Arijan Ibraim, sërish kryetar i Komunës Qendër Zhupë

Komuna Qendër Zhupë më në fund zgjodhi kryetarin e saj, pasi në zgjedhjet e përsëritura të sotme u sigurua census i nevojshëm i një të tretës së gjithsej elektoratit, shkruan Portalb.mk. Ende nuk dihet sa vota ka marrë sepse ende nuk ka mbaruar numërimi i votave. Deri në ora 18.30 kanë votuar 46.3% e votuesve të regjistruar (3312 votues), njoftoi Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

Arijan Ibraim i propozuar nga Partia Demokratike Turke, ishte i vetmi kandidat për kryetar dhe ky është mandati i tij i tretë. Ai u zgjodh për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2013 dhe u rizgjodh në vitin 2017.

“Në listën elektorale zgjedhore janë regjistruar 7154 persona me të drejtë vote dhe deri në orën 18:30 kanë votuar 3312 ose 46,3 përqind. Censusi i nevojshëm për të shpallur zgjedhjet e suksesshme ishte 2853 votues. Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa probleme”, tha Necip Ilyaz, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor.

Kovaçevski: Në Qendër Zhupë fitoi koalicioni qeveritar, fitoi përparimi dhe zhvillimi

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, sonte ka vizituar qytetarët e Qendrës së Zhupës, pas mbylljes së vendvotimeve.

“Së bashku me qytetarët dua të uroj fitoren e Arijan Ibraimit për kryetar të Komunës Qendër Zhupës. Me vendimin e tyre, qytetarët e Qendrës së Zhupës konfirmuan se e dinë drejtimin e duhur në të cilin duhet të lëvizë komuna dhe shteti. Qytetarët kanë mbështetur kandidatin e koalicionit qeverisës, të propozuar nga TDP, Arijan Ibraim. Të gjitha ato forca destruktive që donin të dështonin zgjedhjet në Qendër Zhupë, u mundën”, tha Kovaçevski në fjalimin e tij.

47 ankesa në Komisionin Shtetëror Zgjedhor

“Në Qendër Zhupë ka pasur 47, janë pranuar 46 është refuzuar 1”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, në konferencë për shtyp.

Ibraimi ka lindur në vitin 1972, arsimin fillor e kreu në Qendrën Zhupë, shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë. Ai u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Shtetëror në Afyon, Republika e Turqisë dhe mori diplomën master në Universitetin e Stambollit, në degën e së drejtës ndërkombëtare. Dy vjet punoi si mësues në vendlindjen e tij, Zhupë, dhe pas disa vitesh punë në Itali, u kthye dhe filloi të angazhohej aktivisht në politikë.

Në zgjedhjet e rregullta lokale të 17 tetorit të vitit të kaluar, si dhe në ato të përsëritura të 17 prillit të këtij viti, kur kishte një kundërshtar, Ibrahimi fitoi rreth 80 për qind të votave, por nuk u sigurua censusi i nevojshëm i zgjedhjeve, për këtë arsye zgjedhjet u përsëritën.

Në zgjedhjet e rregullta lokale të 17 tetorit të vitit të kaluar, u zgjodh Këshilli Komunal me 11 anëtarë, në të cilin Partia Demokratike Turke siguroi pesë, LSDM dhe Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve nga dy ulëse, ndërsa nga një VMRO- DPMNE dhe Partia për Lëvizjen e Turqve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button