QKC: Transparenca aktive e institucioneve është përmirësuar sivjet

Transparenca mesatare aktive e institucioneve, në vitin 2022, është përmirësuar me 10 pikë përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar, tregon renditja e rregullt vjetore e Qeverisë, ministrive dhe komunave sipas Indeksit për transparencë aktive, përkatësisht sipas shpalljes proaktive të informacioneve publike. Në këtë renditje janë përfshirë 98 institucione nga vendi, gjegjësisht Qeveria, të gjitha ministritë dhe të gjitha komunat, njofton Qendra për Komunikime Civile (QKC).

Mesatarja e transparencës aktive të ministrive, qeverisë dhe komunave për vitin 2022 është 73 për qind e maksimumit të mundshëm prej 100 për qind. Transparencën aktive këtë vit e kanë përmirësuar 81 për qind e institucioneve.

Transparenca aktive e ministrive dhe e qeverisë është 85 për qind, ndërsa e komunave është 70 për qind. Ndryshe nga viti i kaluar, ministritë janë përmirësuar me 6 pikë përqindjeje, kurse komunat me 10.

Dy institucione: Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria kanë nga maksimum 100 për qind, përkatësisht i publikojnë të gjitha informacionet e parapara me transparencën aktive. Tri komuna janë në pozitën e tretë me përmbushje të lartë, prej 97 për qind, të obligimeve për publikimin e informatave sipas transparencës aktive. Liderë në mesin e komunave: Manastiri, Vallandova dhe Karposhi”, thuhet në njoftimin e QKC-së.

Ndër rajonet, në sferën e transparencës aktive, në vendin e parë ka dalë rajoni Juglindor (me 84 për qind transparencë aktive), ndërsa Rajoni i Shkupit mbetet në vendin e fundit (me 56 për qind transparencë aktive).

Edhe ministritë edhe komunat më së paku informacione publikojnë për financat, edhe atë komunat ndajnë vetëm 56 për qind nga 100 për qind të asaj që mundet, ndërsa ministritë ndajnë 82 për qind nga 100 për qind të mundshme.

Kërkesave për qasje të lirë në informata publike komunat këtë vit u janë përgjigjur mesatarisht për 12 ditë, ndërsa vitin e kaluar përgjigjet i kanë dërguar mesatarisht për 17 ditë. Ashtu si vitin e kaluar, edhe sivjet ministritë u janë përgjigjur kërkesave për 16 ditë. Në të njëjtën kohë, 93 për qind e institucioneve janë përgjigjur brenda afatit maksimal ligjor prej 20 ditësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button