Prioritetet dhe zotimet e Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjet në Tetovë, flet kandidati për këshilltar Liridon Disha (VIDEO)

Banorët e Komunës së Tetovës të shtunën do të votojnë për përbërjen e re të Këshillin Komunal. Për Portalb.mk kandidati për këshilltar nga Bashkimi Demokratik për Integrim- Liridon Disha, tregoi prioritetet të cilat planifikojnë t’i përkthejnë në veprime konkrete për të përmirësuar jetët e qytetarëve. Si dhe për katër pika kryesore të cilat ishin edhe pyetjet e parashtruara nga Portalb, konkretisht për: Transparencë dhe llogaridhënie, kaosin në trafik dhe parkingjet, ambientin e pastër (mbeturina dhe ajri) si dhe për rininë. Disha në dispozicion pati shtatë minuta në total, dy për prioritetet dhe pesë për pikat e tjera. Ftesë pati bartësi i listës Faton Ahmeti, por siç na tha për shkak të agjendës së ngjeshur nuk mundi të merr pjesë në intervistë, andaj edhe nga ky subjekt biseduam me kandidatin për këshilltar.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

  • Cilat janë prioritetet tuaja me të cilat garoni në këto zgjedhje?

Prioritet për ne, për listën e këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim është pikë së pari fitimi i zgjedhjeve, të kemi më shumë mandate, me këtë mendojmë që më lehtë do e kemi për të realizuar planet që kemi për të ardhmen e Tetovës. Me plane nënkuptojmë realizimin e të gjitha projektet të cilat kanë ngecur për shkak të mospasjes së fuqisë të kryetarit aktual të Tetovës dhe për shkak të mos-pasjes së ideve dhe dijenisë së mjaftueshme për ti realizuar ato. Ne e dimë se në muajt e kaluar, gjatë këtij mandati kur kryetari aktual veç se e kishte shumicën në këshillin komunal dhe nuk arriti të bëjë asgjë në drejtim të krijimit të infrastrukturës së re, krijimit të planeve të reja për qytetin, ne mendojmë se me ardhjen tonë si shumicë në kuvendin komunal do të jemi një ndihmesë, një shtysë për të  që t’i realizojë të gjitha planet që nuk ka fuqi t’i realizojë.

  • Çfarë do ndërmerrni për transparencën dhe llogaridhënien e komunës?

Ne këshilltarët e BDI-së mendojmë se transparenca është një mjet për t’i mbajtur përgjegjës pushtetarët ose bartësit e funksioneve të ndryshme për aktet të cilat i bëjnë karshi qytetarëve. Kjo është arma më e mirë për të luftuar korrupsionin. Pikërisht për këtë arsye ne do të tentojmë që në këshillin komunal të marrim shumicën, pasi mendojmë se një ekuilibër mes kryetarit të komunës dhe këshillit komunal do mundësonte transparencë më të madhe në Komunën e Tetovës dhe një llogaridhënie më të madhe. Me këtë nënkuptohet që mos i lejohet as kryetarit të ketë një lloj hegjemonie ndaj komunës dhe qytetarëve  dhe as këshillit komunal të veprojë siç do, sepse ne të gjithë e dimë se këto dy organe janë të lidhura mes vete dhe pa bashkërendim dhe bashkëpunim të tyre të mirëfilltë nuk mund të ketë sukses në Komunën e Tetovës.

  • Çfarë do ndërmerrni për kaosin në trafik dhe parkingjet?

Kaosi në trafik dhe parkingjet janë një problem i kamotshëm i qytetit të Tetovës, ne jemi të vetëdijshëm se secili kryetar i mëparshëm ka pasur tendencë që të ndihmojë në këtë çështje mirëpo jo gjithmonë është gjetur zgjidhje. Në të kaluarën janë krijuar disa parkingje në Tetovë, në disa lagje, nëpër bulevarde të ndryshme, mirëpo ne siç e shohim se Tetova për dy dekadat e fundit ka pasur një ekspansion të popullatës, për shkak të emigrimit të popullsisë prej në fshatra në qytet dhe planifikimi hapësinor i qytetit kur është bërë, ka qenë i planifikuar për njëzet mijë banorë dhe tani në Tetovë jetojnë mbi nëntëdhjetë mijë banorë. Kjo na jep për detyrë ne të mendojmë për gjeneratat e ardhshme dhe për gjendjen momentale. Në Tetovë të gjithë e dimë se duhet të ketë më shumë parkingje, nëse nuk mund të gjenden në bulevarde dhe rrugica, atëherë duhet të ndërtohen parkingje shumë katëshe ose nëntokësore, të cilat normalisht se duhet të arrihen me një konsensus me kryetarin e Komunës së Tetovës dhe normalisht me ndihmën e fondeve të Qeverisë qendrore. Konsideroj se Komuna e Tetovës me fondet që ka, nuk ka mundësi që të ndërtojë parkingje në kate dhe nëntokësore, pasi për të bërë një investim të tillë komuna duhet të futet në borxh, përndryshe nuk ka asnjë mundësi për tu realizuar.

  • Çfarë do ndërmerrni për ambientin (mbeturinat dhe ajrin)?

Ne konsiderojmë se ndotja në Tetovë nuk është siç ka qenë para shumë viteve kur ishte e kyçur ajo fabrika e famshme e Jugohromit, pas mbylljes së saj të cilën e arritëm në bashkëpunim me Qeverinë vite më parë, ndikoi ndjeshëm në përmirësimin e ajrit në Tetovë, megjithatë ajri n[ Tetovë nuk është ende i pastruar mirë, duke pasur parasysh se ne jemi qytet që ne jemi afër Malit Sharr, normalisht se hedhurinat hedhen në qytet edhe nga qytetarët e pavetëdijshëm por edhe prej  ndotjes nga makinat e ndryshme e rëndojnë edhe më shumë ajrin. Ne kemi në plan që në bashkëpunim me OJQ-të dhe shoqatat civile të cilat merren me mjedisin-ajrin, të mundësojmë krijimin e projekteve të reja. Duke e pasur shumicën në këshillin komunal mendoj që ne do ju japim hapësirë edhe shoqatave joqeveritare që të bëjnë projekte të reja dhe që të na ndihmojnë në përpilimin e projekteve më afatgjate për tejkalimin e kësaj situate.

  • Çfarë do ndërmerrni për të rinjtë?

Për BDI-në të rinjtë kanë qenë një pikë ku jemi fokusuar gjatë gjithë kohës, edhe pse ne të gjithë jemi koshient për atë se çfarë po ndodh me të rinjtë, shumica e tyre po migrojnë për arsye të një jete më të mirë. Megjithatë, BDI ka tentuar përmes koalicionit tonë në Qeveri që të zbutë papunësinë dhe të krijojë kushte të reja për jetesë në Maqedoni. Mund të them se ja kemi arritur që për një kohë të shkurtër të bëjmë rritjen e pagave në sektorin e arsimit për 15%, kemi arritur gjithashtu që të bëjmë rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë dhe kemi arritur të bëjmë rritjen e pagës mesatare në 31 mijë denarë.

Këshilli i Komunës së Tetovës do të shkojë në zgjedhe pasi nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Shpërbërjen e Këshillit Komunal e vendosi Qeveria, ndërsa zgjedhjet për me 20 gusht i shpalli kryetari i Kuvendit.

Fushata zgjedhore filloi me 31 korrik ora 00:00 dhe do të zgjas deri sonte ora 00:00. Numri i votuesve është rreth 83 mijë, ndërsa Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë. BDI përbërjen e kaluar kishte dhjetë këshilltar, një më pas kaloi në Lëvizjen Besa dhe mbetën me nëntë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button