Prioritetet dhe zotimet e Aleancës për Shqiptarët për zgjedhjet në Tetovë, flet bartësi i listës Abdulla Osmani (VIDEO)

Banorët e Komunës së Tetovës të shtunën do të votojnë për përbërjen e re të Këshillin Komunal. Për Portalb.mk bartësi i listës nga Aleanca për Shqiptarët- Abdulla Osmani tregoi prioritetet të cilat planifikojnë t’i përkthejnë në veprime konkrete për të përmirësuar jetët e qytetarëve. Si dhe për katër pika kryesore të cilat ishin edhe pyetjet e parashtruara nga Portalb, konkretisht për: Transparencë dhe llogaridhënie, kaosin në trafik dhe parkingjet, ambientin e pastër (mbeturina dhe ajri) si dhe për rininë. Osmani në dispozicion pati shtatë minuta në total, dy për prioritetet dhe pesë për pikat e tjera.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

  • Cilat janë prioritetet tuaja me të cilat garoni në këto zgjedhje?

Prioritet e kemi punësimin e të rinjve, ne e kemi si plagë emigrimin mërgimin masiv që ndodh me të rinjtë e Tetovës. Ne do të kujdesemi që sa më shpejtë të krijojmë kushte për të rinjtë të cilët duan të aftësohen në biznese, të krijojnë biznese, të krijojnë vende të punës, të punësojnë të rinj tjerë. Një ndër shtyllat tjera është edhe digjitalizimi ku një të riut do t’i mundësonte shumë më shpejtë të arrijë në krijimin e kompanive, largimin e burokracive të panevojshme të cilën në Komunën e Tetovës tani po e kalojmë e vështirësi. Mundësimin e punësimeve jopartiake, që realisht është kthyer në makth për qytetarët e Tetovës, prandaj kemi një migrim masiv të rinjve sepse një i ri, kur shikon se duhet patjetër të inkuadrohet në një parti politike që ta merr një vend pune, ai vendos që të largohet nga vendi dhe të jetoj me dinjitet ndoshta diku në perëndim. Me ardhjen e këshilltarëve të Aleancës për Shqiptarët ne këtë fenomen mendojmë që ta largojmë tërësisht sepse kemi edhe shembull komunat që i udhëheqim këtë lloj skandal pothuajse nuk ekziston. Ndoshta mbështetja kryesore do të ishte edhe mbështetja e artizanaleve, mbështetja e grave të pavarura të cilat duan të hapin biznese, ndërtimi i çerdheve, shkollave, një aspekt i rëndësishëm është dhe prioritet temë ka qenë ndërrimi i emrave të rrugëve dhe shkollave. Ne mjaftë po shohim emra të figurave komuniste të cilat ende shkollat tona i kanë në tablotë e tyre.

  • Çfarë do ndërmerrni për transparencën dhe llogaridhënien e komunës?

Transparenca arrihet vetëm në një formë, domethënë digjitalizimi i komunës. Me digjitalizim shpesh ngushtohet rrethi le të themi për fenomene si korrupsioni apo vonesa, qytetarët duhet të kenë akses në Këshill. Këshilli Komunal është edhe viza-vijë zëri i qytetarëve, kështu që në qoftë se qytetarët kanë ankesa, kanë shqetësime dhe këto shqetësime nuk arrijnë që të shpërfaqen në këshill atëherë nuk e di se cili do të ishte roli i këshilltarit komunal, përveç se një makineri votimi për një udhëheqësi të caktuar apo për një parti politike. Unë jam i bindur dhe kam zhvilluar me shumë qytetarë, kemi marrë shënime për ankesat dhe nevojat të cilat i kanë ato lagje. Zakonisht janë ankesa me infrastrukturën, në zonat të cilat janë më të thella nuk kanë as parqe për fëmijë, vende rekreacioni, kështu që mendoj se ndoshta edhe pasi të zgjedhemi si këshilltarë ne do të vazhdojmë me vizitat tona lagje më lagje dhe fshat në fshat që t’i dëgjojmë kërkesat e tyre dhe të gjitha do të dëgjohen në Këshill.

  • Çfarë do ndërmerrni për kaosin në trafik dhe parkingjet?

Për kaosin në trafik, gjithsesi është faktor kryesor është edhe parkingu. Qytetarët duhet të shkojnë në zona të caktuara me veturë për t’u parkuar. Tetovës i duhen disa parkingje në hyrje në qytetit, disa brenda, rreth qendrës, ndoshta dhe disa parkingje nëntokësore. Si duket parkingjet në kate disi janë më të shtrenjta, por si zgjidhje e shpejtë dhe që do të kishte efekt të menjëhershëm ndoshta janë parkingjet e ndërtuara nga çeliku të cilat janë dy ose maksimum tre kate, por ndoshta do ta zgjidhte këtë çështje në afat të shkurtër.

Në Tetovë mund të themi se kemi një infrastrukturë totalisht të shkatërruar, jo vjen si pasojë e gypave të amortizuar të cilat janë shumë të vjetër dhe uji krijon disi edhe gërryerje dhe shkatërrimin e infrastrukturës në tërësi. Duhet të hapen disa rrugica dhe rrugë. Duhet të bëhet një studim fizibiliteti dhe një studim serioz disa mujorë nga ekspertë të cilët ndoshta do ta rregullonin çështjen e rrugëve njëkahëshe dhe hapjen e bulevardeve të reja.

  • Çfarë do ndërmerrni për ambientin (mbeturinat dhe ajrin)?

Ndotja kryesore në qytetin e Tetovës vjen si pasojë edhe e makinave, ne duhet përfundimisht t’i japim më shumë rëndësi mjeteve ekologjike, siç është pse jo trotinetët apo biçikletat, ne duhet të subvencionojmë këtë pjesë. Veçanërisht në Evropë ka shumë zgjidhje të bukura, për shembull trotinetë të cilët mund t’i marrësh me shërbim nëpërmjet aplikacioneve, pastaj i le në një vend tjetër, dikush tjetër shërbehet. Duhet t’i jepet përparësi transportit publik. Transporti publik momentalisht arrin vetëm në disa zona të qytetit, nuk e përfshin le të themi qytetin në përgjithësi. Prapë se prapë qytetarët deri në një zonë të caktuar të ecin. Ndoshta, duhet të ketë edhe fushatë sensibilizuese për këtë pjesë. Duhet patjetër që Ndërmarrja Publike të krijojë një program afatgjatë me çështjen e mbeturinave e cila vit pas viti vetëm se po bëhet një ngërç i madh me këtë ndërmarrje.

  • Çfarë do ndërmerrni për të rinjtë?

Vetë vota për Aleancën për Shqiptarët do të thotë se është shenjë për ndalimin e migrimit të të rinjve. Për të rinjtë ne kemi vendosur që t’i përkrahim në programe të caktuara me idetë e tyre, krijimin e disa habeve. Gjithë ata që nuk e dinë, habet janë hapësira që në Evropë përdoren shumë, janë hapësira ku të rinjtë mund të krijojnë bizneset e tyre, startap kompanitë me shuma të vogla parash. Aty do të kenë disa hapësira, do të shfrytëzojnë internet dhe ndoshta me një pagesë 40-50 euro mujore do të mund ta kenë një kompani. Ne e dimë se momentalisht për hapjen e një kompanie minimumi janë nevojat diku 5.000 euro. Duhet të gjesh hapësirë, të krijosh rrjet punëtorësh dhe kështu që është një barrë e madhe dhe prandaj të rinjtë nuk e marrin guximin që ta krijojnë vetë një vend pune ose të krijojnë disa ide inovative, pse jo.

Këshilli i Komunës së Tetovës do të shkojë në zgjedhe pasi nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Shpërbërjen e Këshillit Komunal e vendosi Qeveria, ndërsa zgjedhjet për me 20 gusht i shpalli kryetari i Kuvendit.

Fushata zgjedhore filloi me 31 korrik ora 00:00 dhe do të zgjas deri sonte ora 00:00. Numri i votuesve është rreth 83 mijë, ndërsa Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë. Aleanca për Shqiptarët përbërjen e kaluar kishte dy këshilltar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button