30-vjetori i ARM-së, krerët e vendit: Këtë ditë e shënojmë me krenari dhe dinjitet

Në kazermën “Ilinden” në Shkup, po zhvillohet ceremonia qendrore me rastin e Ditës së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila këtë vit shënon 30 vjet nga formimi i saj. Me rastin e Ditës së Armatës, fjalim mbajti presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe komandanti suprem i ushtrisë, Stevo Pendarovski, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-nënkoloneli Vasko Gjurçinovski, transmeton Portalb.mk

Në këtë ceremoni, presidenti Pendarovski ndau dekorata dhe shpalli Dekrete për prodhim në gradën e gjeneralit.

Gjithashtu, presidenti Pendarovski me dekret e gradoi kolonelin Sashko Lafçiski në gradën gjeneral brigade dhe emëroi kolonelin Vasko Kokolanski komandant të Komandës për stërvitje dhe doktrina në Shtabin e Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministrja Petrovska i dhuroi komandantit të gardës kombëtare të Vermontit, gjeneralmajor Gregory Knight, mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm. Ceremonia jubilare po realizohet me paradë solemne të skaloneve të përbërë nga pjesëtarë të të gjitha komandave dhe njësive të Ushtrisë, si dhe do të prezantohen autoblinda të lehta dhe mjete të tjera moderne që disponon Armata.

Kreu i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mori pjesë në ceremoninë qendrore, ku tha se kjo ditë festohet me krenari dhe dinjitet.

“Ne po festojmë 30 vjetorin e Armatës sonë, e cila është një shtyllë sigurie, mbrojtjeje, stabiliteti dhe besimi si anëtare e barabartë e një prej aleancave më të fuqishme ushtarake-sigurie, NATO-s. Shpreh falënderimin e sinqertë, në emrin tim, në emër të Qeverisë dhe të gjithë qytetarëve, të gjithë pjesëtarëve të Armatës, secilit pjesëtar të personelit ushtarak dhe civil të Armatës sonë, për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e madh gjatë gjithë këtyre viteve. Armata është gjithmonë në vijën e parë të ndihmës dhe mbështetjes për të gjithë ne, ndërsa ne po vazhdojmë me përkushtim modernizimin e saj për gatishmëri serioze luftarake, duke krijuar kushtet më të favorshme për personelin ushtarak dhe civil”, tha Kovaçevski.

Ceremonia qendrore është një nga aktivitetet finale që shënuan 30 vjetorin e formimit të Ushtrisë, ndër të cilat u realizuan: ekspozitë me rastin e 30 vjetorit, manifestim i hapur për qytetarët, tribuna, gara sportive, aksione humanitare dhe festimet në njësi.

Ndryshe, dje njësia e batalionit të artilerisë së Ushtrisë zhvilloi zjarr artilerie nderi duke gjuajtur 10 toga nga gjashtë topa.

Siç informuan nga Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë, qitja për nder është pjesë e obligimeve protokollare të Ushtrisë për shënimin e festave, dhe është pjesë e aktiviteteve që zhvillohen me rastin e 30 vjetorit të krijimit të Ushtrisë.

Petrovska dy ditë më parë falënderoi të gjithë ministrat paraprak të Mbrojtjes, shefat e Shtabit të përgjithshëm, të gjithë gjeneralët, si dhe të gjithë punonjësit e mbrojtjes dhe ushtrisë për kontributin e dhënë në zhvillimin e asaj që është shtyllë e vendit tonë, si dhe falënderoi përfaqësuesit e mediave të cilët gjithmonë raportojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm për mbrojtjen dhe ushtrinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button