fbpx

Bruksel, përfundoi rundi i parë i takimit trepalësh mes Kurtit dhe Vuçiqit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

Në Bruksel ka përfunduar rundi i parë i takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, shkruan REL.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë, në Bruksel janë duke u mbajtur takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Borrell pret fleksibilitet nga Kosova dhe Serbia

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më herët gjatë 18 gushtit tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, teksa palët po takohen në Bruksel në rundin e ri të dialogut.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

Ky reagim i tij erdhi pasi ai zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u pasua me takimin trepalësh.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq tha se ka shpresë se do të arrihet ndonjë zgjidhje, por shtoi se është “skeptik”.

Pas këtij takimit trepalësh, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.

Vuçiq thërret në takim përfaqësuesit e serbëve nga Kosova

Teksa në Bruksel po mbahen takime në kuadër të dialogut, Vuçiq ka thirrur një me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën, më 21 gusht, në Beograd, raportojnë mediat beogradase.

Portali N1 shkruan se në këtë takim janë ftuar përfaqësues të Listës Serbe, kryetarë komunash dhe drejtorë të spitaleve në zonat në Kosovë të banuara me shumicë serbe.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe, më 18 gusht janë parë disa grafite me porosinë “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Ne po presim!”. Këto grafite janë nënshkruar nga “Brigada e Veriut”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button