Gaz nga Rusia, Azerbajxhani apo mazut – çfarë do të përdor Shkupi për ngrohje sezonin që po vjen?

Tregu i gazit natyror në Maqedoninë e Veriut është i liberalizuar, prandaj tregtarët me shumicë mund vetë të negociojnë se prej ku do ta marrin gazin. Kjo është përafërsisht përgjigja e thjeshtuar nga Ministria e Ekonomisë në pyetjen e Agjencisë së Lajmeve Meta, nëse vendi planifikon të importojë gaz rus për sezonin e ardhshëm të ngrohjes, nga i cili varet ngrohja e banesave të dhjetëra mijëra familjeve në kryeqytet, si dhe pyetja nëse gazi blihet nga Rusia, a do të paguhet në rubla, siç ka kërkuar zyrtarisht Moska, transmeton Portalb.mk.

“Duke pasur parasysh se tregu i gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut është plotësisht i liberalizuar, blerja e gazit natyror për nevojat e prodhimit të energjisë elektrike apo ngrohjes është objekt i marrëveshjeve dypalëshe që tregtarët me shumicë, të gazit natyror, mund t’i lidhin me furnizuesit jashtë vendit ose për të blerë gaz në disa nga bursat rajonale”, është përgjigja e plotë nga Ministria e Ekonomisë.

Pas agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, që filloi më 24 shkurt të këtij viti, dhe vendosjes së sanksioneve ekonomike të bashkësisë ndërkombëtare kundër Rusisë, autoritetet ruse vendosën që nga 1 prilli, blerësit e huaj të gazit rus do të duhet të paguajnë për të me rubla. Letonia ishte vendi i fundit evropian, të cilit “Gazprom” ia ndërpreu dërgimin e gazit rus për shkak të refuzimit të kësaj kompanie energjetike të paguaj me rubla.

Rusia në muajt e fundit ka shkurtuar furnizimin me gaz për Poloninë, Bullgarinë, Finlandën, Holandën dhe Danimarkën, të cilat kanë refuzuar të paguajnë për gazin rus sipas urdhrave të Vladimir Putinit, i cili u kërkoi blerësve të hapnin llogari bankare në rubla në banka ruse si pjesë e një projekti të ri për të zgjidhur çështjen e pagesës së gazit.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut deri tani ka qenë plotësisht e varur nga importet nga Rusia në furnizimin e vendit me gaz natyror, i cili, së bashku me variantin alternativ – naftën, është energjia që përdoret për të marrë energji termike në impiantet për ngrohje në Shkup.

Gazi nga Azerbajxhani përmes interkonjektorit në Bullgari ndoshta vitin e ardhshëm

Nga Ministria e Ekonomisë kërkuam sqarim nëse Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të përdorë interkonektorin e ri të gazit midis Bullgarisë dhe Greqisë, përmes të cilit vendi do të importojë gaz nga Azerbajxhani në sezonin e ardhshëm të ngrohjes.

Kjo ministri sqaron se Komisioni Evropian dhe Bullgaria, në takimin e majit 2022 në Sofje, ranë dakord për formimin e grupit të parë rajonal të punës, si pjesë e Platformës së BE-së për blerjen e energjisë.

“Përmes platformës së re rajonale të BE-së për blerje të gazit, në të cilën merr pjesë edhe vendi jonë, do të zgjidhen nevojat rajonale për gaz dhe energji elektrike, infrastrukturë, çmimet, por dhe reduktimi i varësisë nga burimet ruse të energjisë. Ky projekt synon të ketë një pasqyrë të nevojave për energji elektrike dhe gaz, çmimet dhe rrjedhat, si dhe aspektet infrastrukturore”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.

Ata shtojnë se grupi rajonal i punës do të fokusohet në vitin e ardhshëm dhe do të ofrojë ekspertizë dhe njohuri specifike rajonale për të zhvilluar dhe zbatuar planin e veprimit “REPowerEU” për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile ruse, për të rimbushur depozitat para dimrit të ardhshëm dhe për të përshpejtuar më tej dekarbonizimin e sektorit energjetik.

Ai do të mbështesë dhe koordinojë zbatimin e planeve të përbashkëta të gatishmërisë në rajon, duke përfshirë prokurimin, ruajtjen dhe ndërlidhjet ndërkombëtare, duke kontribuar kështu në sigurinë e furnizimit në rajon, Komunitetin Energjetik dhe më gjerë.

“Puna e grupit punues do të bazohet veçanërisht në përgatitjet e Komisionit Evropian për një numër të caktuar skenarësh për ndërprerje të energjisë, në koordinim të ngushtë dhe solidaritet me shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet nga Ministrina e Ekonomisë.

Dërguam pyetje edhe te shoqëria aksionare shtetërore Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM), e cila me tre shoqëritë e reja tregtare me përgjegjësi të kufizuar, që do të prodhojnë, shpërndajnë dhe furnizojnë energji termike në Shkup, u ngarkuan nga Qeveria të aplikojnë në procedurën për zgjedhjen e ofruesit të aktivitetit energjetik për sigurimin e ngrohjes qendrore në Shkup.

Megjithatë, nga ELEM  nuk morëm përgjigje për pyetjet nëse planifikohet të importohet gaz natyror nga Rusia për sezonin e ardhshëm të ngrohjes dhe nëse SHA EMV shtetërore pranon t’ia paguajë gazin Rusisë në rubla.

Drejtori i “Burimet Kombëtare Energjetike”, Bajram Rexhepi, nga ana e tij për  këto ditë për portalin “A1on” tha, se furnizimi me gaz natyror për vendin varet nga “Gazpromi” rus, i cili ka një qira afatgjatë për kapacitetet e sistemit të transmetimit të gazit të Bullgarisë. Vendi ynë ka lidhje gazi vetëm me Bullgarinë.

Mazuti është opsion për ngrohje nëse ka ndërprerje në furnizimin me gaz

Nga Ministria e Ekonomisë, për Meta.mk, sqarojnë se Qeveria e RMV-së së pari duhet të shpallë thirrje publike për përzgjedhjen e një kompanie të re e cila do të ofrojë shërbimet për të cilat deri tani ishte përgjegjës BEG. SHA EMV do të duhet të marrë pjesë në thirrjen publike, ndërsa Ministria e Ekonomisë tashmë ka njoftuar se në gusht do të shpallë gjendjen e krizës në sektorin e energjisë për të siguruar sezon të qëndrueshëm të ngrohjes.

“Duke qenë se BEG Prodhimtari SHPKNJP nuk e ka më aktive licencën për të ushtruar aktivitetin e prodhimit të rregulluar të energjisë termike, operatori i ri i aktivitetit duhet të zgjidhet sipas një procedure nga Qeveria, i cili ndër të tjera duhet të sigurojë sasitë e nevojshme të gazit natyror për nevojat e sigurimit të energjisë termike nga operatorët ekzistues të cilët sipas Ligjit për Energjetikë kanë licencë për tregtimin e gazit natyror dhe/ose furnizimin me gaz natyror”, e sqarojnë nga Ministria e Ekonomisë procedurën që do të vijojë pasi të përzgjidhet pasardhësi që do të mundësojë shërbimet të cilat BEG u ka ofruar banorëve të Shkupit.

Mirëpo, Ministria e Ekonomisë e citojnë edhe Ligjin për Energjetikë, ku në nenin 153 thuhet se Prodhuesi i rregulluar i energjisë termike është i obliguar që gjatë sezonit të ngrohjes të sigurojë rezerva operative të karburanteve alternative në sasi që është e nevojshme për të paktën 15 ditë pune me kapacitet maksimal. Kjo do të thotë se SHA EMV, përmes kompanisë së re tregtare që do të prodhojë energji termike në Shkup, do të duhet të sigurojë edhe mazut si burim alternativ energjetik për impiantet termike të Shkupit. Lajmi i mirë që vjen nga mediat botërore është se çmimet e derivateve të naftës javët e po shënojnë rënie graduale, përfshirë edhe atë të mazutit.

SHA EMV tashmë ka njoftuar se ka kapacitet për të siguruar shërbimet për ngrohje të qytetit të Shkupit, që ishte evidente në sezonin e kaluar të ngrohjes, kur menaxhimi i krizës ishte ndërmarrë përmes përfaqësuesve nga SHA EMV ndaj BEG dhe Shkupit Veri, në bazë të ngarkesës nga Qeveria e RMV-së.

Drejtori i SHA EMV, Vasko Kovaçevski, këto ditë tha se janë të gatshëm të marrin punëtorët nga BEG në tri kompanitë e reja për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me energji termike në Shkup, të cilat do të funksionojnë në sezonin e ardhshëm të ngrohjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button