Stoltenberg pas takimit me Vuçiqin: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet siguria

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës, raporton REL.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Stoltenberg ka thënë se situata në terren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës – me rreth 4.000 trupa – flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Stoltenberg ka thënë se neutraliteti i KFOR-it është i rëndësishëm dhe se “Kosova ka mundësi të demonstrojë se është aktore e përgjegjshme brenda komunitetit euroatlantik”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë arsye të jenë vigjilentë këto ditë për shkak “të qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi”.

“Në njërën anën kemi policinë e shtetit demokratik të Kosovës, dhe në anën tjetër kemi struktura ilegale serbe që janë kthyer në banda kriminale”.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia e respekton misionin e KFOR-it.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur. Nuk kemi nevojë që të shohim secilën herë situatën sipas një perspektive. E respektojmë misionin e KFOR-it dhe njoftimi i tyre atë natë ka ndikuar në ulje të tensioneve”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar deklaratës së misionit të NATO-s më 31 korrik, se është i gatshëm të intervenojë nëse përshkallëzohet situata në veri të Kosovës.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiq, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sa i përket dialogut, Vuçiq e ka parë takimin si të vështirë.

“Paqja dhe stabiliteti janë shumë të rëndësishme për Serbinë. Nuk dua t’ia lë fajin dikujt. Do të kemi diskutime të vështira nesër, ne nuk pajtohemi thuajse në asgjë. Ne duam të forcojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-n, dhe duam të evitojmë çfarëdo konflikti. Ne besojmë që nuk kemi bërë asnjë lloj provokimi”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button