Kaos nën qiell (I)

 Apo më drejt, nënqielli në çrregullim, në rrëmujë (Heaven in Disorder). Është ky titulli i librit të fundit të filozofit slloven Slavoj Žižek, botuar në vitin 2021 nga O/R Books. Vetë titulli, i frymëzuar nga një citat i Maocedunit: “Nën qiellin tonë ka kaos; pra, gjendja është e shkëlqyeshme!” Žižek (l. 1949) është hulumtues në departamentin e Filozofisë të Universitetit të Lubjanës dhe drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck të Shkencave Humane të Universitetit të Londrës, bashkëpunëtor i Kyung Hee Universitetit të Seulit dhe i Universitetit të Nju-Jorkut. Stili idiosinkretik, punimet akademike të popullarizuara, op-eds-ët (editorialet opozitare) nëpër magazina dhe shtjellimi kritik i kulturës së lartë dhe të ulët i kanë dhënë atij famë ndërkombëtare, por kanë shpërfaqur edhe kontroversitetin, kriticizmin dhe audiencën substanciale jashtë akademisë. Në vitin 2012 “Foreign Policy” e vendosi Žižek-un në listën e 100 Mendimtarëve Globalë, duke e quajtur “celebrity thinker” (mendimtar me nam), ndërkohë që është cilësuar edhe si “filozofi më i rrezikshëm në Perëndim”. Nga lista e veprave të tij veçojmë: The Ticklish Subject: The Absent Centre of Political Ontology (Tema gudulisëse: Qendra e munguar e ontologjisë politike, 1999), The Puppet and the Dwarf (Kukulla dhe xhuxhi, 2003), Iraq: The Borrowed Kettle (Iraku, kazani i huazuar, 2004), The Parallax View (Pamje paralakse, 2009), Living in the End Times (Të jetosh në kohët e fundit, 2018), Pandemic!: Covid-19 Shakes the World (Pandemia!: Covid-19 e tund botën, 2020) etj.

Punimet e tij përfshijnë filozofinë kontinentale, psikanalizën, teorinë politike, studimet kulturore, krticizmin e artit, atë të filmit, marksizmin, hegelianizmin dhe teologjinë. Në vitin 1989 publikoi veprën e parë në anglisht, The Sublime Object of Ideology (Objekti sublim i ideologjisë), ku kaloi nga teoria marksiste tradicionale në një analizë më analitike të konceptit të ideologjisë, të bazuar në psikanaliza lakaniane dhe idealizmin hegelian. Veprat e tij morën ngjyra më eklektike dhe politike në vitet 1990, duke bërë analiza kritike të formave të kulturës popullore, segment ky që e bën atë figurë “famëmadhe” të së majtës akademike.

Në veprën që po trajtojmë, Heaven in Disorder thekson se sot globalisht jetojmë në një çregullim apo anarki politike, ekonomike, ekologjike etj., një situatë kjo e konfuzionit kur ne mund të gjejmë gjasa të reja. Në këto kohëra apokaliptike, në “zero times”, ka dy lloje të opiumit: drogërat (50-70 e amerikanëve përdorin lloje të ndyshme të mjeteve qetësuese) dhe populizmi, si mjete të lumturisë së manipuluar. Jemi në fazën kur po arratisemi nga pandemia, kurse forma të tjera të krizave po qendërzohen në skenë: pabarazitë e egra, kataklizmat ekologjike, refugjatët e dëshpëruar, tensionet e një lufte të re të Ftohtë (shembulli i Luftës së Ukrainës) e të ngjashme.

Motivi e vazhdueshëm i kohës tonë është kaosi i pamëshirshëm dhe vulgaritetet e pabesueshme (instrumenti për shtypjen e testikujve të hebrenjve i shpikur nga fashistët;  rasti Cindy Gladue: vrasja e prostitutës indigjene në Kanada nga klienti i saj Bradley Barton, prerja e vaginës me thikë nga ai, dhe nxjerrja pjesës më intime të saj si provë para jurisë, një gjë kjo shokuese – cbc.ca/news). Është koha e manipulimeve të hatashme: e djathta amerikane që del kundër teknologjisë, kundër Silicon Valley, ka shfrytëzuar teknolojinë për promovimin e vet në zgjedhje. Sipas Žižek-ut njerëzit që manipulojnë më së tepërmi me ne janë ata që bëjnë hulumtime mbi lumturinë individuale dhe kolektive. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button