Çfarë na mëson debati mbi të drejtën për të abortuar pas precedentit në SHBA

Në qershor 2022, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës hodhi poshtë një precedent ligjor, të njohur si çështja Roe v. Wade që e përcaktonte abortin si një të drejtë të mbrojtur nga kushtetuta e shtetit federal amerikan. Në Shqipëri, ky lajm është pritur me debate dhe diskutime, si nëpër portale dhe në emisione televizive me shtrirje kombëtare, raportoi Faktoje.

Barbara Halla 

BurimLapsi

Në vrullin e debateve që pasuan një vendim të gjykatës së Lartë të SHBA mbi abortin, kanë lulëzuar dizinformata të shumta mbi abortin vetë dhe të drejtat e grave mbi trupin e tyre. Këto pikëpamje shpesh paraqiten si fakte objektive, kur përkundrazi janë opinione të bazuara mbi bindje fetare (si myslimane dhe të krishtere) të cilat—në vende laike si Shqipëria ku ka një ndarje të qartë midis fesë dhe apartit shtetëror—nuk mund të përdoren për të ndërtuar politika sociale dhe shëndetësore.

BurimPolitiko.al

Por faktet e paqëna mbi abortin në hapësirat mediatike shqiptare i paraprinë vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë në SHBA, dhe nuk janë medoemos të natyrës fetare apo le të themi filozofike. Për shembull, në 2019, një artikull përmbante disa gabime statistikore dhe ekonomike mbi abortin, të cilin e paraqiste si një problem për shoqërinë shqiptare, pa u fokusuar tek dimensioni real i problemit.

Të Dhëna të Përgjithshme mbi Abortin në Shqipëri

Përpara se të vazhdojmë me diskutimin e keqinformimit që ekziston mbi abortin, ja disa pika kyçe që kanë të bëjnë me abortin në Shqipëri.

Aborti në Shqipëri është legalizuar në dhjetor të vitit 1995 dhe ai mund të kryhet deri në javën e 12 të shtatëzënisë në përgjithësi, ose deri në javën e 22-të për arsye mjekësore ose sociale. Një komision prej tre mjekësh (në rastin e parë) ose mjekësh, punonjës socialë dhe jurist gjykon se aborti është i nevjoshëm për të shpëtuar jetën e nënës, ose në raste përdhunimi ose një krimi tjetër seksual.

Sipas ligjit nr. 7491 të Republikës së Shqipërisë, “ndërprerja e vullnetshme e shtatëzënisë bëhet vetëm nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog në institucione shëndetësore shtetërore e private që plotësojnë kushtet e përcaktuara në udhëzimin përkatës të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit.”

Në varësi të natyrës së shtatëzënisë, aborti merr forma të ndryshme. Deri në javën e shtatë të saj, zakonisht aborti kryhet përmes administrimit të barnave që quhen Mifepriston dhe Misoprostol. Për shtatëzëni më të shtyra, aborti bëhet në klinikë. Procedura zgjat diku tek 10 minutat.

Përpara se gruaja ose vajza të kryejë abortin, mjeku specialist është i detyruar me ligj që ta informojë atë mbi procedurën dhe rreziqet e abortit.

Përtej ligjit, raporti i INSTAT “Gratë dhe Burrat në Shqipëri,” bën dallimin midis dy kategori abortesh: aborte spontante dhe aborte të provokuara. “Aborti spontan” është terminologjia mjekësore për atë që në gjuhën familjare njihet si “shtatëzëni e dështuar.” Abort i provokuar është ai i bërë me zgjedhjen e gruas ose vajzës.

Sipas raportit të sipërpërmendur, në 2020 në Shqipëri u kryen 4,540 aborte, ku 80,8 ishin aborte spontane, pra të padëshiruara. Shumica e aborteve u kryen nga gra të moshës 20-34 vjeç, por ka pasur edhe aborte nën atë moshë. 104 aborte për 1,000 lindje të gjalla janë bërë nga vajza të moshës 17 vjeçare.

31% dhe 25,2% e aborteve janë kryer nga gra me arsimim 9-vjeçar dhe të mesëm respektivisht. Pjesa dërrmuese e aborteve (73,7%) janë kryer nga gra të martuara dhe vetëm 6,7% nga gra beqare.

Të vërtetat mbi abortin

Jeta nuk nis në ngjizje

Ndërsa një pjesë dërrmuese e miteve mbi abortin (të cilat do të shtjellohen më poshtë) kanë natyrë statistikore, një nga diskutimet më të forta të natyrës së abortit ka të bëjë me tema më filozofike dhe bio-etike.

Një nga argumentat kryesore të grupimeve kundër abortit është se aborti vret foshnje, duke u bazuar në idenë që jeta fillon në ngjizje, pra në momentin që spermatozoidi prek vezën. Ka disa arsye përse shkencëtarët nuk e pranojnë këtë përcaktim të jetës. Së pari, edhe nëse një vezë e fertilizuar ka potencialin të krijojë një fetus, shumë vezë të fertilizuara nuk mbijetojnë për arsye natyrale. Ky argument prek sidomos kontreceptivë si pilulat që jepen 24 orë pas marrëdhenieve seksuale që të ndalojnë ngjizjen. Aktivistët kundër abortit i quajnë këto pilula si “abort” në kundërshti me opinion shkencor.

Së dyti, një embrion i tillë nuk mbijeton dot jashtë trupit të nënës, pra nuk është një qenie e vetëdijshme që mund të mbijetojë jashtë mitrës. Kjo ndodh zakonisht në javën e 22-24, kur është edhe limiti i fundit për abortin në shumë legjislatura që e lejojnë atë.

Aborti është i rëndësishëm për autonominë trupore te grave

E vërteta ngelet se ky është një përcaktim ende në fluks, me debate të forta mbi çfarë nënkuptojmë me “jetë” nga pikëpamja filozofike. E drejta e abortit në vetvete bazohet mbi të gjitha mbi të drejtën e gruas për të vendosur mbi trupin e saj, duke qenë se ky parim është një nga themelet e ligjit mbi të drejtat e njeriut.

Në fakt, aborti njihet si një e drejtë e pakthyeshme nga shumë organizata ndërkombëtare, si Human Rights Watch Amensty International, dhe Kombet e Bashkuara. Ligji ndërkombëtar ka vendosur se ndalimi i abortit përbën “shkelje të të drejtave për shëndetin, privatësinë dhe, në raste të caktuara, të drejtën për të qenë i lirë nga trajtimi mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.” Ligje të tilla që ndalojnë abortin dhe e kthejnë atë në krim konsiderohen si pjesë e dhunës gjinore ndaj grave.

Për të kuptuar përse autonomia trupore është dhe duhet të jetë baza e ligjeve në mbrojtje të abortit, filozofja Judith Jarvis Thomson përdor shembullin e dhurimit të organeve. Edhe nëse dikush është duke vdekur, dhe mund t’i shpëtohej jeta falë dhurimit të një organi nga ana jonë (si përshmebull një veshkë, ose mëlçia të cilat nuk nevojisin sakrificë), asnjë nuk na detyron dot ta japim këtë organ. Përse? Pasi kemi autonomi trupore, dhe kemi të drejtë të zgjedhim vetë për trupin tonë, edhe në rastet kur trupi ynë mund të vihet në rrezik ose shërbim të dikujt tjetër. Trafiku i organeve është një krim serioz pikërisht pasi cënon autonominë trupore dhe të drejtën e dikujt për të zgjedhur.

Abortet nuk janë të rrezikshme

Abortet e kryera gjatë tremujorit të parë të shtatëzënisë janë një procedurë mjeksore e parrezikshme. Sipas një studimi të Institutit Guttmacher, këto lloj abortesh kanë më pak se 0.05% shanse të kenë komplikime që rrezikojnë jetën e gruas. Në javët e para të shatëzënisë, deri diku tek java e nëntë, aborti kryhet përmes barnave, ndërsa në periudhën e mëtejshme, aborti kryhet në klinikë nga një gjinekolog dhe zgjat vetëm 5-10 minuta. Diku mes 1 në 4, ose 1 në 3 gra do të kryejnë një abort në jetën e tyre dhe studimet tregojnë se abortet janë më pak të rrezikshme se shtatëzënitë.

Nje studim i publikuar nga sociologia Diana Greene Foster në librin, “The Turnaway Study: Ten Years, a Thousand Women, and the Consequences of Having—or Being Denied—an Abortion,” ndoqi mbi 1,000 gra amerikane për një periudhë 10-vjeçare pasi ato kishin kryer abortin dhe zbuloi se 95% e grave ishin të lumtura me vendimin që kishin marrë. Për më tepër, Foster dhe bashkautorët e saj vënë në dukje, se shumica e grave që bëjnë abort ndihen të lehtësuara pas procedurës dhe pa dëme psikologjike.

Numri i aborteve është në ulje

Një gabim tjetër në artikujt që citojnë numrat e aborteve të marra nga INSTAT, është fakti që nuk bëjnë dallimin midis aborte spontante dhe atyre të provokuara. Siç e përmendëm më sipër, aborti spontan në gjuhën familjare njihet si “shtatëzëni e dështuar,” dhe përbën pjesën dërrmuese të aborteve të regjistruara nga institutet shtetërore. Pra, kur citohen numra si “29 mijë aborte” apo “54 aborte për 1,000 lindje të gjalla”, apo kur përcaktohet aborti me retorikë si “holokauste financiare,” kjo nuk merr parasysh se mbi 80% të aborteve janë dështime të padëshiruara dhe jo aborte të zgjedhura.

Për më tepër, abortet në Shqipëri vazhdojnë të ulen, nga 1 abort në 2.2 lindje në fillim të viteve 90, në një 1 abort në 5.7 lindje në vitin 2017, sipas Institutit të Shëndetit Publik. Duke qenë se kjo përfshin edhe abortin spontan, kjo vjen si pasojë e rritjes së metodave për kujdesin e shëndetit ndaj nënave dhe uljen në vdekjen e foshnjave.

Një studim i mëtejshëm i ISHP-së, fokusuar në periudhën 2010-2015, pohon gjithashtu se numri i aborteve ka ardhur në rënie, duke u ulur me 23.1% gjatë kësaj periudhe.

Abortet nuk kanë pasoja financiare negative për ekonominë

Sipas një artikulli të portalit Monitor, “Një nga efektet më të mëdha të legalizimit të abortit është rënia e nivelit të fertilitetit, si dhe e popullatës.” Në fakt, arsyet kryesore të rënies së niveleve të fertilitetit nuk kanë të bëjnë me legalizimin e abortit, por politika të ndryshme që kanë fuqizuar gratë duke i dhënë më shumë kontroll mbi jetën dhe trupat e tyre. Kjo përfshin akses ndaj kontraceptivëve, edukatës seksuale dhe pjesërisht abortit, si dhe përfshirja e një numri më të madh grash në tregun e punës dhe arsimimin e tyre.

Por, nga ana tjetër, nuk janë vetëm zhvillimet pozitive që kanë çuar në uljen e nivleve të fertilitetit: të rrisësh dhe edukosh një fëmijë ka kosto tepër të larta, dhe mbështetjet sociale ndaj nënave dhe familjeve në shumë vende janë të ulta. Dhe për më tepër, është në rritje numri i çifteve që nuk duan të kenë fëmijë si pasojë e ndryshimeve klimaterike. Në rastin e Shqipërisë, problemi qëndron po ashtu edhe tek emigrimi në masë për shkak të kushteve ekonomike.

Monitori po ashtu pohon se, “zvogëlimi i numrit të fëmijëve përmes abortit ndikon në ekonomi në tkurrjen e konsumit të mallrave për to, si dhe në tkurrjen e popullatës dhe si pasojë, të fuqisë punëtore dhe numrit të taksapaguesve për një shtet.” Studime ekonomike tregojnë të kundërtën. Një raport që iu dorëzua Gjykatës së Lartë të SHBA nga 154 ekonomistë tregoi se legalizimi i abortit në SHBA ndryshoi jetën e grave për mirë, duke i hequr ato nga situata abuzive dhe duke rritur mirëqenien ekonomike, të cilat kanë pasoja pozitive për ekonominë e një shteti në përgjithësi.

Për më tepër, mungesa e mundësisë për abort prek kryesisht gratë e varfëra. Lindjet e padëshiruara dhe të papërballueshme i ngecin gratë dhe familjet e tyre në një cikël varfërie të dëmshëm. Sipas raportit të INSTAT të cituar dhe nga Monitori, abortet ne Shqipëri kryhen kryesisht nga gra të papuna (71.6%) dhe të pasiguruara (73.2%), çka dëshmon në rolin që varfëria luan në zgjedhjen e abortit.

Përtej polemikave…

Nëse aborti përbën problem për Shqipërinë, ai është një problem specifik: aborti selektiv. Ky i fundit, në Shqipëri ndalohet me ligj dhe mund të ndërrmeret vetëm pasi njihet gjinia e fetusit, pra pas javës së 16-të. Preferenca e shumë familjeve për foshnje meshkuj ka çuar në abortimin e 15,000 fetueseve në Shqipëri midis 2005 dhe 2010, pasi ato ishin femra, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë. Të shtyra nga mentaliteti patriarkal i vendit, dhe nën trysninë kryesisht të bashkëshortëve, gratë detyrohen të kryejnë këto aborte, edhe nëse do të kishin dëshiruar ta mbanin foshjen. Kjo përbën një krim të dyfishtë duke qenë se ligji shqiptar mbi abortin e ndalon ushtrimin e presionit ndaj grave për të kryer aborte.

Megjithatë, aborti është i nevojshëm dhe i domosdoshëm dhe duhet të mbahet i ligjshëm. Puna duhet fokusar tek edukimi dhe zhdukja e mentalitetit patriarkal. Për më tepër, edhe për ata që duan të ulin numrin e aborteve, planfikimi i mirë familjar dhe mbështetja sociale është mënya më e mirë për të mbrojtur shëndetin riprodhues të grave dhe vajzave. Studimet tregojnë se edukata seksuale dhe lehtësia në marrjen e kontraceptivëve, janë metoda që i japin grave dhe vajzave fuqi mbi trupin e tyre, dhe rrisin barazinë gjinore, duke krijuar kështu një cikël progresiv që mund të ndikojë edhe tek probleme si aborti selektiv.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button