RMV, bankat kanë bërë “përshesh” me komisione

Komision për mirëmbajtjen e një llogarie transaksioni, kosto të larta vjetore për tejkalim të lejuar të njëhershëm të shpenzimeve, komisione për çdo transaksion, për shërbime bankare elektronike, për lëshimin e ekstrakteve, për mbylljen e një llogarie – këto janë vetëm një pjesë e shpenzimeve që bankat ua ngarkojnë klientëve të tyre. Ndërsa për interesat ka përqindje, të cilat bien në sy në shikim të parë, shpenzimet e ndryshme për të cilat bankat arkëtojnë shkojnë në miliona të ardhura dhe i konkurrojnë shumë mirë parave që i mbledhin nga interesi, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.

Me rritjen e kreditimit dhe vëllimit të punës së bankave, është normale që kostot dhe komisionet e tyre të rriten. Në qershor të këtij viti, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, totali i kredive ka shënuar rritje prej 10 për qind. Por nëse analizohen raportet 6-mujore të bankave, vihet re se disa banka vetëm nga tarifat dhe komisionet mbledhin një shumë parash që është edhe më shumë se gjysma e parave që mblidhen nga interesi. Për këtë proporcion, jo shumë kohë më parë, kishte një rregull të pashkruar të vjetër se: shuma e komisioneve duhet të jetë sa një e treta e shumës së arkëtuar nga interesi.

Tri bankat më të mëdha tashmë i kanë publikuar pasqyrat e tyre financiare gjashtëmujore të pa audituara në Bursën e Maqedonisë. Me asete prej 2,4 miliardë euro, më 30 qershor 2022, Banka Komerciale është më e madhja. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, kjo bankë ka realizuar të hyra nga interesi në shumën totale prej 24,3 milionë euro, ndërsa për komisione dhe tarifa të tjera ka arkëtuar 13,7 milionë euro. Fitimi i bankës më 30 qershor 2022, para tatimit, është 18,4 milionë euro. Vitin e kaluar, banka e mbylli gjysmën e parë të vitit me një fitim prej 13,5 milionë euro.

Stopanska Banka është e dyta për nga madhësia, me asete që më 30 qershor 2022 kanë qenë 1,9 miliardë euro. Banka ka realizuar nga interesi të ardhura totale prej 34,1 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga komisionet dhe tarifat kanë qenë 11,95 milionë euro, duke ruajtur kështu rregullën e pashkruar të proporcionit të parasë 1:3. Stopanska Banka, në gjysmën e parë të vitit para tatimit, ka fitim prej 26,5 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimi i saj ishte 19,8 milionë euro.

NLB Banka, si banka e tretë më e madhe, në fund të gjashtëmujorit të parë, ka asete prej 1,7 miliardë euro. Të hyrat nga interesi më 30 qershor të këtij viti ishin 27,2 milionë euro, ndërsa të hyrat nga komisionet dhe tarifat ishin 17,9 milionë euro. Më 30 qershor, NLB Banka para tatimit ka shënuar fitim prej 25,2 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar fitimi i saj gjashtëmujor ka qenë 20,4 milionë euro.

Komisionet e larta që i “ngrenë” të ardhurat, njëkohësisht edhe fitimet e bankave, janë temë e shpeshtë në opinion dhe bankierët janë pyetur shumë herë se si e formojnë çmimin e komisioneve dhe tarifave. Sipas NLB, “parametrat hyrës gjatë krijimit të komisioneve dhe tarifave janë kostot reale që banka i ka për të ofruar shërbimin për të cilin e arkëton një tarifë”.

Nga Banka Komerciale thonë se “rregullisht i monitorojnë lëvizjet e tregut dhe ekonomisë së vendit dhe në bazë të burimeve që i përdorin në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e produkteve dhe shërbimeve që i ofrojnë, vendosin për shumat e komisioneve dhe tarifave në operacionet bankare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button