“Fajtor jam, por pak”, marrëveshjet me prokurorinë për pranimin e fajit përfundojnë me petulla dhe dënime me kusht në RMV

Derisa Sasho Mijallkov po e feston me petulla nipin, në një tajming, kur iu shty dënimi me burg për arsye shëndetësore, opinioni mësoi për një marrëveshje tjetër. Ish-kryetari i komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq ka pranuar para prokurorit se në gjykimin për lëndën “Talir” ka dhënë deklaratë të rreme në favor të të pandehurve, ndër të cilët ishte edhe Nikolla Gruevski. Deklarata e tij nuk do të jetë e vlefshme, ndërsa nga prokuroria e Shkupit thonë që nëse e përsërit dëshminë e rreme në sallën e gjyqit, dënimi me burg do t’i aktivizohet, shkruan Telma, transmeton Portalb.mk. Ndërkohë që, vëzhguesit e gjykatës pohojnë se marrëveshjet për pranimin e fajësisë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, por gjyqtarët as nuk kontrollojnë se çfarë është rënë dakord mes prokurorit dhe të akuzuarit dhe as nuk shpjegojnë se si janë arritur dënimet, të cilat publiku i konsideron të buta, shkruan Telma.

Petulla për nipin dhe argëtim me këngë në vesh nga përfaqësuesja kombëtare në Eurovizion, Tamara Todevska. Pikërisht në këtë fundjavë këngëtarja ka publikuar një fotografi të saj me të dënuarin Sasho Mijallkov, ish-drejtor i DSK-së i cili u pajtua me prokurorinë, e pranoi fajësinë dhe i dha rreth 35 milionë euro pasuri për të marrë dënim me tre vjet burg.

Mijallkovi, përndryshe e ka shtyrë vuajtjen e dënimit për çështje shëndetësore, në vend që më 8 gusht, në burgun e Strugës në Teferiç duhet të paraqitet të hënën më 22 gusht. Nga fotot shihet se ai nuk është duke u shëruar.

Dje, nëpërmjet ueb medias Prizma, u mësua edhe për një marrëveshje, të një politikani të profilit të lartë, ish-kryetari i Komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq. Për deklaratë të rremë në gjykimin për lëndën Talir, ai pas marrëveshjes së drejtpërdrejtë me prokurorin, është dënuar me kusht.

Marrëveshjet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, thonë nga koalicioni për gjykim të drejtë, që e vëzhgojnë nëse dhe si zbatohet drejtësia në Maqedoni.

-Pothuajse gjysma e rasteve që i ka vëzhguar Koalicioni për Gjykim të Drejtë kanë përfunduar me marrëveshje dhe pranim të fajësisë. Që do të thotë se, me statistikë, në sistemin gjyqësor ka marrëveshje, tha Darko Avramovski nga “Koalicioni për gjykim të drejtë”.

Problemi, sipas Avramovskit, është se gjyqtarët shumë rrallë ose pothuajse asnjëherë nuk kontrollojnë se si prokurori dhe i akuzuari kanë arritur marrëveshje, as nuk shpjegojnë pse është shqiptuar dënimi, veçanërisht për rastet e profilit të lartë me zyrtarë, të cilat për publikun janë tepër të buta.

– Gjykata i pranon dënimet e dakorduara pa kontrolluar nëse për të arritur marrëveshje është ushtruar presion ndaj të akuzuarit apo nëse dënimet e dakorduara mes prokurorit dhe të pandehurit janë të përshtatshme. Shpesh thuhet se dënimi pas marrëveshjes është ashtu siç është për shkak të pendimit të të akuzuarit ose për shkak se është prind i fëmijëve të mitur dhe është i vetmi që fiton dhe e gjithë kjo duhet të kontrollohet nga një gjyqtar në procedurë paraprake, i cili ka mundësi të shtyjë marrëveshje të tilla ose të paktën t’i shpjegojë në mënyrë adekuate dënimet, shpjegon Avramovski nga “Koalicioni për gjykim të drejtë”.

Marrëveshja e fundit e Todoroviqit, për dëshmi të rreme lidh më 1 korrik, ndërsa gruaja e tij u deklarua fajtore dhe u pajtua për veprën penale të pengimit të drejtësisë në rastin Talir, ku akuzohet edhe Nikolla Gruevski. Ata morën dënime me kusht, ndonëse ligji për ato krime parasheh dënim me burg prej të paktën 4 vjet për Todoroviqin, gjegjësisht nga një deri në dhjetë vjet për gruan e tij.

Nga Prokuroria e Shkupit për TV Thelma sigurojnë se dëshmia e rreme në favor të të pandehurve në Talir nuk do të përdoret në gjykim, ndërsa nëse Todoroviq përsëri jep dëshmi të rreme në sallën e gjyqit, do t’i aktivizohet dënimi me dy vjet burg.

Përveç Mijallkovit dhe Todoroviqit, marrëveshje me prokurorinë kanë bërë edhe Orce Kamçev, i cili është dënuar me një vit burg, Nenad Josifoviq, Zoran Mileski Kiçeec dy herë, por edhe shumë të akuzuar të tjerë në lëndë të PSP-së.

Ministri i Drejtësisë Tupançevski tha se marrëveshjet (deri më tani nuk ka analiza) duhet të analizohen për të përcaktuar nëse dënimet janë të përshtatshme për krimet për të cilat janë lidhur marrëveshjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button