RMV, tatime evropiane dhe gjithçka tjetër joevropiane

Normat e ulëta të tatimeve nuk janë arsye për të ardhura më të ulëta në PBB të Maqedonisë në krahasim me BE-në, vlerësojnë ekspertët. Problemi kryesor është ekonomia gri, e cila nëse nuk shtypet, Maqedonia do të jetë në nivelin e Grupit të Vishegradit. Nuk mund të kemi tatime evropiane me korrupsionin më të lartë, pagat më të ulëta, infrastrukturë të keqe, transmeton REL.

Nëse Maqedonia ia del të përballet me ekonominë gri, atëherë do të mbledhë tatime në nivel të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Pjesa e të ardhurave nga tatimet në PBB të vendit aktualisht është shumë më e ulët se në vendet e BE-së dhe arsyeja, sipas ekspertëve, është një – niveli i lartë i ekonomisë gri.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, para disa ditësh ka paralajmëruar reformë të re tatimore dhe ka thënë se shteti duhet të rrisë tatimet sepse ka të hyra më të ulëta tatimore në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Ai thotë se në vitin 2008, 38 për qind e PBB-së në BE shkonte për tatimet, ndërsa në Maqedoni 10 për qind më pak. Tani ky hendek është edhe më i madh dhe arrin në 13,8 pikë përqindjeje.

Por si ta rrisë Maqedonia mbledhjen e tatimeve ashtu siç është në vendet e BE-së. kur njëkohësisht përballet me korrupsion të lartë, pagat më të ulëta në Evropë, ndotje të lartë, infrastrukturë të dobët, shëndetësi dhe arsim katastrofik…

Bllagica Petreski – drejtoreshë ekzekutive e Institutit për hulumtime ekonomike dhe politika “Finance Think” thotë se normat e ulëta tatimore nuk janë arsye për uljen e të hyrave tatimore në PBB.

Kjo është kryesisht për shkak të ekonomisë gri, thotë ajo, duke theksuar se nëse këto të hyra tatimore vendosen në raport me pjesën formale të PBB-së, do të arrijnë në 40 për qind.

“Në atë mënyrë jemi në nivel të ngjashëm me vendet e Grupit të Vishegradit”, thotë Petreski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e cila do të transmetohet të dielën.

Sipas të dhënave të “Finance Think”, vëllimi i ekonomisë gri në vitin 2020 ishte 23,2 për qind e PBB-së.

Instituti thekson se tatimet më të larta dhe të graduara rrisin ekonominë gri, si dhe barrën më të madhe tatimore mbi pagat.

Ministri i Financave Besimi thotë se rritja e pjesëmarrjes së të hyrave tatimore në PBB është e rëndësishme për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë dhe se në këtë mënyrë shtetet i  kanë në dispozicion fondet e nevojshme “për të investuar në të ardhmen”.

Ai shton se mesatarja e vendeve të OECD në vitin 2019 ishte 33,8 për qind, dyfishi i asaj të Maqedonisë.

“Ky nuk është një sinjal, por një shenjë që ndriçon se duhet të merren masa nëse duam që fillimisht të konsolidojmë dhe pas një krize të gjatë rraskapitëse të sigurojmë jetë më të mirë për qytetarët tanë”, thotë Besimi.

Analisti ekonomik, Arben Halili, konsideron se nuk është korrekte të krahasohet Maqedonia me vendet e BE-së dhe në bazë të kësaj, autoritetet kërkojnë që mbledhja e tatimeve në vend të jetë në atë nivel.

“Në një vend ku korrupsioni është në nivelin më të lartë të mundshëm, ku infrastruktura është katastrofike, nuk mund të presim rritje të të ardhurave nga tatimet e qytetarëve dhe kompanive, për të arritur nivelin e vendeve të BE-së”, thotë Halili.

Nëse qeveria dëshiron të rrisë tatimet, duhet të rrisë tatimet e realizuara nga bankat, të cilat prej vitesh kanë të ardhurat dhe fitimet më të larta në kurriz të kompanive dhe qytetarëve, thotë Halili.

Së dyti, thotë ai, duhet të zvogëlohet numri total i punonjësve në administratën shtetërore dhe publike, për të cilin nuk ka asnjë logjikë ekonomike dhe financiare të rritet çdo vit dhe kështu qeveria do t’ia arrijë qëllimit.

Petreski nga “Finance Think” thotë se është e pakëndshme që Maqedonia të krahasohet me vendet e BE-së, sepse, siç shpjegon ai, ato janë në një nivel krejtësisht të ndryshëm të zhvillimit.

Para se të shqyrtohet çështja e ndarjeve dytësore, thotë ajo, shteti duhet të mendojë fillimisht për rritjen e “kulaçit bazë” (PBB) dhe për reforma serioze strukturore që do të mundësojnë arsim më cilësor, shëndetësi dhe në përgjithësi nivel më të lartë të zhvillimit të vendit.

“Ne jemi jashtëzakonisht të ngadalshëm në realizimin e projekteve të tilla kapitale. Nuk mund të përfundojmë në mënyrë efikase një autostradë të vetme. Fillimisht duhet të përmirësohet produktiviteti, niveli i përgjithshëm i rritjes sociale, e më pas të diskutohet për këto alokime”, thotë Petreski.

Sipas njoftimeve të Besimit, me reformën e re tatimore, shteti duhet të mbledhë 54 milionë euro shtesë nga tatimet nga qytetarët dhe ekonomia, por ende nuk dihet se çfarë lloj tatimesh do të vendosen.

Ndryshe, në fillim të muajit gusht Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbajtur seancën e 67-të ku u miratua edhe propozim-koncepti për reformat tatimore.

Ministria e Financave i propozoi këto draft-koncepte, në përputhje me Strategjinë për reforma në sistemin tatimor (2021-2025), përmes së cilës planifikohet një sistem më efikas, transparent, të drejtë dhe bashkëkohor, duke u bazuar në teknologjinë digjitale dhe inovacione. Në këto reforma planifikohet edhe përfshirja e “tatimit ekologjik”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button