BE-ja e di sasinë e gazrave serrë të emetuara për vitin e kaluar, Maqedonia të dhënat më të reja i ka për vitin 2019

Në Bashkimin Evropian publikohen rregullisht, në baza tremujore, të dhënat për emetimet e gazeve serrë, të cilat shkaktojnë debate me ndikim midis drejtuesve të shtetit, organizatave joqeveritare dhe qytetarëve për krijimin e masave të reja, më të forta dhe me kohë për të reduktuar ndikimin në ndryshimet klimatike. Në Maqedoni të dhënat më të fundit për emetimet e gazrave serrë në nivel kombëtar janë publikuar për vitin 2019, ndërsa të dhëna më të reja nuk mund të gjenden në asnjë burim zyrtar të institucioneve shtetërore në internet, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Emetimet e gazeve serrë në tremujorin e katërt të vitit 2021 në vendet anëtare të BE-së arritën në 1.041 milion tonelata ekuivalent CO2 (dyoksid karboni), që është rritje prej 8 për qind krahasuar me tre muajt e fundit të vitit 2020, tregojnë të dhënat e Eurostatit. Në nivel të BE-së, të dhënat për emetimet e gazeve serrë, ku mund të llogariten lehtësisht edhe emetimet vjetore të tonelatave ekuivalent të dyoksidit të karbonit që shkaktojnë ndryshime klimatike globale, merren në baza tremujore.

BE ka të dhëna për emetimet e gazeve serrë në baza tremujore; Burimi: Eurostat
BE ka të dhëna për emetimet e gazeve serrë në baza tremujore; Burimi: Eurostat

Për dallim nga Bashkimi Evropian, në Maqedoni nuk është e mundur të merren të dhënat më të reja për emetimet e gazrave serrë nga asnjë burim. Në vitin 2021 u përballëm me zjarret më të mëdha të pyjeve në dekadën e fundit, ndërsa për shkak të krizës energjetike, autoritetet shtetërore vendosën të vënë në funksion termocentralin “Negotinë”, ndërkohë që importi i automjeteve të përdorura në vend po përjeton përmasa rekord, me mbi 417,000 automjete të vjetra që kanë hy në vendin tonë në periudhën 2009-2022.

Meta.mk fillimisht u përpoq që të dhënat më të reja, për emetimet e gazrave serrë në vend, t’i gjejë në faqen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, por u vërtetuam që përveç projeksioneve për të ardhmen, të dhënat më të fundit për realitetin ekzistues janë publikuar për vitin 2016.

Edhe në ueb-faqen klimatskipromeni.mk, e kësaj ministrie, mësohet se aktualisht është duke u përgatitur Plani i Katërt Kombëtar për Ndryshimet Klimatike, i cili pritet të jetë gati deri në fund të vitit dhe të miratohet nga Qeveria e RMV. Derisa në këtë faqe mund të gjeni shumë strategji, plane, korniza ligjore, materiale edukative, raporte, aty nuk ka të dhëna të reja për atë se sa emetime të gazrave serrë janë prodhuar për vitin 2019, vitin e kaluar, ose në 2020 në secilin sektor.

Të dhënat më të reja për kontributin kombëtar të vendit në krijimin e ndryshimeve klimatike i kërkuam edhe në MAXSTAT Baza e të Dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Nga ky burim morëm të dhëna edhe më të vjetra, ashtu që aty informacione të detajuara për emetimin e gazeve serrë në Maqedoni janë publikuar për vitin 2012.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sqarojnë për Meta.mk se të dhënat e fundit për emetimet e gazrave serrë janë të vitit 2019 dhe ato janë publikuar në lidhjen në vijim. Thonë se sistemi i inventarizimit të emetimeve të gazeve serrë është i menaxhuar me projekte e jo nga institucione kombëtare.

“Zakonisht në shtetet tjera rol të tillë kanë agjencitë kombëtare të Mjedisit Jetësor, që nuk ndodh këtu”, njoftojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ata pretendojnë se vendi ynë është mjaft i avancuar në mënyrën e inventarizimit, sepse i përpunon sikur të ishin në nivelin e një shteti anëtar të BE-së. Nga ministria konfirmojnë se ka udhëzime për përmirësimin e rregullsisë së publikimit të të dhënave për emetimet e gazeve serrë nga vendi, por gjithashtu vlerësojnë se më e rëndësishmja është zbatimi i politikave, masave dhe aktiviteteve në të gjithë sektorët për uljen e emetimeve të gazeve të dëmshme në atmosferë.

Sipas të dhënave të fundit publike të publikuara në “Raporti Kombëtar i Inventarit të Gazit Serrë të RMV-së”, emetimet e gazeve të dëmshme, që shkaktojnë efektin serrë, janë ulur gradualisht nga 12.415,1 gigagramë ekuivalent të dyoksidit të karbonit (Gg. CO2-eq) në 1990 në 10.024,1 Gg. CO2-eq në 2016. Megjithatë, që në vitin 2019 kemi sërish një rritje të emetimeve të gazeve serrë në nivel kombëtar, në 11.267,6 gigagramë ekuivalent të dyoksidit të karbonit. Kjo shifër përfshin edhe çlirimin e gazrave të dëmshëm nga sektori i Pylltarisë, kryesisht nga zjarret pyjore.

Në vitin 1990, energjetika ka prodhuar 9,608 Gg. CO2-eq (gigagramë – ekuivalent të e dyoksidit të karbonit), ndërsa në vitin 2016 emetimet e gazeve serrë ranë në 7.446,5 Gg. CO2-eq. Dokumenti i përgatitur thekson se në sektorin e pylltarisë emetimet neto të gazeve serrë ishin më të lartat në vitin 2000 me 10.056,1 gigagramë ekuivalent të dyoksidit të karbonit, për çka më së shumti kontribuuan zjarret pyjore.

Në vitin 2019, në sektorin e Energjetikës u regjistrua rritje e emetimeve të gazeve serrë, në 8.501,1 Gg. CO2-eq. Rritje e emetimit të gazrave të dëmshëm në atmosferë ka pasur në vitin 2019 në sektorët proceset industriale dhe përdorimi i produkteve, mbetjet dhe pylltaria. Në raport thuhet se përkeqësimi i situatës në sektorin e Energjetikës është rezultat i rritjes së prodhimit vendas të energjisë elektrike, përkatësisht funksionimit të termocentraleve në radhë të parë.

Megjithatë, në këtë dokument nuk ka të dhëna për vitin 2020 dhe 2021 sa i përket emetimeve të gazeve serrë. Ajo që dihet është se në fushën e transportit, që bie nën sektorin e Energjetikës, vetëm në periudhën nga viti 2020 deri në qershor 2022 në Maqedoni janë importuar pothuajse 75.000 automjete të tjera të përdorura që emetojnë gazra të dëmshëm në atmosferë, si dhe mbi 16.000 automjete të reja. Krahas kësaj, të dhënat statistikore tregojnë se me kalimin e viteve konsumi i derivateve të naftës në transport rritet dhe arrin nivel rekord, gjë që ka ndikim negativ në ndryshimet klimatike.

Ndërkohë, kah fundi i vitit të kaluar për shkak të krizës botërore energjetike o mor vendim për vënien në punë të termocentralit “Negotino” për prodhimin e energjisë elektrike me mazut, kurse paralelisht me këtë, ambientalistët kritikojnë prej vitesh se funksionimi i termocentraleve në vend, pra përdorimi i qymyrit, është shkaku kryesor i për emetimin e gazeve serrë që krijohen në vend.

Të dhëna shqetësuese, për emetimet e gazeve serrë, ka edhe për sektorin e Pyjeve në vend, si pasojë e zjarreve pyjore. Vitin e kaluar në Maqedoni janë djegur hiç më pak por 11.420 hektarë sipërfaqe pyjore, që është nivel rekord në dekadën e fundit. Hapësirat e mëdha të shkatërruara nga zjarret janë shkak i drejtpërdrejtë i rritjes së emetimeve të gazeve serrë, por për momentin nuk ka të dhëna zyrtare për sasinë e emetuar të dyoksidit të karbonit.

Ajo që është më shqetësuese për faktin se të dhënat për emetimet e gazeve serrë nuk publikohen me kohë është mungesa e informacionit përkatës, të saktë dhe të besueshëm që mund të përdoret si bazë cilësore për krijimin e masave të veprimit klimatik, pra vendosja për prioritetet e disa prej masave të propozuara sipas nevojave aktuale. Ndryshe, si shtet tashmë e kemi përgatitur Strategjinë Afatgjatë për Veprim Klimatik me Plan Veprimi.

Në fakt, Enti Shtetëror i Auditimit në Raportin përfundimtar për auditimin e performancës “Masat dhe politikat e ndërmarra nga RMV/autoritetet kompetente për të zbutur ndryshimet klimatike” kritikon se nuk është krijuar sistem për inventarizimin e emetimeve të gazeve serrë, ndërsa disa institucione kanë krijuar Inventar Kombëtar për emetimet e gazeve serrë. Prandaj auditorët shtetërorë në Raportin e tyre konkludojnë se nuk ka bazë unike të të dhënave për emetimet e gazeve serrë, që mund të përdoret nga të gjitha subjektet e interesuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button