Bombardimet ruse godasin një zonë të banuar pranë centralit bërthamor

Të dielën, më 20 gusht, bombardimet ruse goditën një zonë banimi në rajonin jugor të Mykolaivit, duke plagosur 12 civilë, përfshirë katër fëmijë.

Një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe dhe shtëpi private në qytetin e Voznesenskut u dëmtuan rëndë nga bombardimet që shembën ballkone dhe shpërthyen dritaret, sipas guvernatorit rajonit të Detit të Zi, Vitaliy Kim.

Voznesensku ndodhet rreth 30 kilometra larg centralit bërthamor të Pivdennoukrainsk, i dyti më i madh në Ukrainë. Nuk ka raportime për dëmtime të centralit bërthamor.

Kompania shtetërore Energoatom, e cila menaxhon të katër gjeneratorët e energjisë bërthamore të Ukrainës, e përshkroi sulmin në Voznesensk si “një akt tjetër të terrorizmit bërthamor rus”.

“Është e mundur që kjo raketë të jetë drejtuar posaçërisht në centralin bërthamor të Pivdennoukrainsk, të cilin ushtria ruse u përpoq ta rimarrë në fillim të marsit”, bëri të ditur Energoatom në një deklaratë, transmeton REL.

Zyrtarët rusë nuk iu përgjigjën menjëherë akuzave.

Ukraina u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që të detyrojnë forcat ruse të largohen nga një tjetër central bërthamor, atë të Zaporizhyas, i cili është nën kontrollin rus pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim të thellë për rrezikun e katastrofës në impiantin e Zaporizhyas mes raportimeve për luftime në afërsi të centralit gjatë ditëve të fundit. Si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e impiantit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button