejë zgjidhje për çmimin e energjisë elektrike, nëse kjo nuk ndodh, shumë kompani do të mbyllen

Në këtë moment nuk ka problem më të madh për ekonominë maqedonase sesa çmimi i energjisë elektrike. Qeveria duhet të gjejë zgjidhje të balancuara që do t’i mundësojnë sektorit të biznesit të mbijetojë. Nëse kjo nuk ndodh, shumë kompani do të mbyllen dhe shumë vende pune do të humbasin. Nëse njerëzit mbeten pa rrogë, nuk do të mund t’i paguajnë faturat, sado që të subvencionohen nga Qeveria, njoftoi sot Oda ekonomike, transmeton Portalb.mk.

Sipas Odës, nevojitet reagim i menjëhershëm sepse koha po kalon, ndërsa rreziqet po shtohen. Oda pret që propozimet e saj të shqyrtohen nga Qeveria këtë javë dhe të pranohen.

“Para meje kam të dhëna specifike për faturën e energjisë elektrike të një kompanie që është anëtare e odës. Edhe pse në korrik të këtij viti kompania ka shfrytëzuar më pak energji elektrike se korriku i vitit të kaluar, fatura e saj e energjisë elektrike këtë vit është pothuajse gjashtë herë më e lartë se në korrik të vitit të kaluar. Vitin e kaluar për korrikun ajo ka paguar rreth një milion denarë, ndërsa këtë vit gjithsej gjashtë milionë denarë. Cili sektor biznesi do ta durojë këtë dhe deri kur?”, tha nënkryetari i Odës, Zoran Jovanovski.

Duke u thirrur në të dhënat e Regjistrit qendror, ai theksoi se në vitin 2021 janë fshirë 6.995 persona juridikë nga regjistri tregtar dhe i personave tjerë juridikë, ndërsa në vitin 2022 sipas të dhënave të publikuara aktualisht janë fshirë 5.324 persona juridikë.

“Me këtë dinamikë fshirjeje, këtë vit do të fshihen më shumë persona juridikë sesa vitin e kaluar. Me këto çmime të energjisë elektrike, edhe sa kompani të tjera do të vënë drynin në derë në periudhën që pason? Qeveria duhet të pranojë sa më shpejt propozimet e Odës. Çmimi i energjisë elektrike është çështja më e rëndësishme ekonomike dhe aktualisht një çështje për mbijetesën e sektorit afarist maqedonas. Për këtë arsye presim që Qeveria t’i pranojë sa më shpejt propozimet e publikuara në disa raste nga Oda ekonomike dhe të ndërmarrë hapa për zbatimin e tyre. Komunikimi me Qeverinë ekziston, por sipas njohurive tona do të diskutohen këtë javë. Shpresojmë se do të pajtohen me ne për seriozitetin e problemit”, theksoi Jovanovski.

Ai po ashtu kujtoi se çështja e çmimit të energjisë elektrike nuk është aktuale vetëm tani, por është e rëndësishme edhe për të ardhmen. Sipas të dhënave të disponueshme, megjithatë, nga burime të ndryshme, çmimi i energjisë elektrike për kompanitë në të gjitha vendet e tjera të rajonit është më i ulët se i yni, ndërsa kjo i bën kompanitë tona jokonkurruese. Prandaj, çmimi i energjisë elektrike nuk është vetëm çështje aktuale, por edhe çështje e konkurrencës afatgjatë.

“Çmimi i energjisë elektrike në të gjitha vendet e tjera të rajonit është më i ulët se i yni, prandaj kompanitë tona janë jokonkurruese ndaj çmimeve”, tha nënkryetari i Odës.

Në pyetjet e gazetarëve për masat e kursimit të energjisë elektrike të ndërmarra nga Qeveria, të cilat përfshijnë edhe ekonominë, ai u përgjigj se askush nuk ka nevojë t’u thotë kompanive se duhet të kursejnë.

“Është në interesin e tyre që të ulin shpenzimet në minimum dhe këtë po e bëjnë të gjithë”, tha shkurt Jovanovski.

Në konferencën për media, ai edhe një herë tha se janë instaluar ose janë duke u instaluar 40-45 megavat fotovoltaikë dhe janë ende në pritje të kyçjes në rrjet.

“Ekziston mundësia që prodhimi vendor të rritet dhe biznesi të investojë në të, por duhet të hiqen pengesat administrative”, nënvizoi Jovanovski.

Ndryshe, në fund të korrikut të këtij viti, drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Vasko Kovaçevski në takim me OEMV, tha se çdo sasi e energjisë elektrike mbi atë që u nevojitet qytetarëve do të mund ” që përmes një modeli të caktuar t’i ofrohet ekonomisë vendase”.

Sipas drejtorit të EMV-së, prioritet është sigurimi i energjisë elektrike për qytetarët, por edhe obligimet e marra për mbulimin e humbjeve në rrjetin e MEPSO-s dhe EVN Elektrodstribuimi, për çka EMV e rriti planin e prodhimit për vitin 2022 për 20 për qind.

“Në mbledhjen në Odën ekonomike (OEMV) lidhur me furnizimin me energji elektrike të kapaciteteve të mëdha prodhuese në vend, Oda i propozoi Qeverisë masa që do të lehtësonin gjendjen e kompanive sa i përket furnizimit me energji elektrike. Mes tjerash, nga ShA EMV është dërguar thirrje që nëse gjatë periudhës së dimrit kompania prodhon sasi të tepërt të energjisë elektrike, e njëjta të ofrohet në paketë preferenciale për kompanitë vendase që do të harxhojnë sasi të mëdha të rrymës, e që janë në gjendje të vështirë duke pasur parasysh se pritet që energjia elektrike të arrijë çmime edhe më të larta se aktualisht”, njoftoi EVM.

ShA EMV siguron 100% të energjisë që EVN Home u shpërndan amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button