Ekipet shqiptare mbesin në Ligën e Tretë

Tri ekipet shqiptare që ishin pjesë e ndeshjeve të barazhit kanë zhgënjyer me rezultatet e tyre. Zajazi nuk arriti të kalojë raundin e parë, pasi është mundur me rezultat 2:1 nga Mlladosti në takimin e luajtur në Prilep. Ndeshja në kohë të rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, ndërsa në kohën shtesë ekipi i Mlladostit ka shënuar golin e fitores.

Gobleni i Kumanovës është mundur me rezultat të pastër 2:0 nga Kozhuvi në stadiumin e qytetit në Koçanë. Kumanovarët nuk ishin që nuk patën raste për të shënuar, por në asnjë moment nuk arritën të konkretizojnë ato. Kozhufi ka shënuar nga një gol në secilën pjesë, duke eliminuar ekipin kumanovarë.

Edhe Vëllazërimi i Kërçovës e pësoi njejtë si ekipet tjera shqiptare, pasi ka pësuar disfatë të thellë nga Pobeda, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Shtip. Në këtë takim kërçovarët e kanë përfunduar ndeshjen me tetë futbollistë, e gjithë kjo shkaku se referi ka përjashtuar tre futbollistë të tyre me kartonë të kuq. Ekipet që janë kualifikuar tani presin shortin ditën e hënë për të luajtur xhiron e dytë, ku edhe do të mësohen emrat e ekipeve që do të jenë pjesë e Ligës së Dytë. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button