Gruevski gjeni?

Një filozof budist thotë se ekzistojnë katër lloje heshtjesh: heshtja nga dinjiteti, heshtja nga mosdija, heshtja nga frika dhe heshtja nga faji. A ne sikur kemi talent mbi mesatar për heshtje, por akoma nuk e dimë se përse heshtim?

Definitivisht realiteti handikap i organizimit politik shqiptar është duke dalë mbi sipërfaqe, bashkë me një dozë goxha të madhe të deficitit moral. Më së shpeshti doza e moralit matet me atë se sa ndërgjegjja jonë lufton epshet tona. Vite me radhë lejojmë të na vozitë një Don Kishot antik që ka detyruar popullin tonë të luftojë me mullit me erë, kurse udhëheqësit tanë kthehen andej kah fryn era. Një Gruevski me fuqi të luanit prej letre i lejohet që me komoditet të shkelë mbi dinjitetin e popullit tonë! I lejohet që t’i tallë orientimet e tija fundamentale! Ai me retorikën e tij dhe megafonëve të tij tani më ka tejkaluar edhe Millosheviqin. Fyhet çdo gjë që ka të bëjë me Evropën e NATO-n. Haptazi preferohet Moska. Madje edhe ai imitacion kryetar shteti që u zgjodhi përmes bojkotit shqiptar, thotë se idol ka Putinin. Kurse deklaratat e gjertanishme tonat për euro-atlantizëm janë vetëm gjethe fiku për të mbuluar turpin.

Të gjithë e shohim se si një mediokritet – person kyç i shtetit – në çdo segment na e merr frymën. Na e shkel ardhmërinë e fëmijëve tanë. Na e nënçmon inteligjencën. Tallë dhe ofendon Perëndimin. Shet patriotizëm para të vetëve duke blerë kohën tonë. A nuk ndjehemi të nënçmuar që këtë e bënë një liliput që ne i mundësojmë të duket si Guliveri?! A nuk na bëhet vonë se nesër do të na shpallin për njollë të zezë të historisë? A nuk na vret ndërgjegjja se qindra miliona eura (edhe tonat), të mbledhura nga njerëz të gjallë përfundojnë në statuja të vdekura? A nuk brengosemi se qindra mijë të ri i kemi dëbuar nga vendlindja? Se korridoret strategjike në vlerë shumëmiliardëshe tani më kanë vdekur? Edhe fëmijët e dinë se kaq tolerim nuk bëhet nga ndonjë ideal apo pragmë, por nga dashuria për tenderë.

Na qenka problem EMRI i shtetit dhe ne duhet t’i kuptojmë emocionet e Gruevskit edhe atëherë kur ai i shkelë tonat. Gruevski gjithë kohën thirret në ndjenjat kolektive të popullit të vet, kurse populli jonë sikur nuk ka ndjenja. Fundja, ai vet qëllimisht provokoi Grekët me antikën. Emri nuk ishte pengesë për integrim. Përse emri nuk ishte problem në kohën e Lubço Georgievskit, apo të Buçkovskit kur Maqedonia pat fituar statusin e kandidatit dhe partneritetin për paqe? Grekët atëherë jo vetëm që nuk pengonin, por edhe ndihmonin. Erdhi në pushtet Gruevski dhe me gjyle antike shembi kullën euroatlantike. Me antikën e tij na ktheu në kohën e gurit. Nga kjo përfitoj vetëm mafia. Këtë luks nuk duheshe t’ia lejojmë as atij e as vetes. Mjaftonte të tërhiqnim linjën e kuqe dhe Gruevski do të dështonte që në start. Është çudi botërore se si shtatë milion Shqiptar dhe i gjithë Perëndimi me një anë, humbë nga një Gruevski i vetmuar!!! Madje na detyron t’ia sponzorojmë rejtingjet dhe bizneset. Njeriu, gjeni i vërtetë!

I lejuam që në kryeqytet të ndërtoj piramida duke e ditur se për rreth do të mbeten vetëm shkretira. Politikat mund të ndryshojnë dhe të evulojnë, por asnjëherë më nuk do të ndodhë që sheshi i kryeqytetit të merr fizionomi multietnike. E gjithë kjo përcjelljet me heshtje. Heshtë pozita se me diçka i mbyllet goja, heshtë opozita sepse i është kapur bishti, heshtin intelektualët sepse nuk janë të tillë. Injorohen projekte epokale zhvillimore, kurse ne nuk heqim dorë nga heshtja. Vazhdon ekzodi i të rinjve, shkelet dinjiteti kolektiv, shkelen institucionet, reketohen kompanitë, dënohen njerëz të pafajshëm, fjala e lirë shndërrohet në një minutë heshtje. Kurse ne heshtim. Vetëm të mos dëmtohet rejtingu i Gruevskit.

I kuptoj pushtetarët, por nuk e kuptoj popullin, nuk i kuptoj studentët, nuk i kuptoj profesorët…Dinë për fjalën – protestë, si e drejtë legjitime e të pakënaqurve? Vetëm ashtu pushteti mund të gjunjëzohet. S’ka gjë më efektive dhe më demokratike. Vetëm ashtu njerëzit mund të zgjohen nga letargjia dhe t’i ndihmojnë vetes, familjes dhe shoqërisë. Qëndrimi indiferent vetëm se do ta shtojë agoninë dhe eksodin. Jeta e njerëzve të zakonshëm shkatërrohet proporcionalisht degjenerimit të moralit të politikanëve të pazakonshëm. As që mund të pritet diç ndryshe kur fatin njerëzor e përcaktojnë patriotizma të konvertuar në para dhe demagogji, në vend të idealit dhe punës. E njohur është se çfarë fuqie magjike ka paraja. Ajo kohën, hapësirën dhe fjalët i shndërron në vlera jo funksionale, kurse moralin, parimet dhe ligjet i bënë jo ekzistent. Në fakt, kur flet paraja heshtin gojërat, hesht morali, vdes populli.

Por, ta lejmë anësh të kaluarën se ajo nuk kthehet. Por, çka bëjmë me të ardhmen? Ne duhet të kuptojmë se jemi të varfër pasi dikush duhet të jetë i pasur. Ne duhet të mësohemi që më shumë ta vlerësojmë atë që e bënë qoftë edhe një punë të vogël, se sa ata që flasin fjalë të mëdha. Ata që premtojnë shumë, në fakt bëjnë shumë pak. Duhet ta kuptojmë se ndërgjegjja nuk kafshon çdo kënd, pasi disa as që e kanë. Ndoshta heshtim sepse edhe neve ndërgjegjja na mungon. Definitivisht tani e sa më parë, madje edhe pa dorëza duhet thënë NATO tani e menjëherë. Mjaft heshtje dhe vetëflijime.

Lajme të ngjashme

Back to top button