Berisha paralajmëroi protesta në vjeshtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar protesta në vjeshtë. Ai u shpreh gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët se vjeshta ka për t’u shndërruar në pranverën e protestave të demokracisë. Po ashtu, shtoi se Kryeministri Edi Rama do të trajtohet si armik, raporton Klan.

“Vjeshta do të jetë një pranverë e dytë e demokracisë. Vjeshta që vjen do të shndërrohet në pranverën e protestave të demokracisë. Nuk mund të shkohet më tutje kështu. Ai vazhdon aferën kriminale me djegësat, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sikur t’i ketë pronë të Surrelit. Qytetarët do thonë fjalën e tyre”, u shpreh Berisha.

Berisha u pyet edhe për komentet e Kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ditën e djeshme hodhi idenë e krijimit të një qeverie teknike. Kreu i demokratëve është shprehur se teza e përbashkët e të gjithë opozitarëve sot është largimi i Edi Ramës. Më pas u takon forcave politike që të vendosin nëse do të miratohet një qeveri teknike.

“Nuk kemi diskutuar, por teza jonë është kjo që Edi Rama duhet të largohet një ditë e më parë. Pas largimit të kësaj qeverie, detyra më themelore është përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. A do miratohet një qeveri teknike apo si do quhet ajo, kjo është diçka që do e vendosin forcat politike, por largimi i Edi Ramës është një imperativ absolut”, u shpreh Berisha.

Kreu i selisë blu ndër të tjera vlerësoi qëndrimin e Metës për referendumet. Sipas Berishës, Kushtetuta ka humbur sensin e saj me marrjen e të gjitha pushteteve nga Edi Rama.

“Dhe unë vlerësoj qëndrimin e Partisë së Lirisë për referendumet. Kushtetuta ka humbur sensin e saj me marrjen e të gjitha pushteteve nga Edi Rama, de facto ajo ka rënë. Sepse misioni i saj i një Kushtetute është ndarja e pushteteve. Nëse kushtetutshmëria është futur si shtyllë bazë e demokracisë, është futur për balancën e pushteteve. Ky është misioni që këtu ka humbur. Përveç kësaj, janë bërë ndërhyrje në Kushtetutë të shumëllojta, që i kanë privuar asaj zhdërvjelltësinë. Së treti, Shqipëria është i vetmi vend ku qytetarët nuk mund të flasin me votën e tyre”,  theksoi Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, tha se grupi parlamentar i selisë blu do të qëndrojë luajal ndaj shumicës që e ka votuar.

“Nuk mund të mohohet që ka diversitet në qëndrime, por në tërësi mendoj se çdo deputet do qëndrojë luajal shumicës që e ka votuar. Do të jetë e përkushtuar në betejën kundër këtij regjimi i cili dëshmon mungesë të plotë ndjeshmërie ndaj qytetarëve. Nëse ju do kërkoni ta karakterizoj në dy fjalë të vetme këtë regjim do thosha gënjen dhe vjedh, vjedh dhe gënjen. Ky është ekuacioni në të cilin lëviz Edi Rama”.

Berisha u pyet edhe në lidhje me zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai u shpreh se PD është për koalicion, por theksoi se parimi bazë i demokratëve nuk ndryshon kur bëhet fjalë për primaret.

“PD në këto zgjedhje sjell risinë më të madhe në historinë e këtij vendi. Sjell primaret, të cilat pas vendosjes së pluralizmit politik, janë arritja më e madhe e demokracisë pas themelimit të pluralizmit politik, janë pluralitet, janë fundi i kryetarokracisë, janë garanci madhore për pengesë ndaj autokracisë. Kështu që ne e presim me shumë përkushtim dhe kënaqësi zbatimin e këtij zotimi solemn në zgjedhjet që vijnë. Me ne erdhi pluralizmi politik, me ne do të vijë edhe ky standard i lirisë që është pluralitet brenda partisë”, tha Berisha i cili shtoi se kandidatët e rinj për kryetarë bashkie nuk do i caktojë kreu i selisë blu, por anëtarët e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button