Mbi lakminë tonë për para

Ndër autorët e huaj që kanë shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët bën pjesë dhe etnografi, gjeologu, albanologu dhe paleontologu hungarez Baron Franc Nopça (1877-1933), i cili ka qëndruar dhe ka vizituar shpesh trojet tona nga viti 1903-1922. Udhëtimet e tij, veçmas ato në veri të Shqipërisë, ai i përshkroi në artikuj dhe vepra, që u bënë të njohura për publikun tonë pas vitit 2012, kur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë u ekspozuan shtatë ditarët e tij, të blerë nga Mit’hat Frashëri, por të konfiskuar më pas nga regjimi monist.

Falë të dhënave interesante etnografike dhe jo vetëm, që Nopça mblodhi me pedanterinë e një studiuesi të vërtetë, ne sot dimë shumë gjëra për të shkuarën tonë, për trojet tona, për tiparet racore, për fiset e malësisë, për të drejtat zakonore, për traditat, ndërtimet, orenditë, enët, mjetet e punës, veshjet, ushqimet, besimet, virtytet, veset dhe mangësitë, hakmarrjen, kryeneçësinë, ambicjet, nderin, besën dhe shumë të dhëna të tjera mbi trashëgiminë tonë shpirtërore e materiale.

Interes të veçantë zgjon libri “Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre”, i përkthyer nga Mihallaq Zallari dhe i botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, 2013. Është fjala për një vepër voluminoze me mbi 500 faqe, të cilën Nopça e fillon me karakterin e shqiptarëve. Kështu, pasi thekson se karakteri jonë ka dritëhije si karakteri i çdo kombi tjetër; pasi sjell një mori të dhënash të autorëve joshqiptarë për karaterin e të parëve tanë; pasi përmend të dhënën se për karakterin e shqiptarëve kanë shkruar dhe armiqtë tanë (kryesisht serbët e grekët), duke shpërdoruar të vërtetat për qëllime politike; pasi e pranon se për të shkruar me kompetencë shkencëtari për tiparet racore të një etnie duhet të jetosh një kohë në mesin e njerëzve të saj, të njohish gjuhën, kulturën, të tashmen, historinë dhe etnipsokologjinë e tyre…, Nopça i futet portretimit gati të tërësishëm të shqiptarit të Malësisë së veriut, në të cilin, shohim me sytë dashamirës të “tjetrit”, jo vetëm stërgjyshërit, po dhe shqiptarët e kohës sonë.

Megjithatë, në pamundësi për t‘u ndalur më gjatë në detajet e veprës në fjalë, po sjell një të dhënë interesante mbi lakminë e shqiparëve për para. Sipas autorit: e para gjë që u bie në sy të huajve në Shqipëri është lakmia për të holla. Këtë shqiptarët as nuk e fshehin. Në shekujt e mëparshëm kjo cilësi nuk ka qenë fort e zhvilluar, por kohët e fundit është shtuar shumë në kontaktin me të huaj më të pasur dhe më të kulturuar.

Për ta agumentuar këtë, ai i referohet një të huaji tjetër, i cili me një rast kishte biseduar me disa malësorë të Thethit për të gjetur një udheheqës të zot për në Guci, me çka shkaktoi një zënkë mes tyre që gati përfundoi me vrasje ndërvëllazërore. Më pas Nopça shpalos përvojën e tij me shqiparët të cilët e kanë shoqëruar. Ai thotë se ata vërtet janë lakmues të mëdhenj parashë, po njëkohësisht janë dhe dhurues lëmoshash për më skamnorët se vetvetja.

Ajo që më tërhoqi vëmendjen në veçati është konstatimi i autorit se lakmia për para është më e theksuar te klerikët, te shqiptarët e shkolluar dhe te politikanët, që për të holla bëhen edhe shërbëtorë dhe masha të armiqve të kombit. Në këtë kontekst Frnc Nopça radhit emra konkretë figurash historike, si puna e Esad Pashë Toptanit, po dhe disa të tjerëve që ne i njohim ndryshe…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button