fbpx

Ende nuk dihet nëse konvikti studentor në Tetovë do të jetë gati për këtë semestër

Edhe pse kanë përfunduar punët ndërtimore, konvikti studentor në Tetovë ende nuk është gati sepse nuk është bërë mobilimi i të njëjtit. Premtimet e autoriteteve vazhdimisht janë zgjatur ndërsa nuk dihet se a do të jetë ose jo gati për këtë semestër. Në rrjedhë është procedura për furnizimin me mobilje, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse konvikti studentor në Tetovë paraqet nevojë të madhe për studentët nga jashtë vendit dhe qyteteve tjera, kjo deri më tani, siç duket nuk ka qenë motiv i mjaftueshëm që autoritetet të realizojnë projektin e premtuar që nga viti 2016. Kështu kanë shkelur afatet e realizimit dhe vazhdimisht kanë premtuar afate të reja të përfundimit të projektit por pa rezultat përfundimtar deri më sot.

Edhe pse ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri në fillim të këtij viti tha se parashihet që konvikti të përfundojë për këtë vit akademik, sot nga kjo Ministri nuk përgjigjen konkretisht nëse i njëjti do jetë gati deri atëherë, pra në tetor kur studentët edhe fillojnë me ligjërata.

“Konvikti i studentëve në Tetovë është tërësisht i ndërtuar, gjegjësisht kanë përfunduar të gjitha aktivitetet ndërtimore, kështu që mbetet procesi  i pajisjes së tij, prandaj për këtë qëllim në rrjedhë është procedura e prokurimit publik, për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për  mobilimin  e konviktit, ndërsa  hapja e ofertave do të jetë më 18 gusht. Pasi të përfundojë procedura dhe konvikti  të jetë i mobiluar plotësisht, do të vihet në dispozicion të studentëve, ku do të shpallet konkurs për akomodim”, thanë nga Ministria e Arsmit dhe Shkencës (MASh).

Pyetëm edhe Universitetin e Tetovës (UT), por nga atje na thanë se përgjigje konkrete nuk mund të japin për momentin pasi janë në pushim vjetor kolektiv.

Mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i papërballueshëm për një student. Ndërsa gjetja e një apo më shumë kolegu për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.

Ka studentë të cilët nga mungesa e konviktit detyrohen që të udhëtojnë.

Ndërtimi i shtëpisë studentore në Tetovë është investim me vlerë prej 166,5 milionë denarëve, objekti do të ketë 305 krevate. Përveç dhomave të fjetjes, në këtë shtëpi studentore është paraparë të ketë edhe dhomë teknologjike, leximore, sallë ku studentët do të mund të ushtrojnë fitnes, hapësirë për meze, etj.

I njëjti premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti. Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të këtij viti. Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, ishzëvendës-ministri i Arsimit, Arafat Shabani, tha se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë. Ndërsa së fundmi, ministri Shaqiri deklaroi se pritet të jetë gati për këtë semstër që do fillojë në tetor.

Ndryshe, së fundmi ka mbaruar regjistrimi elektronik për akomodimin në konviktet studentore shtetërore dhe private, i cili ka nisur më 18 korrik dhe zgjati deri më 5 gusht I cili vlente për studentët nga viti i dytë deri në të gjashtin e studimeve dhe absolventët. Për studentët e vitit të parë, afati i aplikimit është nga data 5 deri më 16 shtator 2022, pra pasi të ketë kaluar afati i parë i regjistrimit në fakultete për vitin akademik 2022/2023. Ndërsa në konkursin e publikuar nga ministria nuk figuron ky konvikt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button