Bllokimi i fondeve për vendet e BE-së, mësim për vendet jo-anëtare për keqpërdorimin e tyre

Vendet që do të bëhen pjesë e BE-së, duhet të kuptojnë se nuk do të jenë të “plotfuqishme” dhe as që mund t’i keqpërdorin fondet evropiane që të mos veprojnë sipas legjislacionit të BE-së. Për këtë shembull flet më mirë gjendja aktuale midis BE-së dhe Polonisë, së cilës pritet t’i bllokohen fondet për shkak të pakënaqësisë së Brukselit, vlerësojnë ekspertët vendas për Portalb.mk.

Analisti dhe ish-ministri i financave Xhevdet Hajredini, thotë se Polonisë këto presione dhe Hungarisë veçanërisht si anëtarë, BE-ja ua bën se ata nuk u përmbahen standardeve dhe legjislaturës së BE-së. Me këtë BE-ja, nënvizon ai, bën presion direkt ndaj anëtarëve më të saj.

Xhevdet Hajredini, foto: Vançko Xhambaski
Xhevdet Hajredini, foto: Vançko Xhambaski

“Këto që ende nuk janë e që pretendojnë të jenë anëtarë, poashtu duhet ta kenë parasyshë se çka mind t’iu ngjajë edhe pasi të bëhen anëtar nëse nuk i plotësojnë standardet e BE-së. Te vendet e tjera që janë kandidate, edhe tani, edhe deri tani ka pasur fonde të Evropës në dispozicion. IPA, IPARD, për mbështetjen e bujqësisë në vendet kandidate. Edhe deri tash ka pasur probleme të mëdha për shkak të korrupsionit në këta vende, sipas një informate të mediatorit të Marrëveshjes Përzhinës, Peter Vanhaute, 40% e mjeteve që i thithin prej fondeve evropiane, si p.sh Maqedonia, janë keqpërdorur, nuk kanë arritur atje ku duhet, po kjo duhet theksuar se shpesh herë në këto keqpërdorime janë përzier edhe përfaqësues të Komisionit Evropian që janë të angazhuar këtu të kontrollojnë përdorimin e mjeteve të fondeve të Evropës. Kurse masat që merr Komisioni Evropian ndaj vendeve anëtare si Polonia duhet të shërbejë si shembull se keqpërdorimet nuk do lejohen edhe atëherë kur të bëhen anëtarë”, vlerëson Hajredini.

Ai shton se fakti që Maqedonia në korrupsion është në një grup me Etiopinë, me Kolumbinë flet shumë, fakti se vetëm 8% e qytetarëve kanë besim në gjyqësor e Maqedonisë, flet edhe më shumë. Krejt këto janë simptome, shton ai, tregojnë se nuk ekziston motiv dhe qëllim ta aftësojnë shtetin për të thithur mjete nga fonde as tani, as në të ardhmen.

Lidhur me atë nëse ka pasur ndonjëherë bllokim të fondeve nga BE-ja ndaj Maqedonisë, Hajredini thotë se nuk ka pasur, pasi nuk bëhet fjalë për shuma aq të mëdha sa për vendet anëtare.

“Nuk ka pasur, kanë konstatuar përfaqësuesit, deklarativisht, kanë tërhequr vërejtjen se nuk duhen ato gjëra, por masa konkrete të ndalin nuk ka pasur, se këto janë fonde, të cilat u jepen kandidatëve për anëtarësim. Nuk janë të tilla fonde të shumave të mëdha që u takojnë vendeve anëtare, siç ka marrë Bullgaria, bëhet fjalë për miliarda. Po edhe atje keqpërdorimet janë të pranishme”, tha Hajredini.

Nga ana tjetër, Andreja Stojkovski nga Instituti i Prespës, nënvizon se sundimi i ligjit është çështje horizontale dhe vlerë themelore e Bashkimit Evropian, ndërsa Komisioni Evropian është përpjekur për një kohë të gjatë të gjejë mekanizëm për të mbrojtur shtetin e së drejtës dhe një prej tyre është bllokimi i fondeve. Megjithatë, shton ai, fondet për të cilat flitet së fundmi janë për rimëkëmbje nga pandemia dhe nuk kanë të bëjnë me Maqedoninl apo ndonjë shtet tjetër.

Andreja Stojkovski,

“Vendet kryesore që u përmendën ishin Polonia dhe Hungaria, por ka edhe shtete të tjera anëtare. Prandaj, vendimi për bllokimin e fondeve nuk duhet të jetë befasi, veçanërisht pasi Polonia ka një histori të gjatë ose të gjerë të shkeljeve të shtetit të së drejtës. Sidoqoftë, bëhet fjalë për fonde nga National Recovery Fund (Fondi Kombëtar i Rimëkëmbjes), i cili duhet të ndihmojë shtetet anëtare të përballen me pasojat e pandemisë. Nisur nga kjo, kjo nuk ka të bëjë me Maqedoninë apo ndonjë vend tjetër nga procesi i zgjerimit”, vlerëson Stojkovski.

Por, Stojkovski thotë, se kjo nuk do të thotë se nuk ekziston mundësia e ndërprerjes së mjeteve për Maqedoninë, pasi ato i nënshtrohen kushtëzimit.

“Ajo që nuk duhet të harrojmë është se qasja në fonde për Maqedoninë dhe vendet e procesit të anëtarësimit sigurisht që i nënshtrohet kushtëzimit dhe është shumë e thjeshtë edhe ndërprerja e tyre”, thotë Stojkovski.

Ndryshe, më shumë se 35 miliardë euro grante dhe kredi për rikuperim nga kovid-19 u pezulluan për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi reformat në gjyqësorin në Poloni, për të cilat ekzekutivi i BE thotë se përmbysin standardet demokratike.

Kujtojmë se në fund të korrikut të vitit 2022, Bashkimi Evropian i miratoi projektet e para për zbatimin e planit ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës Maqedonia e Veriut ka aplikuar me katër projekte investuese dhe ka marrë ndihmë për çdonjërin prej tyre në vlerë të përgjithshme prej 225,6 milionë euro. 

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Tani, Maqedonia e Veriut së shpejti duhet të fillojë “skriningun”, proces nëpër të cilin kalon çdo vend që aspiron integrimin në BE.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button