Basha: Qeveria dështoi në objektivat e shpallura

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot një delegacion të Bankës Botërore kryesuar nga zëvendëspresidentja për Evropën dhe Azinë Qendrore, Laura Tuck.

Gjatë këtij takimi në fokus të bisedimeve ishte shqetësimi i opozitës për mossundimin e ligjit dhe përkeqësimi i treguesve ekonomikë e fiskal.

Duke analizuar zhvillimet në ekonomi të këtyre 9 muajve, Basha tha se rritja e nivelit të borxhit publik, rritja e pasigurisë, ndalja e investimeve publike dhe intimidimi i investimeve private përmes arbitraritetit qeveritar dhe shkeljes së ligjit, kanë kontribuar në rënien e rritjes ekonomike dhe shtimin e papunësisë.

Gjatë fjalës së tij Basha theksoi se, qeveria ka dështuar në objektivat e shpallura të mbledhjes së të ardhurave. Duke iu referuar vetë buxhetit dhe planit të ekzekutivit, që parashikon mbledhjen e 40 miliardë lekëve, faktet tregojnë se me ecurinë e derisotme nuk arrihet as gjysma e kësaj shifre.

“Duke iu referuar raporteve të institucioneve financiare, të cilat konstatojnë në vijimësi se ka rënie të kreditimit, konsumit dhe punësimit, kryetari i opozitës theksoi domosdoshmërinë e përballjes me realitetin dhe jo përhumbjen në propagandë apo falsifikim të të dhënave siç po bën aktualisht qeveria për konsum mediatik. Në të kundërt, pasojat do të bëhen gjithmonë e më të rënda dhe të papërballueshme për qytetarët dhe vendin”,  u shpreh Basha.

Kreu i PD-së informoi delegacionin e Bankës Botërore për shqetësimin që ka lidhur me shkeljen e ligjit në vend ana e qeverisë. Po ashtu, përfaqësuesit e Bankës Botërore e vlerësuan shkëmbimin e informacionit dhe pikëpamjeve me opozitën e vendit dhe u shprehën të gatshëm për të mbajtur një dialog të vazhdueshëm me Partinë Demokratike./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button