Gjykata Evropiane e Auditorëve

Kontrolli financiar dhe menaxhimi i parave është me mjaft rëndësi për BE- në, një synim i hershëm që daton qysh pas Luftës së Dytë Botërore. BE-ja pas themelimit ka krijuar agjencitë e auditit me qëllim të përforcimit të rolit të BE-së në sferën financiare dhe të transparencës. Edhe shtetet anëtare të unionit dhe vendet kandidate kanë një varg obligimesh për të përmirësuar menaxhimin financiar të buxheteve kombëtare. Në rastin specifik, BE-ja ka themeluar “Gjykatën Evropiane të Auditorëve” ose (ECA) në vitin 1977 me seli në Luksemburg. Roli i “Gjykatës Evropiane të Auditorëve” është të kontrollojë fondet e BE-së, të mbledhë dhe t’i shfrytëzojë mjetet financiare në mënyrë të drejtë. Sa i përket formës së organizimit të ECA, anëtarët e Gjykatës emërohen nga Këshilli Evropian (KE), dhe pas një konsultimi me Parlamentin e Evropës (PE), ata gëzojnë një mandat gjashtë vjeçar. Presidenti i ECA gjithashtu ka një mandat prej tre viteve. Secili nga 27 shtetet anëtare të BE-së emëron një përfaqësues të vetin. ECA ka një staf prej 900 anëtarësh.

Duhet nënvizuar se “Gjykata Evropiane e Auditorëve”, si auditor i jashtëm dhe i pavarur, kujdeset për interesat e taksapaguesve të BE-së. ECA nuk ka fuqi ligjore, por auditon hyrjet dhe shpenzimet e BE-së, mbledhjen e tyre, dhe natyrisht shpenzimet në mënyrë korrekteECA po ashtu publikon një raport vjetor për Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së, të cilin parlamenti e analizon para se të vendosë nëse do të miratojë buxhetin e BE-së nga komisioni për vitin vijues dhe të ardhshëm. Gjithashtu, për lexuesit tanë me rëndësi është të theksohet se ECA jep opinionin e saj profesional për politikë-bërësit dhe ligjvënësit e BE-së, se si financat e BE-së duhet të menaxhohen më mirë. Kjo njëherit është një shtytës që zyrtarët të bëhen më të përgjegjshëm ndaj taksapaguesve evropianë. Në kuadër ECA, ka disa drejtori që merren kryesisht me krimin financiarë dhe kanë për detyrë të mbledhin dhe përpunojnë informacione inteligjente –financiare për sigurinë e unionit.

Më tej duhet nënvizuar se shtetet e Ballkanit dhe sidomos vendet kandidate për në BE, duhet të marrin shembull se si BE-ja dhe agjencitë e auditit funksionojnë për të mirën e shteteve dhe të qytetarëve. Në Maqedoninë e Veriut dhe në shtetet fqinjë nuk kemi reforma serioze në auditim dhe çështja e stërgjatur duhet të merret seriozisht nga qeveritë. Nëse do të vazhdohet me praktikat e vjetra, besueshmëria e qytetarëve do të ulet edhe më shumë, dhe nuk do të kemi sistem të shëndoshë financiarë dhe as me pak drejtësi. Rasti i fundit në mes zyrtarit të lartë shtetëror të BDI-së Arafat Muahremi dhe prokurores Vilma Ruskovka, dëshmon qartë edhe për gjendjen e agjencive të auditit dhe sigurisht sistemit të kalbur të drejtësisë e ndikuar nga partitë politike dhe qeveria.

Në fund mund të themi se edhe pse ECA nuk ka fuqi të madhe, prapseprap ka ndikim në disa procese. Kështu së fundi, në muajin korrik, “Gjykata Evropiane e Auditorëve” ka hedhur disa dyshime mbi efektivitetin e të ashtuquajturës “REPowerEU”, e cila synon të largojë shtetet e BE-së nga importet e gazit rus. ECA më tej njoftoi se suksesi apo dështimi i “REPowerEU” do të varet nga shtetet anëtare të BE-së. “REPowerEU” u miratua nga Këshilli Evropian pas sulmit rus të Ukrainës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button