Mbi shtetet me derra të kënaqun dhe sokratë të vuejtun

Edhe në kohën tonë, njësoj si në të shkuarën, bota ka plot shtete që nuk janë në gjendje të sigurojnë as ekzistencën e qytetarëve të tyre. Kjo ndodh në demokracitë e nëpërkëmbura nga kastat politike të hajdutëve – grupet e njerëzve me pozita të veçant shoqërore, që mbrojnë intereset meskine vetjake dhe e konsiderojnë veten të ndryshëm nga të tjerët. Janë këta tipat që vijnë në pushtet me premtimin se do të ndërtojnë shtetet e së drejtës, ku do të lulëzojë jeta njësoj si në vendet stabile e me mirëqenie, ku dëshirojnë të jetojnë gjithë popujt e shkretishteve afrikane, aziatike, ballkanike…

Sajesat e këtilla nuk kanë sovranitet, sepse parësitë e tyre shkrihen padiktueshëm në magmën e klaneve mafioze të eskobarëve të frikshëm e të gjithpushtetshëm, që s’i japin askujt llogari për mbrapshtitë dhe rrëmujën nga e cila përfitojnë gjithçka që s’ua mundësojnë as diktaturat ,që dikur i kanë sfiduar, për t’u bërë pastaj beteri beterëve.

Këto biçim shtete janë jostabile dhe nuk kanë shtresa të mesme shoqërore, që gëzojnë siguri ekonomike dhe konsiderohen të domosdoshme për mbajtjen në këmbë të shëndosha të shteteve tamam.  Kjo lind pradoksin e pakapshëm nga mendja e njerëzve që i bëhet teslim fatit të betonuar dhe jetës qençe dhe që nuk e kuptojnë se pikërisht shkretishtet me dy klasë skajshmërisht të ndryshme nga njëra-tjetra, pjellin sfrutuesit më të ligë, oligarkët më të pasur të globit, të cilët, në dallim nga pasanikët e pjesës së qytetëruar të botës, pasurohen nga vjedhja e hises së skamnorëve dhe falë fatalizmit të kultivuar me sistem në shpirtërat e padjallëzuar dhe mendjet e tyre naive.

Më vin keq, por, duke pasur parasysh shprazjen e shpejtë dhe të tmerrshme të trojeve etnike nga rinia dhe nga truri që nuk na ka ndodhur as në stinët më të acarta historike, them se gjithë shtetet ku jetojmë ne s’janë tjetër pos shkretishteve të sipërpërmendura, me dy soje njerëzish: atë të hajdutëve ordinerë pa asnjë ndjenjë atdhedashurie (respekt përjashtimeve të ralla!) dhe atë të varfanjakëve të shfytyruar të klasës së ulët dhe të pakualifikuar, që sigurojnë ekzisencën me punë krahu, dhe shfrytëzohen gjithanshëm nga padronët e pashpirtë që jetojnë në luks të paparë.

Sytë e shpirtit tim këtë e kanë parë/lexuar fillimisht vetëm në libra krijuesish të mëdhenj, si puna e Migjenit tonë, i cili pavdekësoi shoqëritë  me dy klasë shoqërore: me derra të kënaqun dhe me sokratë të vuejtun.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button