KRIZA DHE STOICIZMI

Bota na duket e pasigurt. Pandemia, pushtimi i Ukrainës, kriza ekonomike dhe tensionet e ndryshme shoqërore ngjallin frikë e ankth. Paralajmërohet krizë energjetike në përmasa botërore. Thuhet se Europën e pret një dimër i vështirë. Nuk përjashtohet as ndërprerja e energjisë elektrike gjatë stinës së dimrit. Madje, një zyrtar i lartë u kërkoi zviceranëve të furnizoheshin me dru dhe qirinj.

Në kohë krize disa druajnë se s’do ta sigurojnë ekzistencën familjare. Të tjerë druajnë se do ta humbin luksin. Të parët kanë më pak se sa u duhet. Të dytëve u tepron gjithçka dhe harxhojnë më shumë se sa u nevojitet.

Në kohëra të zymta njerëzit frikësohen sepse harrojnë se njerëzimi ka përjetuar kriza shumë herë më të mëdha. Bota ndër mijëvjeçarë nuk është furnizuar me rrymë elektrike, por njerëzimi ka mbijetuar.

Përkundër parashikimeve të frikshme, bota nuk ka ndryshuar në thelb. Të pasurit pasurohen. Të varfrit varfërohen. Kohërat e zymta janë të leverdishme për grykësit. Ata përfitojnë nga krizat dhe fatkeqësitë, kurse njerëzit i shohin si mjete për qëllimet e tyre.

A ka udhëzues për kohëra krize?

Ka mendimtarë të cilët, me të drejtë, sugjerojnë që njeriu t’u rikthehet vlerave shpirtërore. Mendimtarë tjerë e sugjerojnë stoicizmin që mëton të ofrojë siguri e paqe në kohë lufte e krize.

Stoicizmi lindi në Greqinë e Lashtë, në një periudhë tronditjesh e krizash shoqërore. Si themelues konsiderohet Zenoni, i cili iu kthye filozofisë pasi e humbi gjithë pasurinë. Si stoikë të njohur njihen edhe Krizipi, Seneka, Epikteti, Mark Aureli etj.

Stoicizmi, sipas përkufizimit të Enciklopedisë Britanica, njeriut i mundëson ta arrijë qetësinë mendore e shpirtërore dhe qëndrueshmërinë e vlerës morale.

“Në gjendje të tendosur shoqërore stoicizmi është ars vitae. Është përshtatje e njerëzve kundrejt botës. Është detyrim dhe besnikëri ndaj qytetit, bashkësisë. Kërkon nga njeriu t’i shmang teprimet e natyrës njerëzore që e nxisin shqetësimin dhe ankthin”, thuhet aty.

Qëllimet e stoicizmit janë: eudaimonia dhe phronesisi. Eudaimonia, sipas Aristotelit, është e mira e të gjitha të mirave, është aftësia për të jetuar mirë dhe jeta e virtytshme në përputhje me arsyen. Phronesisi është mençuria që lidhet me veprimet praktike.

Njeriu stoik dallohet për mençurinë praktike (zgjidhjen e problemeve me arsye); maturinë (vetëpërmbajtjen); drejtësinë (baraspeshën e interesit personal dhe shoqëror) dhe guximin (përballjen me sfidat e ndryshme).

Kate Anderson vlerëson se stoicizmi na mëson se asnjë lumturi nuk është e sigurt nëse rrënjoset në gjëra të ndryshueshme dhe të shkatërrueshme. Ajo i referohet Epiktetit që thotë: “Frika, lakmia ose pikëllimi hyjnë në mendjen tonë vetëm kur i lejojmë me dëshirë që të hyjnë (…) Nuk janë ngjarjet që i shqetësojnë njerëzit, por gjykimet e njerëzve në lidhje me ngjarjet”.

Autorët që e sugjerojnë stoicizmin thonë se në kohëra të vështira nuk duhet ta humbim shpresën, duhet të kënaqemi me gjërat që i kemi dhe vështirësitë t’i kthejmë në forcë vepruese.

Kombet që kanë jetuar në gjendje të përhershme emergjente përshtaten më lehtë në kohë tronditjesh të mëdha. Brezi ynë e njeh jetën nën krizë. E përjetoi luftën, por edhe krizën e karburantit, detergjentit, çajit të zi. Ndoshta nuk e ka ditur çfarë është stoicizmi, por ka mundur të mbijetojë.

A duhet t’u frikësohemi krizës?

Duhet të mobilizohemi, por jo t’i frikësohemi, sepse njeriu është qenie që përshtatet dhe u ka mbijetuar edhe krizave më të vështira. Frika është shkatërrimtare. Ligështohet dhe pasivizohet ai që frikësohet. Vegjeton ai që nuk rrezikon. Nga frika vijnë të këqija të panumërta. Me frikën luajnë mediat dhe politika. Frika e shet lajmin. Nëpërmjet frikës manipulohen njerëzit. Shpërqendrohet vëmendja jonë në gjëra ekzistenciale dhe jo në gjëra esenciale.

Jeta nuk është kopsht me lule. Ajo na mundëson kënaqësi dhe vështirësi të panumërta. Por, jeta mund të menaxhohet. Edhe në kohëra të zymta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button