Kriza dhe konsumatorizmi i shfrenuar

Ne të lindurit në vitet 1980 e njohim mirë fjalën “krizë”. Ne jemi gjenerata e “tranzicionit” të cilët gjatë gjithë fëmijërisë dhe një pjese të mirë të rinisë së tyre u ballafaquam me kriza të ndryshme. Nga shpërbërja e një shtetit, përmes luftërave të viteve 1990, trazirave që pasuan pas konfliktit të vitit 2001, kaluam nga një krizë te tjetra, pa pushim. Tani, kur jemi në moshën tonë të mesme, me më shumë se dyzet vjet të jetuara në lakoret e ndryshme në të cilat ka kaluar ky shtet, krizat jo që u pakësuan por u intensifikuan, dhe ç’është më e keqja, filluan t’i përfshinë edhe pasardhësit tanë.

Fëmijët tanë kanë më shumë se dy vite që përballen me pasojat e Covid-19 dhe çrregullimet që i solli kjo epidemi në nivel botëror. Sikur të mos mjaftonte kjo, që në fillim të këtij viti jemi të gjithë viktima indirekte të luftës së Rusisë në Ukrainë, si pasojë e së cilës ekonomia globale u çrregullua aq shumë sa që kemi nivele absurde të inflacionit dhe krizë të paparë energjetike me çmime marramendëse të energjisë elektrike.

Në këto kohëra të çuditshme, ajo që habit më së shumti janë disa veprime të njeriut që ngjajnë me veprimet e strucit kur e sheh veten në rrezik. Kur struci ndihet në rrezik e zgjidh problemin duke e injoruar realitetin dhe duke e futur kokën në zall prej ku nuk e sheh atë që ndodh përreth tij. Jam e sigurt që ky veprim është shumë qetësues për strucin, por kjo nuk do të thotë se rreziku është eliminuar, vetëm do të thotë se struci ka vendosur të mos e shohë atë.

Dhe ja ku jemi edhe ne në realitetin të cilin mundohemi ta eliminojmë me veprimet tona të cilat origjinën e kanë tek konsumatorizmi i shfrenuar që na është futur në gjak e nga i cili vështirë se do të mund të shpëtojmë si shoqëri, pavarësisht me sa kriza do të përballemi gjatë jetës sonë.

Sot në qendrën më të madhe tregtare në Shkup hapet shitorja e re e brendit H&M. Për ata që duan të dinë më shumë për atë që quhet modë e shpejtë (Fast Fashion) e rekomandoj dokumentarin me titull “The True Cost”. Rradha për t’u futur në shitoren që sot për here të pare hapet në këtë shtet ka filluar të bëhet që në orët e hershme të mëngjesit. Ka fotografi ku mund të shihet që me qindra, ndoshta edhe mijëra njerëz po presin t’i qasen shitores që premton tesha të bukura me çmime të lira dhe shumë shpërblime për vizitorët e parë në këtë hapje solemne. Jam e sigurt që asnjërit prej atyre që presin në rradhë nuk i duhet sot asgjë prej shitores ku ka vendosur të presë me orë të tëra në rradhë për ta vizituar. Por konsumatorizmi modern na mëson se ne medoemos duhet të blejmë gjëra edhe kur nuk na duhen, veçanërisht kur janë në lirim. Ne duhet të kemi sa më shumë, sepse më shumë është më mirë. Ne duhet te kemi gjëra me tepricë sepse teprica na bën të lumtur.

E në fakt të gjitha studimet tregojnë që teprica nuk na bën aspak të lumtur, përkundrazi, na krijon ankth dhe gjendje depresive që duhet ta mbulojmë me një tepricë tjetër, me sende të tjera, me sende të cilave në fund të ditës nuk arrijmë t’u gjejmë vendin e duhur në shtëpitë tona të stërngarkuara me gjëra. Ashtu siç thonë minimalistët (www.theminimalists.com), qëllimi që është ngulitur në kokat tona me anë të një marketingu shumë mirë të strukturuar dhe nga një ekonomi e bazuar në konsumatorizëm të pakontrolluar është të blejmë gjëra që nuk na duhen me para të cilat nuk i kemi për t’u bërë përshtypje njerëzve të cilët nuk i pëlqejmë. Çfarë mënyre e kotë për ta kaluar jetën.

Gjatë të gjitha atyre krizave që i kemi kaluar si gjeneratë, jam e sigurt që asnjëri prej nesh nuk mban mend se çfarë kishte veshur, çfarë buzëkuqi kishte vënë ose çfarë ore dore kishte pasur në ndonjë moment me rëndësi të jetës. Përskaj të gjitha krizave që i kemi përjetuar kemi arritur të krijojmë momente të paharruara me familjen, shoqërinë dhe më të dashurit tanë. Ato momente i mbajmë mend gjithmonë, e jo gjërat që i kemi blerë, shumicën e të cilave as nuk i kemi më.

Minimalistët Joshua Fields Millburn dhe Ryan Nikodemus kanë shkruar një libër të mrekullueshëm me titull “Duaji njerëzit dhe përdori sendet, sepse e kundërta asnjëherë nuk ka sukses (Love people use things, because the opposite never works)”. Do t’ua kisha sugjeruar ta lexojnë ata që kishin vendosur sot në mëngjes disa orë të mira dhe të pakthyeshme të jetës së tyre t’i kalojnë në rradhë për të hyrë në H&M. Gjatë orëve që kanë pritur do të kishin lexuar një pjesë të mirë të librit. Po ta kishin lexuar këtë libër do ta linin rradhën edhe sikur të kishin arritur te dera e shitores.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button