Premtohet 12 vite, ndërtohet 8, nevojiten dhe 4 vite që objekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës të jetë gati

Edhe pse në tetor u tha se objekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës do të jetë gati në vitin 2025, megjithatë kjo nuk do të ndodhë. Është zgjatur edhe një vit përfundimi i punimeve në këtë objekt i cili filloi të ndërtohet në vitin 2014, mëson Portalb.mk.

Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet 12 vite, ndërtohet 8 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zhagitje të punëve, do të jetë gati për 4 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thelbësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 16 vite pas premtimit të dhënë.

Artistët dhe artdashësit përpos zhgënjimit të thellë, thonë për Portalb.mk se “edhe po të ndërtohej një anije kozmike do të ishte kryer më shpejtë sesa ky objekt.”

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Drejtori i Pallatit të Kulturës në Tetovë, Arlind Huseini për Portalb.mk u shpreh se punimet rrjedhin sipas dinamikës së paraparë.

“Shpresojmë që i gjithë procesi i përfundimit të fazës së dytë dhe punët e ngelura nga faza e parë do të përfundojnë në pajtueshmëri me afatet e parapa me Kontratën për ndërtim te teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë-faza e dytë, konkretisht në dhjetor të vitit 2025. Në fazën e dytë deri më tanë konkretisht punohet me punët që kanë të bëjnë me enterierin, elektrikë, makineri, kanalizim, instalimin e liftit si dhe shumë punë që janë të parapara me Kontratë”, tha Huseini.

Ky objekt është një nevojë shumë e rëndësishme, si për aktorët të cilët shfaqet i luajnë në Pallatin e Kulturës dhe për këtë janë të kufizuar, po ashtu edhe për bibliotekën e cila ka një hapësirë shumë të vogël.

Drejtori i Teatrit të Tetovës, Bekim Smaili për Portalb.mk theksoi se atyre si institucion u është thënë se objekti i tyre do të jetë gati për funksionim në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025.

“Dhashtë zoti edhe viteve tjera deri sa të kryhet objekti, Ministria e Kulturës të ndajë mjete financiare të mjaftueshme për të vazhduat punimet pa ndërprerë”, tha Smaili.

Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës për Portalb.mk thotë se punimet pritet të përfundojnë një vit më vonë, gjegjësisht deri në vitin 2026.

“Ndërtimi i objektit të ri për teatrin dhe bibliotekën në Tetovë është  projekt shumëvjeçar që zhvillohet në dy faza. Faza e parë e ndërtimit – karabina – ka përfunduar plotësisht, dhe është në proces realizimi i fazës së dytë të ndërtimit. Për momentin, i zgjedhuri po punon intensivisht në punimet ndërtimore dhe artizanale të godinës. Projekti për ndërtimin e objektit të teatrit dhe bibliotekës në Tetovë sipas planifikimeve duhet të realizohet deri në fund të vitit 2026”, thanë nga Ministria e Kulturës.

This slideshow requires JavaScript.

Punimet për fazën e dytë, gjegjësisht për pajisjet e brendshme të objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës,  kryhen nga “NB Company” nga Tetova dhe “Pellagonija” nga Gostivari, me të cilët tetorin e kaluar u përurua marrëveshja e fillimit të punime. Për të cilat Qeveria ka ndarë edhe 23 milionë euro.

Kostoja e fazës së parë për ndërtimin e objektit ishte projektuar në 13.5 milionë euro ndërsa me rregullimin e brendshëm çmimi arriti në 40 milionë euro.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button