T’i shmangemi narrativës së “denazifikimit”

Përderisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin t’i hapin kapitujt e BE-së, në veri të Kosovës, aktorë rajonal dhe global po bëjnë pazare të reja. Nuk është aq vështirë të përshkallëzohen tensionet në veri dhe as më pak për qeverinë e brishtë të z. Albin Kurti e cila duhet të gjejë opsione të reja rreth asociacionit. Historikisht, lufta është e domosdoshme kur nuk ka asnjë zgjidhje tjetër dhe të gjitha mundësitë për paqe dhe bisedime janë shteruar. Gjenerali nga Prusia Karl von Klausevitz ose Carl von Klausewitz (1780-1831) në librin e tij “Mbi Luftën”, shumë qartë tregon se kur lufta duhet të fillojë dhe cilat janë përparësitë dhe dobësitë teorike të shpalljes së luftës nga një kundërshtar më i dobët. I shkruar dy shekuj më parë, libri i Klausevitz-it vazhdon të mbetet një lexim kryesorë rreth veprimeve të lidershipit në ndërtimin e strategjisë diplomatike dhe ushtarake. Botimi i tij “Mbi Luftën” mund të konsiderohet si studimi ku udhëheqësit e rinj duhet të mbështeten, dhe natyrisht të jenë të detyruar ta lexojnë para mandatit dhe gjatë qeverisjes. Strategëve bashkëkohorë e sidomos atyre që veprojnë në rajonin ballkanik, idetë e Klausevitz-it do të duhet të konsiderohen si këshilla të mirëseardhura dhe të nevojshme për kohën që shtetet e Ballkanit Perëndimor po kalojnë.

Ditë më parë kryeministri i Kosovës z. Kurti në prag të shkuarjes në Bruksel, në një intervistë për një media të huaj paralajmëroi për rrezikun e një konflikti me Serbinë dhe dorën ruse e cila e shtyn Beogradin drejt një përleshje me Kosovën -“denazifikimin”. Shqetësimet e Kurtit dhe shumë aktorëve tjerë në Ballkan për kërcënime të reja për të destabilizuar rajonin nga dyshja ruso –serbe, mund të kenë efekte pozitive tek partnerët ndërkombëtarë, gjithnjë për të rritur vëmendjen ndaj Kosovës dhe Bosnjës. Mediat pro qeveritare të Serbisë dhe ato të mbështetura nga Rusia vazhdojnë të publikojnë dezinformata kundër qeverisë në Prishtinë, duke akuzuar Kurtin se përgatit plane për likuidimin e serbëve të Kosovës. “Bota serbe” dhe “denazifikimi” shkojnë bashkë në politikën serbe dhe jo vetëm ndaj Kosovës. Duke marrë parasysh pozitën e Kosovës, atë në veri dhe gjithsesi të rajonit, një konflikt me përmasa të kufizuara në veri do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për tërësinë territoriale të Kosovës.

Në një skenarë të tillë, NATO-ja pavarësisht mandatit që ka në Kosovë, nuk është aq e interesuar që të hyjë në këtë kohë në luftë me Serbinë, kështu që barra kryesore do të binte mbi popullatën kosovare. Dhe këtu në një skenar luftarak, pjesa e Kosovës Veriore si vështirë do të mund të mbahej nën juridiksionin e Kosovës, pavarësisht zotimeve të qeverisë në Prishtinë. Andaj Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme për lëvizjet ushtarake në veri. Ajo që mbetet aktuale dhe duhet të shihet me hapa pragmatikë, është që Prishtina zyrtare të angazhohet në krijimin e miqve të rinj, nevojën për një ndryshim radikal në diplomacinë kosovare dhe kujdesin që duhet të tregojë nga grackat e propagandës ruso-serbe. Nga historia evropiane e dy shekujve të fundit, kemi shembuj të njëjtë ku si sot Kosova dhe shtetet që janë në pozitë jo të favorshme gjeopolitike, kanë mbijetuar në sajë të vendosjes së diplomatëve të shkathtë në çështjet e jashtme. Koha është që qeveria në Kosovë të jetë e aftë të mbajë gjendjen stabile jo vetëm brenda territorit kosovarë, por edhe jashtë, si një shtet që përkundër shqetësimeve që vinë nga serbët, të vazhdojë njëkohësisht të jetë një qeveri largpamëse dhe garantuese e stabilitetit rajonal pa pasur nevojë të hyjë në mosmarrëveshje të reja me NATO-n, dhe SHBA.

Në përgjithësi, tregimet e politikanëve për një luftë të mundshme ka të ngjarë të jenë supozime dhe profeci pa vend ose të pakrahasueshme. Gabime të tilla nga liderët janë bërë në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia e deri në ditët e sotit. Së këndejmi janë të dëmshme vlerësimet e liderëve se armiku është në prag të sulmit. Për më shumë në raste të tilla specifike, Klausevitz në botimin e tij argumentonte se  “çdo kuptim i përgjithshëm i luftës duhet të ketë parasysh tre elementë të lidhur. Marrëdhënia e tyre me njëri-tjetrin nuk duhet të jetë as arbitrare dhe as fikse; pasi ato ndryshojnë me karakterin e çdo lufte të veçantë”.

Principet e Klausevitz-it rreth luftës janë të dobishme për të ndihmuar në zbërthimin e kuptimit teorik të luftës, nga abstraktja në praktikë, duke përfshirë këtu natyrën dhe karakterin e luftërave të ardhshme, pra ajo e “denazifikimit” të shteteve fqinjë. Nga mësimet e gjeneralit prusian Klausevitz, liderët tanë në Ballkan mund të nxjerrin mësime rreth luftës, reales dhe propagandës e cila shpeshherë ndodh të shkojë në drejtim të gabuar dhe në shërbim të aktorëve tjerë gjeopolitik të interesuar për trazira të reja në Ballkan ose në shërbim të politikave të zgjerimit territorial. Klausevitz-i dhe veprat e tij për kohën e vështirë që po kalojnë politikanët në Ballkan bëhet edhe më shumë i domosdoshëm për tu lexuar. Kurse në BE, me këtë frymë ushtarake në rajon nuk mund të hapen kapitujt, dhe më keq, nuk mund të mbyllen nga qeveritë që ëndërrojnë BE-në. Andaj qasjet realiste dhe realizmi mbeten si zgjidhje për të gjitha dilemat e lidershipit në Ballkanin Perëndimorë dhe mundësisht shmangies prej propagandës së “denazifikimit” të fqinjëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button