fbpx

Kosovë, është dorëzuar kallëzim penal kundër nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq

Shoqata për krimet e luftës “Gjakova 98-99” ka dorëzuar kallëzim penal në sektorin e krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) kundër ish-komandantit të Brigadës së Motorizuar 549, i cili tani është nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtuesja e kësaj organizate, Shkëndije Hoda, në një deklarim për media pas depozitimit ët aktakuzës ka thënë se presin rezultate konkrete nga kjo aktakuzë.

Hoda tha se gjithsej kanë bërë tre kallëzime penale, të bashkëngjitura me dokumentacion faktik.

“Janë tre kallëzime penale bashkëngjitur me disa dokumentacione faktike të njëlloj ditari të operimit të Brigadës 549 të Motorizuar nën komandën e Bozhidar Deliqit”, njoftoi ajo, duke shtuar se emri i secilit nga pjesëmarrësit në këto krime është shkruar në fund të raportit në këtë ditar, në baza ditore.

Sipas Hodës, aktakuza përfshinë identifikimin e kryerësve të krimeve nëpërmjet dëshmisë së civilëve shqiptarë në kohën kur ata janë ndaluar apo maltretuar nga ushtria/policia serbe.

Edhe Gjok Sokoli nga kjo shoqatë, thotë se dokumentet e dorëzuara në Prokurori vërtetojnë se jo vetëm policia serbe ka kryer krime, por edhe ushtria serbe.

“Kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë kriminel lufte dhe i kemi sjellë në prokurori. Dëshmitë janë me qindra, unë besoj se ky person do të bjerë në dorë të Hagës”, tha ai.

Sokoli thotë se Deliq ka qenë nga një fshat afër Gjakovës dhe ka marrë pjesë në këto krime si civil.

Ai i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të apelojë në Evropë dhe në botë sepse Kryetari i Kuvendit të Serbisë e ka marrë afër vetes një kriminel lufte.

Bozhidar Deliq ka lindur në Lugbunar të Gjakovës, ku edhe ka kaluar fëmijërinë, derisa u zhvendos në Beograd për të kryer akademinë ushtarake.

Deliq, i cili u pensionua nga ushtria në vitin 2005, ka qenë disa herë deputet i Kuvendit të Serbisë, ndërsa më 2 gusht mori për herë të dytë detyrën e nënkryetarit të Kuvendit.

Emërimi i Deliqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë nxiti reagimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se ai ishte komandat i një brigade ushtarësh “që masakruan mijëra kosovarë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button