Horizonte të hapura

“Në epokën e malit informatik, që na shitet si ‘epokë e dijes’, nuk kemi nevojë për më shumë informacion, por për urtësi.”

Kolana e veprave të shqipëruara të mendimtarit të mirënjohur turk Ibrahim Kalın pasurohet edhe me një tjetër, me më të renë – Horizonte të hapura, pjesë e së cilës është edhe fjalia e mësipërme që portretizon ose vë në fokus sasinë/cilësinë e të dhënave që përkapim në “shoqërinë e kapitalizmit informacional”, të ”ndotjes informative” që e bën të domosdoshëm një sens “ekologjie informative” me bazë urtare, të një arsyetimi me zemër. Në veprën që keni në duar, ku temë themelore është qenia, jeta, dija dhe urtësia, autori rithekson tërësishmërinë e ekzistencës përkundër atomizimit të saj, elaboron vlerën e mendimit të mirëfilltë, etik, tejllogaritar, tejzotërues; analizon çështjen e të mirës, të drejtës dhe të bukurës. (CMK, 2021) Sipas tij, për të qenë i mirë duhet menduar të mirën, për t’u bërë i drejtë duhet rendur pas të drejtës, për të qenë i bukur duhet kuptuar të bukurën. Siç tregon edhe titulli, ligjërata e kësaj vepre synon zgjerimin, hapjen e horizonteve që na shpien drejt të vërtetës dhe burimit të dritës.

Sipas Kalın-it, mendimi është një gjë “e rrezikshme dhe e mundimshme”, por edhe kusht ekzistencial për ta njohur dhe gjetur veten, për t’u çliruar në plotkuptimin e fjalës. “Për të shpëtuar nga prangat e këmbëve, së pari duhet shpëtuar nga prangat e vëna mendjes”, – thotë autori. Njeriu është një qenie që ekziston aq sa mendon. Mendimi e përcakton formën e qeniesimit  të njeriut, ia tregon atij rrugën, e avancon, e sublimon atë. Por, vetëm mendimi nuk mjafton: duhet gjetur lidhjen e pashkëputshme mes mendimit dhe moralit, mes përsiatjes dhe  virtytshmërisë.

Mendimi mund të jetë “emisar” i të mirës, të bukurës dhe të drejtës vetëm nëse e transformon pozitivisht qenien tonë (Mühürdaroğlu, 2021). Ç’e do që në shoqërinë e shekullit tonë mbizotërojnë imitimi i verbër dhe dija pragmatiste që sjell dobi. E idealet? Për to thuhet “vdesin vetëm të marrët”. Në fakt, idealet do të duhej të ishin qëllim i kulmor i frymimit human, ngase jeta pa ideale shpie në shtrembësi, që sillet nga preferencat personale absurde, anti-urbanizimi, politikat arsimore joefektive, e deri te marrëdhëniet ndërkombëtare anarkike,   që krijojnë sindromën e “epokës së paqartësisë dhe pasigurisë” (Galbraith), që kohëve të fundit e ka shpërfaqur veten përmes kataklizmave ekologjike, pandemisë Covid-19, kërcënimeve për Luftën e Tretë Botërore, atë bërthamore e të tjera. Qytetërimi modern është i dobishëm për ta rritur profitin, por bie në provë në peshoren e arsyes dhe virtytit.

Gjashtë titujt ose njësitë përbërëse të kësaj vepre janë ndërthurur në mënyrë mjeshtërore, duke ngërthyer në vete kuptime të thella, që dalin njëri pas tjetrit, që krijojnë një ndjenjë të prehjes gjatë leximit. Kalın-i, me interpretimet e veta, na jep mësim për ta gjetur veten në një kontekst të hipermodernitetit dhe të shpejtësisë ekstreme, kur në çast prodhojmë dhe në çast konsumojmë, kur kënaqësitë i kemi sipërfaqësore dhe të përkohshme, kur nuk kemi kohë t’i shohim hijeshitë që na rrethojnë, kur inxhinieria sociale – përmes statistikave – është shndërruar në prijatare të fatit tonë, kur s’kemi kohë të merremi me qenien me shkronjë të vogël dhe të madhe, kur vrapojmë pa marrë frymë, pa kokë, pa finesa, pa thellësi. Andaj sot, më tepër se kurrë, vjen në shprehje metafora e Dostojevskit: Njeriu, kur është në vrap, s’mund t’i shijojë as bukurinë, as detajet, as aromën e luleve pranë të cilave kalon. Për t’i shijuar ato bukuri duhet ta ngadalësojë vrapin, të ecë, madje edhe të ndalet në vend para një luleje, ta analizojë atë fije për fije. Ka ardhur koha që nga ultradinamizmi i thekshëm të kalojmë në normalitet, t’i kthehemi natyrshmërisë. Në të kundërtën, e ardhmja jonë është një enigmë e madhe.

Ky libër, me elemente të filozofisë, sociologjisë, psikologjisë e teozofisë është një prurje me vlerë në kulturën tonë shpirtërore dhe akademike. “Universiteti Alternativ” edhe përmes kësaj prurjeje, përmes shkollarëve dhe teksteve inspiruese si ky, ngrihet si një shtëpi në shërbim të dijes, të njeriut, të përndritjes qytetërimore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button