Matka deri në fund të vitit do të rishpallet monument natyror

Kanioni i Matkës akoma pret rishpalljen si monument natyror dhe mbrojtjes së vërtetë të gjërave të rralla që mund të gjenden në këtë lokalitet. Ministria e Mjedisit është duke punuar në ridefinimin e tekstit të Projektligjit për shpalljen e Kanionit të Matkës monument natyror, pas vërejtjeve me shkrim nga Qyteti i Shkupit, Komuna e Sarajit dhe institucionet tjera përkatëse. Procedura për miratimin përfundimtar të ligjit pritet të përfundojë deri në fund të vitit, kohë në të cilën duhet të definohet edhe udhëheqësi i zonës së mbrojtur dhe të krijohet struktura udhëheqëse, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Vitin e kaluar, Ministria e Mjedisit përgatiti versionin fillestar të Projektligjit për shpalljen e Kanionit të Matkës monument natyror, i cili është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e natyrës të vitit 2004. Më herët, në qershor të vitit 2020, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, UNDP-në dhe ekspertët vendor, është bërë rishikimi i Studimit për valorizimin e vlerave natyrore të zonës së mbrojtur. Ndryshimet ishin në drejtim të modifikimit të kufijve ekzistues dhe përcaktimit të zonave të propozuara në GIS me përshkrime narrative dhe përcaktimin e regjimit të mbrojtjes.

“Studimi së bashku me Propozimin për shpalljen e lokalitetit të mbrojtur Kanioni i Matkës për monument natyror, miratuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit, është dorëzuar në Ministri, në bazë të të cilit është hartuar projektligji. Rishpallja e Matkës do të finalizohet me miratimin e ligjit i cili duhet të miratohet deri në fund të vitit”, njofton Ministria.

Në Qytetin e Shkupit thonë se procedura për rishpalljen e Matkës monument të natyrës është në vazhdim e sipër dhe se synimi është që të miratohet ligj cilësor që do të marrë parasysh të gjitha aspektet që janë të rëndësishme për këtë lokalitet.

“Procedura për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjit është në proces sepse Ministria kompetente ende është duke i shqyrtuar vërejtjet e dorëzuara. Qëllimi është zbatimi i tyre në mënyrë që të arrihet një ligj cilësor dhe funksional për qytetarët e Shkupit dhe më gjerë, duke pasur parasysh se kanioni i Matkës është edhe lokacion atraktiv turistik”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Kanioni i Matkës është një nga lokalitetet më domethënëse në sistemin kombëtar të zonave të mbrojtura, sepse posedon disa karakteristika dhe monumente natyrore dhe kulturore dhe ka rëndësi shkencore, edukative, arsimore, shpirtërore dhe turistike.

Për mbrojtjen e saj nga uzurpimi i bregut, duhet të kujdeset Komuna e Sarajit, gjegjësisht inspektorati ndërtimor lokal. Në vitin 2020, Prokuroria Themelore Publike ka hapur dy procedura ndaj dy personave për uzurpim të bregut të liqenit, ku kanë vendosur platforma druri dhe kanë ndërtuar objekte. Këto janë vetëm dy nga shembujt e shumtë të shkatërrimit të natyrës së Matkës me platforma, ndërtesa dhe infrastruktura të tjera të ndryshme që kanë ndodhur gjatë 18 viteve të fundit në pritje të rishpalljes. Tashmë, njëkohësisht me pritjen e ligjit dhe rishpalljen, publiku kërkon edhe zgjidhjen e këtyre dhe rasteve të tjera të uzurpimit, të cilat duhet të përfundojnë me riparimin e dëmit dhe kthimin e lokacioneve në gjendjen e tyre fillestare.

Kujtojmë se, Kanioni u shpall monument natyre në vitin 1994 me Vendimin që e miratoi Kuvendi i atëhershëm i Qytetit të Shkupit. Me miratimin e Aktit për Ruajtjen e Natyrës në 2004, të gjitha pjesët e vendit të mbrojtura sipas ligjeve të vjetra duhej të ri-deklaroheshin duke vendosur kufij dhe menaxhuesi i zonës. Kjo procedurë për Matkën nuk po përfundon kurrsesi. Kjo ka rezultuar me objektet të shumta ilegale, aktivitete ndërtimore, shkatërrim i natyrës dhe gjallesave dhe uzurpime të krijuara për gati dy dekada.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button