Çfarë do të ndryshonte saktësisht në tekstet shkollore në Maqedoninë e Veriut?

Rekomandimet për ndryshimin e teksteve në Maqedoni dhe Bullgari përmbahen në pesë pika, raporton Portalb.mk. Nxënësit, të cilët pas dy vitesh do të jenë në klasën e gjashtë në Maqedoni dhe të pestën në Bullgari, duhet të mësojnë sipas rekomandimeve që deri tani i ka miratuar komisioni i përbashkët Maqedoni-Bullgari për çështje historike dhe arsimore.

Këto janë vitet shkollore kur në të dy vendet historia fillon të mësohet si lëndë e veçantë. Tekstet shkollore fillojnë me përmbajtje për njohjen e temës dhe vazhdojnë me tema që kanë të bëjnë me qytetërimet e lashta dhe antikitetin.

Koha kur gjithçka për të cilën është arritur pëlqim, gjatë katër viteve të punës së komisionit të përbashkët, do të hyjë në sistemin arsimor, përcaktohet në protokollin e nënshkruar nga Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve. Aty thuhet se kjo duhet të ndodhë deri në vitin shkollor 2024-2025.

Anëtarët e komisionit, pas katër vitesh punë, arritën të përfundojnë periudhën e lashtësisë dhe të konkludojnë se në librat e të dy vendeve ka “sugjerime të pabaza historiografike për historinë antike, mangësi në gjeografinë historike dhe pasaktësi faktike”.

Këto rekomandime janë miratuar qysh në vitin 2019, por nuk janë publikuar deri më tani. Tani historianët po punojnë në periudhën e Mesjetës.

Ndonëse janë rekomandime për periudhën e antikës, periudhë që përgjithësisht nuk konsiderohet kontestuese mes dy vendeve, në opinion ka shkaktuar reagime se tekstet shkollore po ndryshojnë nën diktatin e Bullgarisë dhe se po e cenojnë indin kombëtare.

Cilat janë ndryshimet për nxënësit e klasës së gjashtë në Maqedoni?

Në faqen e internetit e-ucebnici.mon.gov.mk, që është faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit, në dispozicion është një tekst shkollor i Historisë për klasën e gjashtë. Është botuar në vitin 2011 dhe profesorët e historisë konfirmojnë se është teksti më i përdorur shkollor.

Në të janë përfshirë periudhat e përmendura në rekomandimet e komisionit.

Janë pesë rekomandime. I pari është që të ketë përfaqësim më të madh të problematikës që ka të bëjë me Thrakinë e lashtë dhe thrakasit, për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore-historike në këtë rajon.

Në atë tekst Thrakia përmendet një herë edhe atë në formë pyetëse – a e dini se Spartaku ishte nga Thrakia? Thrakasit, nga ana tjetër, përmenden pesë herë, në kontekstin e marrëdhënieve të tyre me ilirët, romakët dhe Maqedoninë antike të Filipit II.

Për krahasim, ilirët në të njëjtin tekst përmenden shtatëdhjetë herë, romakët gjashtëdhjetë herë, helenët rreth pesëdhjetë herë. Për kulturën dhe mënyrën e jetesës tyre janë shkruar popuj të tjerë të asaj kohe, për dallim nga trakasit, kultura e hershme antike e të cilëve shtrihej kryesisht në territorin e Bullgarisë së sotme.

Rekomandimi i dytë i referohet sugjerimeve për vazhdimësinë mes Maqedonisë antike dhe Maqedonisë si shtet modern, të cilat “përmbajnë anakronizëm historik”. Në tekstin shkollor për klasën e gjashtë një pjesë e madhe i kushtohet zhvillimit të “shtetit maqedonas”.

“Themelues i shtetit maqedonas konsiderohet Mbreti Perdika I, i cili sundoi në fund të shekullit VIII dhe në fillim të shekullit VII para epokës sonë”, thuhet në tekstin shkollor.

Më pas ndiqet vazhdimësia e shtetit maqedonas, por nga mënyra se si janë shkruar mësimet nuk dallohet qartë se është një shtet antik që nuk lidhet drejtpërdrejt me shtetin e sotëm modern Maqedonia.

Për të njëjtën periudhë, në rekomandime theksohet gjithashtu se hartat historike të shtetit të lashtë maqedonas do të jenë më të sakta nëse i përgjigjen një periudhe të caktuar kohore. Në tekstin aktual në harta thuhet vetëm se bëhet fjalë për Maqedoninë e shekullit të vjetër pa dhënë detaje plotësuese.

Lidhur me apostullin Pal (Pavle), historianët nga komisioni i përbashkët rekomandojnë se “janë të pabaza sugjerimet për vazhdimësinë institucionale ndërmjet misionit të apostullit dhe strukturave kishtare mesjetare që ekzistonin në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Në tekstin për klasën e gjashtë shkruhet se “pasi ka përfituar shumë ndjekës, apostulli Pal ka themeluar komuna (bashki) të krishtera, të cilat ishin bashkësitë e para të krishtera në Maqedoni, por edhe në Evropë”.

Nuk ka asnjë formulim që sugjeron vazhdimësi institucionale, por burime nga komisioni, për BIRN, saktësojnë se ky rekomandim është përafruar mbi bazën e një analize të dy teksteve shkollore.

Bëhet fjalë për tekstin shkollor për klasën e shtatë, konkretisht mësimin e Kryepeshkopatës së Ohrit. Aty thuhet se “kisha maqedonase i ka rrënjët në periudhën e hershme të krishterimit”.

“Apostulli Pal me komunat e para të krishtera në Maqedoni i ka vendosur themelet e kishës maqedonase”, thuhet në tekstin shkollor.

Rekomandimi i pestë është i ngjashëm edhe për tekstet shkollore të Maqedonisë edhe ato të Bullgarisë. Në të, komisioni thekson se me rastin e paraqitjes së disa bashkësive antike, duhet të merren parasysh tezat kryesore në historiografi për karakteristikat e tyre etnokulturore (si paionët, dardanët, migdonët).

Ndryshimi i rekomandimit për tekstin shkollor të Maqedonisë dhe atij të Bullgarisë është se si shembull në librat e fqinjit lindor përmenden vetëm dardanët.

Çfarë do të mësojnë nxënësit bullgarë të klasës së pestë?

Në të njëjtën kohë, në tekstet bullgare janë paraparë gjithsej pesë ndryshime. I pari prej tyre është përfshirja e kontekstit më të gjerë rajonal, veçanërisht të territoreve në perëndim të Thrakisë së lashtë.

Në dy tekstet shkollore bullgare prej të cilëve mësojnë nxënësit e klasës së pestë atje, e në të cilat BIRN ka akses, në fakt nuk përmendet pothuajse asgjë për ilirët, pajonët, dardanët dhe as për popujt e tjerë që jetonin në perëndim të tyre, gjegjësisht në territoret e Maqedonisë së sotme, Shqipërisë dhe republikat e tjera ish-jugosllave.

Në rekomandime, për saktësi më të madhe terminologjike, termat si “tokat e sotme bullgare” ose “territori i Bullgarisë moderne” duhet të jenë më të përshtatshëm për t’u përdorur në kontekstin e historisë antike, në vend të shprehjes “tokat bullgare”.

Në historiografinë bullgare, ky term përdoret për të gjitha periudhat kohore në të cilat Bullgaria ka qenë në territore të caktuara që sot janë nën shtete të tjera, pa specifikuar se në cilën periudhë historike ka ndodhur.

Për tekstet shkollore bullgare, komisioni rekomandon përcaktim më të kujdesshëm të datave të shfaqjes së kulturës thrakase në antikitet.

Për hartat historike ekziston pothuajse e njëjta vërejtje si për tekstet e Maqedonisë, gjegjësisht se ato duhet të përdoren në përputhje me kontekstin historik dhe qëllimet e përcaktuara metodologjike.

Bullgaria ishte kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Ndërkohë më 19 korrik të këtij viti, Bullgaria tërhoqi veton dhe pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button