Ish-Ambasadori Kirby: Dialogu s’mund të ketë sukses nëse Serbia nuk shkëputet nga Moska

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të enjten Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë dialogun, pasi takimi mes palëve në Bruksel përfundoi pa rezultat. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha të enjten se Uashingtoni, përmes zyrtarëve të lartë në terren dhe atyre në SHBA, po e ndjek me vëmendje dhe përparësi situatën. Por ish-ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby vlerëson se dialogu ka disa probleme të mëdha, pa tejkalimin e të cilave, është vështirë të arrihet një rezultat, transmeton Zëri i Amerikës.

Në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, zoti Kirby tha se një nga problemet kryesore është përqendrimi i Beogradit tek Moska. Ai tha se mundësia më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare është nëse Brukseli iu konfirmon palëve se çmimi i madh që mund të fitojnë është anëtarësimi në BE.

Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby thotë se nuk është i befasuar pse dialogu i të enjtes në Bruksel përfundoi pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ish diplomati amerikan, që shërbeu në Beograd nga viti 2012 deri në vitin 2016, nuk beson se çështjet që nxitën tensionet kohëve të fundit janë problemet kryesore.

Çështja e parë është, a beson Serbia se rruga drejt anëtarësimit në BE është vërtet e hapur? Kjo nuk është e qartë. E dyta, nëse kjo rrugë është e hapur, a dëshiron ende ta ndjekë atë rrugë? Ka ditë që dëgjojmë se po, duan ta ndjekin atë rrugë, por veprimet e tyre nuk e thonë këtë. Këtu duhet të shikoni marrëdhëniet që ka me Rusinë, një lidhje kjo që bien ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian”, tha zoti Kirby duke e komentuar edhe paralajmërimin e ministrit të qeverisë aktuale teknike serbe, Aleksandar Vulin se javën tjetër do të udhëtojë drejt Moskës për vizitë.

“Zoti Vulin gjithmonë ka qenë i orientuar më shumë nga Moska se sa drejt Brukselit. Nëse ai thotë se po niset drejt një destinacioni evropian, unë mendoj që Moska është vendi ku ai kryesisht ka qëllim të shkojë. Unë mendoj se Serbia duhet të merret me atë që mendon se do të ndodhë në Ukrainë, sepse të paktën tani ajo që thuhet në Beograd është shumë e orientuar nga Moska”, thotë zoti Kirby.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut mes të dy vendeve, pas rritjes së tensioneve kohëve të fundit në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button