fbpx

Në Maqedoni jetojnë njerëzit më të zemëruar në Evropë

Zhgënjimet e shumta që ndodhën vitet e kaluara i kanë kthyer qytetarët e Maqedonisë në disa nga njerëzit më të zemëruar në Evropë, te të cilët zemërimi dhe revolta në baza ditore janë shumë mbi mesataren evropiane. Këtë e tregojnë rezultatet në raportin e fundit të “Gallup Global Emotions Report”, i cili mbulon 122 vende në periudhën e vitit 2021 dhe gjysmën e parë të vitit 2022, në të cilin qytetarët e Maqedonisë me 26 për qind të zemërimit të akumuluar në baza ditore janë menjëherë pas Turqisë, ku zemërimi shprehet në një nivel të lartë 48 për qind, raporton Novamakedonija, transmeton Portalb.mk.

Pothuajse në të gjithë Evropën zemërimi në baza ditore është nën 25 për qind, ndërsa në Maqedoni është mbi këtë kufi dhe e pozicionon vendin si lider në seksionin e popullsisë së zemëruar dhe të revoltuar në baza ditore.
Si zakonisht, më së paku të zemëruar janë finlandezët, pastaj vijnë estonezët, ndërsa pas tyre renditen holandezët dhe portugezët.

“Populli maqedonas është konsideruar gjithmonë paqësor dhe zemërbutë, gjithmonë i gatshëm për t’i zgjidhur keqkuptimet në mënyrë paqësore dhe me kompromis. Kjo u dëshmua edhe gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, kur ajo u bë e pavarur pa asnjë incident. Por, zhgënjimet e shumta që i ka  shkaktuar bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe subjektet e brendshme politike gjatë këtyre tri dekadave, kanë bërë prej qytetarëve të Maqedonisë “njerëz të zemëruar”, të cilët e shfaqin inatin e tyre pa shumë frenim çdo ditë…”, thuhet në raport.

Në Ballkan zemërimi i përditshëm i serbëve dhe boshnjakëve është 22 për qind, i shqiptarëve dhe grekëve 20 për qind, i bullgarëve 16 për qind, rumunët 15 për qind, sllovenët dhe kroatët 14 për qind, ndërsa banorët e Kosovës 13 për qind.

Çfarë e ndez zemërimin maqedonas

Populli maqedonas është konsideruar gjithmonë paqësor dhe zemërbutë, gjithmonë i gatshëm për të zgjidhur keqkuptimet në mënyrë paqësore dhe me kompromis. Kjo u tregua edhe gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, kur ajo u bë e pavarur pa asnjë incident. Por zhgënjimet e shumta që ia ka shkaktuar komuniteti ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe subjektet e brendshme politike gjatë gjithë këtyre viteve, kanë krijuar prej qytetarëve të Maqedonisë njerëz të zemëruar, të cilët shprehimisht e derdhin inatin e tyre çdo ditë kudo që të gjenden.

Mjafton që dita të fillohet një nga emisionet e kontaktit në televizione, për të parë përmasat e zemërimit të akumuluar, ku edhe telefonatat e rëndomta kthehen në shpërthime zemërimi kundër kësaj apo asaj partie, kundër këtij apo atij politikani, kundër Evropës, kundër Shteteve të Bashkuara, në fund madje edhe kundër të tjerëve që janë lajmëruar në të njëjtin emision.

Arsyet e përqindjes së lartë të zemërimit të akumuluar në baza ditore te qytetarët e Maqedonisë, sociologët i shohin ekskluzivisht në zhgënjimin që e kanë përjetuar nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga rrethanat në vend.

“Këto ditë jam me pushime, madje edhe këtu, në plazh, kur pres që njerëzit të jenë më të relaksuar, e vërej atë zemërim tek ata. Shumica prej tyre komentojnë me mllef se si nuk kemi shtet, si shitet gjithçka, si njerëzit vjedhin pa masë, si rregullohen funksione për militantët partiakë, thjesht zemërimi del edhe atje ku njeriu e pret më së paku. Prandaj një rezultati i tillë në raport nuk është për t’u habitur”, thotë Ilija Acevski, sociolog.

Sipas tij, arsyet për këtë shpërthim zemërimi te qytetarët e Maqedonisë duhet të kërkohen në të kaluarën, ndërsa kulmi aktual është për shkak të qëndrimit të Bullgarisë dhe Bashkimit Evropian ndaj vendit.

“Ajo që erdhi tani me Bullgarinë dhe BE-në, duket se e përmbyll gjithçka. Prej shumë vitesh kemi qëndruar përpara hyrjes në Evropë dhe megjithëse kemi bërë lëshime të dhimbshme, kjo nuk rezultoi me fillimin e negociatave. Natyrisht, kjo krijoi zemërim te maqedonasit”, thekson Acevski, i cili vuri në dukje gjenezën e zemërimit të frymëzuar nga ngjarjet lokale, por edhe mënyrat se si ushqehet vazhdimisht tek individi.

“Kur thuhet zemërim tek populli, nëse ai zemërim ka vetëm një burim, kur ai burim qetësohet, zemërimi disi duhet të ndalet. Por tani që po formohet një imazh i përgjithshëm për Maqedoninë, ajo që tani na rrethon dhe me të cilën përballemi çdo ditë, kur e gjithë kjo në këtë kohë të propagandës teknologjike-teknike dhe revolucionit mediatik ndodh nëpërmjet plasimit të informacioneve nga të gjitha anët, të cilat në pjesën më të madhe janë negative, atëherë zemërimi tek individi thjesht grumbullohet. Kudo që të shikojë njeriu, pjesa më e madhe e përmbajtjeve ka të bëjë me gjëra negative, që nga vrasjet, pastaj situata në Ukrainë, te zhvillimet politike në vend, etj. Krejt kjo po zgjatë një periudhë më të gjatë dhe kulmi tani është me Bullgarinë dhe BE-në. Çfarë do të thotë kjo? Ne sikur kemi arsye të vërteta për të qenë të zemëruar. Si të mos jemi të zemëruar, nëse besojmë në disa vlera evropiane, kurse të paktën 80 për qind të tyre janë nëpërkëmbur nga shantazhet që na i imponon Bullgaria, e krejt kjo me miratimin e Brukselit”, thekson Acevski.

Zemërimi individual, zemërimi kolektiv, turbulenca shoqërore…

Mendimi i tij është se kur njerëzit mbajnë kaq shumë zemërim në baza ditore, ai më vonë mund të kthehet në dëshpërim dhe ankth, si dhe në manifestime të tjera që historia ka regjistruar.

“Çfarë është zemërimi, në të vërtetë? Kur nuk jeni të kënaqur, kur dikush ju provokon vazhdimisht dhe ju nxjerr nga takti dhe ju prezanton disa gjëra që ne si individë vështirë se mund t’i zgjidhim. Ajo pakënaqësi dhe zemërim më vonë kthehen në dëshpërim, në ankth, njerëzit bëhen indiferentë dhe kur kjo gjendje të vërshojë, do të fillojnë të ndodhin incidente, zënka, ngasje të makinave me shpejtësi tej normave të lejuara, dhunë në familje e çfarë jo. Efektet negative të zemërimit mund të jenë shumë të vështira për shoqërinë”, beson sociologu.

Për të, burimi i zemërimit është besimi i humbur tek politikanët se ata mund dhe duan të bëjnë diçka për këtë vend dhe t’u sigurojnë qytetarëve një të ardhme më të mirë.

“Ka humbur shumë besimi te qeveria, u përjetuan shumë zhgënjime dhe njerëzit nuk kanë më shpresë se mund të ketë një të ardhme më të mirë dhe kjo krijon zemërim. Nuk ka më shpresë, ajo ka mbet diku në ajër, në boshllëk. Por nga ana tjetër, kur ai zemërim merr forma pak më të organizuara, mund të manifestohet ndryshe. Në fakt, krijon revolucion. Kur i gjithë ai zemërim shkrihet në një ide të përgjithshme, që do të pranohet nga 30 për qind e njerëzve, jo të lidhur me parti, por ata jopartiakë, atëherë bëhet fjalë për diçka që është më e thellë dhe më e gjerë, atëherë ndodh revolucioni. Në fund të fundit, ka qenë zemërimi që ka lindur shumë revolucione botërore për të cilat kemi mësuam në histori”, përfundon sociologu Acevski.

Më të ndrojturit do të tërhiqen, ata më rebelë do të bëhen më të egër

Në lidhje me zemërimin gjithnjë e më të madhe tek qytetarët e Maqedonisë, mendimin e saj e dha edhe profesoresha Elka Jaçeva-Ulçar.

Sipas saj, nënshkrimi i fundit i protokollit për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë ka ndikuar edhe më shumë në rritjen e mëtejshme të zemërimit te qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht. meqë pranohet në pjesën për parandalimin e gjuhës së urrejtjes se institucionet maqedonase do të jenë ato që do të monitorojnë dhe ndëshkojnë këdo që shpreh mendim të kundërt me atë bullgar në diskursin publik.

“Kam frikë se shoqëria do të ndahet edhe në këtë pikë: më të ndrojturit do të tërhiqen, kurse më rebelët (e numri i tyre po rritet çdo ditë sipas asaj që shoh në rrjetet sociale) do të bëhen gjithnjë e më të egër. Një pjesë e publikut do ta mbështesë këtë të fundit, një pjesë tjetër do t’i urrejë, do t’i nënçmojë dhe ofendojë… Me pak fjalë, pres një galimatias që ndodhë kur aplikohet ndalesë e çfarëdo lloji, që po e copëton gjithnjë e më shumë, nëse tashmë nuk e ka copëtuar plotësisht strukturën e brishtë kombëtare maqedonase, për fat të keq”, thotë profesoresha Elka Jaçeva-Ulçar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button