ANALIZË:  Reforma tatimore në RMV – çfarë do të thotë ajo për “xhepat” e qytetarëve?

Nëse e pyesni qeverinë – tatimet nuk do të rriten, por do të zgjerohet baza tatimore, e nëse i pyetni ekonomistët dhe kompanitë – reforma e paralajmëruar tatimore do të sjellë një “barrë” të re mbi kurrizin e sektorit privat. Nëpërmjet këndvështrimeve të ekonomistëve, biznesmenëve, ekspertëve të tatimeve, organizatave joqeveritare, “Portalb”-i do të analizojë se çfarë efekti do të ketë modeli i ri i paralajmëruar i tatimeve – kush do të fitojë e kush do të humbasë me reformat, të cilat do të nisin në faza, ndërsa hapi i parë do të bëhet më 1 janar 2023, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Tatim për kursimtarët…

Një nga propozimet si pjesë e reformës tatimore është futja e tatimit mbi interesin e depozitave të kursimeve , të afatizuara më shumë se një vit.  Sipas ekspertëve, një zgjidhje e tillë është “thikë me dy tehe” në një periudhë kur normat e interesit për kursimet janë minimale, madje ishin edhe negative, që ishte një nga arsyet e ngadalësimit të kursimeve. Tashmë kur bëhen përpjekje të stimulohet kursimi, sidomos në kushtet e inflacionit, po shpallet një masë që mund t’i dekurajojë sërish qytetarët dhe kompanitë t’i mbajnë paratë e tyre në banka.  Ja cilat janë pikëpamjet e ekspertëve në lidhje me këtë tatim të ri të paralajmëruar:

“Taksimi i depozitave të kursimeve do të kontribuojë në mënyrë drastike në demotivimin e qytetarëve, po edhe të kompanive për të kultivuar praktikën e kursimit nëpër banka, e kjo do të nënkuptojë më pak burime financiare likuide dhe të lira për bankat komerciale. Nga ana tjetër, vetë taksimi i depozitave të kursimit do t’i bëjë njerëzit që t’u kthehen zakoneve të vjetra, kur i mbanin paratë nën jastëk, dhe kjo do të thotë motivim për ekonominë gri, pasi pagesat në kesh do të jenë më të larta në krahasim me qëllimet e Bankës Popullore dhe të Ministrisë së Financave, që pagesat të bëhen gjithnjë e më shumë përmes kartelave për pagesë ose në mënyrë elektronike”, thotë Arben Halili, ekonomist.

“Taksimi i planifikuar i interesit nga depozitat e afatizuara mbi një vit do të ketë efekt dekurajues për kursimet e brendshme. Në fakt, kursimi është sigurisht joprofitabil në kushte të inflacionit të lartë, ndërsa taksimi i normave të ulëta të interesit do ta rrisë ndjenjën e qytetarëve se kursimi afatgjatë në bankat vendase nuk është një veprim i mirë”, thotë Pavle Gacov, ekspert tatimor.

“Reforma tatimore po, por në një drejtim tjetër. Tatimi i depozitave të kursimeve do të shkaktojë ulje të kursimeve, gjë që do të shkaktojë ulje të potencialit kreditues të bankave. Edhe pa taksimin e depozitave të kursimeve, kursimet do të bien, për shkak të shkallës së lartë të inflacionit, që i shkrin depozitat. Shkalla e lartë e inflacionit në vendin tonë dhe në Eurozonë ka shkaktuar jo vetëm ulje të kursimeve, por vështirë se qytetarët do të vendosin që kursimet në denarë t’i shndërrojnë në euro. Ata që kanë kursime, me gjasë do të vendosin të blejnë pasuri të patundshme. Në vend të taksimit të kursimeve, me reformat tatimore duhet të bëhet taksimi i fitimeve të bankave sipas metodës së taksimit progresiv. Taksimi i depozitave të kursimeve nuk do të ketë pothuajse asnjë efekt financiar-fiskal, mirëpo do të ketë implikime negative (tërheqje të kursimeve)”, thotë Sami Bislimi, profesor universitar.

Tatimi i gjelbër, shkurtimi i listës së të privilegjuarve me TVSH prej 5%.

Projekt-koncepti për reformën tatimore parashikon edhe shkurtim të listës së produkteve dhe shërbimeve me përqindje preferenciale prej 5% – kjo nënkupton automatikisht rritje të TVSH-së për atë grup produktesh, tatim që paguhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe kompanitë. Tani në listën “preferenciale” gjendet një numër i madh lëndësh të para për prodhimin bujqësor, por edhe produkte si p.sh. disa lloje makinerish, kompjuterët, pajisjet mjekësore, si dhe transporti i pasagjerëve.

Një nga zgjidhjet e propozuara janë ndryshimet tatimore në fushat e akcizës dhe taksimit të gjelbër – që sigurisht do të jenë në kurriz të qytetarëve dhe kompanive. Sipas qeverisë, kjo pjesë e reformës tatimore synon mbrojtjen e mjedisit njerëzor. Taksimi i gjelbër sipas njoftimeve do t’i referohet stimulimit të taksapaguesve për ta ulur ndotjen e mjedisit jetësor. Sipas Strategjisë për Reforma Tatimore kjo do të thotë rritje e koeficientit për taksimin e CO2 – gjegjësisht rritje e tatimit.

Një zgjidhje tjetër e propozuar që do t’i prek qytetarët është – taksimi i fitimeve kapitale.

“Fillimi i aplikimit të taksimit të fitimeve kapitale nga letrat me vlerë dhe aksionet në fondet e investimeve duhet të lidhet me një zgjidhje softuerike sipas të cilës tatimi do të llogaritet, mbahet dhe paguhet nga shtëpitë e ndërmjetësimit dhe shoqëritë për menaxhimin e fondeve të investimit, të cilat në fakt i kanë dy informacionet e nevojshme për formimin e bazës tatimore mbi të cilën zbatohet përqindja tatimore: çmimin e blerjes dhe çmimin e shitjes së HV-së, gjegjësisht aksionit” – thotë eksperti tatimor Gacov.

Në vazhdimet e radhës, “Portalb”i do të analizojë se çfarë do të thotë reforma tatimore në vendosjen e tatimeve për të punësuarit me honorar dhe për kompanitë që i paguajnë ato, nëse reforma do ta arrijë qëllimin e saj – forcimin e ekonomisë duke e luftuar sektorin joformal (gri).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button