30 vjetori i Armatës së RMV-së, Petrovska: E shënojmë me ushtri që po modernizohet me shpejtësi dhe mbrojtje që po zhvillohet fuqishëm

Armata e Maqedonisë ndodhet në prag të 30 vjetorit të themelimit. Planet për shënimin e Ditës së Armatës dhe jubileut “30 vjet Armatë”, si dhe rrjedha e modernizimit të Armatës dhe zhvillimit të mbrojtjes ishin temat për të cilat sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ministrja Sllavjanka Petrovska brifoi redaktorët dhe gazetarët nga sektori i mbrojtjes, transmeton Portalb.mk.

“Në 30 vitet e fundit, Armata ka arritur shumë. Sot, Armata është krenaria jonë kombëtare, pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike – Aleancës së NATO-s. Është Armatë që po modernizohet me shpejtësi dhe tashmë po bëhet e dukshme. Të mërkurën në Stadiumin ushtarak do të ekspozohen 6 autoblindat e rinj të prodhimit amerikan që kanë mbërritur së fundmi dhe që ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë. Deri në fund të vitit do të dorëzohet një dërgesë e re prej 27 automjetesh të tilla dhe edhe më tej vijojnë dërgesat sipas kontratës. Vazhdojmë me prokurimin e sistemeve të tjera që na duhen, blerjen e mjeteve speciale për qëllime speciale, sistemeve artilerike dhe municioneve, sistemit të mbrojtjes kundërajrore dhe në periudhën në vijim do të fillojmë edhe me rindërtimin e komponentit tonë të aviacionit”, tha ministrja Petrovska.

Ajo shtoi se në dialog me sindikatat janë miratuar ndryshimet e fundit të Ligjit për shërbim në Ushtri, me të cilin ushtarët, nënoficerët dhe oficerët meritojnë kushte të shkëlqyera pune dhe standard më të lartë jetese. Petrovska përmendi të drejtën për të fituar të drejtën e pensionit në moshën 40 vjeçare, gjegjësisht 38 vjeç për pjestaret ushtarake në masën 80 për qind të 10 viteve eksperiencë pune më të favorshme, mundësinë e pagesës së largimit për ushtarët profesionistë që largohen nga ushtria në moshën 45 vjeç, në masën dy paga mesatare, por jo më pak se 1000 euro për çdo vit të kaluar në shërbim, pagesën e pushimit mjekësor në masën 100 për qind të pagës dhe vendosjen e kushteve të favorshme për bursa për personelin e ri dhe premtues të specialiteteve kritike për Ushtrinë.

Në kuadër të mbrojtjes, ministrja theksoi se ajo po transformohet sipas standardeve të NATO-s, strategjisë NATO 2030 dhe Konceptit të ri strategjik të Aleancës.

“Qëllimi ynë kryesor është: Të sigurt në shtëpi, të përgjegjshëm në NATO! Zhvilluam konceptin MKD Defense 2030, i cili përbëhet nga tre shtylla kryesore dhe pesë misione. Kjo tregon vendosmërinë tonë për të qenë anëtare aktive e Aleancës”, theksoi Petrovska.

Ministrja informoi për shënimin e jubileut tredekadash të Ushtrisë përmes disa manifestimeve, nga të cilat theksoi ngjarjen e hapur me qytetarët, më 17 gusht në orën 18:30 në Stadiumin ushtarak. Ajo porositi se në takim të përbashkët me qytetarët që kanë besimin më të madh te Ushtria, do të prezantohen pajisjet më të fundit, transportuesit e rinj të blinduar, aftësitë e specialistëve të armatës, e më pas do të vijojnë me shfaqje muzikore nga orkestra ushtarake.

Petrovska falënderoi të gjithë ministrat paraprak të Mbrojtjes, shefat e Shtabit të përgjithshëm, të gjithë gjeneralët, si dhe të gjithë punonjësit e mbrojtjes dhe ushtrisë për kontributin e dhënë në zhvillimin e asaj që është shtyllë e vendit tonë, si dhe falënderoi përfaqësuesit e mediave të cilët gjithmonë raportojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm për mbrojtjen dhe ushtrinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button